Tuesday, September 1, 2026
HomeLajmeKosovëZgjerohen hetimet në rastin e BKS-së, 21 persona të rinj nën hetim

Zgjerohen hetimet në rastin e BKS-së, 21 persona të rinj nën hetim

Më 1 shtator 2026, hetimet janë zgjeruar ndaj 21 personave të dyshuar, të gjithë punëtorë të BKS-së, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i besimit në ndihmë”.

Me këtë zhvillim, numri i përgjithshëm i personave të pandehur në këtë rast ka arritur në 69.

“Nga veprimet e deritanishme hetimore ekziston dyshimi se këta të pandehur, në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e brendshme të BKS-së, kanë mundësuar ose kanë marrë pjesë në bartjen dhe përfitimin e shumave të të hollave pa mbulesë, në vlera që variojnë nga 2,000 euro deri në 53, 000 euro për person, duke shkaktuar një dëm shtesë prej rreth 200,000 euro ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimeve”, thuhet në njoftim.

Të pandehurit janë intervistuar në Stacionin Policor në Prishtinë, nga zyrtarët e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës, së bashku me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, Zëvendëskryeprokurorin, si dhe një prokuror nga Prokuroria Themelore në Prizren.

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se krahas hetimit penal, ka zhvilluar në mënyrë paralele edhe hetimin financiar me Njësitin e Hetimeve të Integruara Financiar të Policisë së Kosovës, me qëllim të identifikimit, gjurmimit dhe sigurimit të pasurisë që dyshohet se lidhet me veprat penale dhe përfitimet e realizuara nga aktiviteti i kundërligjshëm.

“Si rezultat i këtyre veprimeve hetimore dhe financiare, sot janë sekuestruar dhe ngrirë gjithsej 35 prona, duke përfshirë parcela kadastrale, njësi banesore dhe njësi garazhuese, të cilat ndërlidhen me tre të pandehurit kryesorë, ndaj të cilëve ekziston dyshimi për përfshirje në veprimet kriminale që kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm financiar ndaj Byrosë Kosovare të Sigurimeve”, thuhet në njoftim. 

Gjithashtu, gjatë ditës së sotme Prokuroria në bashkëpunim me Njësitin e Inteligjences Financiar, ka urdhëruar ngrirjen e 21 llogarive bankare të personave të dyshuar.

Sipas Prokurorisë, me veprimet e identifikuara në fazën fillestare të hetimit, dëmi i shkaktuar ndaj BKS-së ishte vlerësuar në vlerë rreth 1,043,000 euro, ndërsa me zgjerimin e hetimeve dhe identifikimin e veprimeve të reja të dyshuara, është evidentuar edhe një dëm shtesë prej rreth 200,000 euro.

Tutje thuhet se Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe procedurale për zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë personave për të cilët do të vërtetohet përgjegjësia penale.

Prokuroria Themelore në Prizren thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit ekonomik dhe korrupsionit, si dhe në mbrojtjen e pasurisë dhe interesit publik, duke respektuar në çdo fazë të procedurës të drejtat e të pandehurve dhe parimin e prezumimit të pafajësisë.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram