Shqipëria është vendi më pak tërheqës në rajon sa i takon mundësive që investitorët shohin për të investuar.
Në Indeksin Global të Mundësive 2022 vendi ynë renditet në vendin e 67, me një shkallë përkeqësimi në raport me një vit më parë kur ishte në vendin e 66. Sërish mbetet pas vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, ku kryeson Maqedonia e Veriut e renditur në vendin e 52.
Kështu Mali i Zi renditet në vendin e 53 për rajonin e Europës dhe Azisë Qendrore, pas tij Serbia nga ana tjetër renditet në vendin e 61.
Bosnjë-Hercegovina është i vetmi vend ndër ato të Ballkanit që lëmë pas e renditur në vendin e 99.
Për Shqipërinë rezultati më i mirë është shënuar në perceptimi i biznesit dhe që lidhet me masat dhe kufizimet që has biznesi si dhe lehtësimi në lidhje me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ku rezultati i regjistruar është ai i vendit të 59, me 4 shkallë zbritje krahasuar me një vit më parë.
Dimensioni i dytë u performon më mirë është sa i takon fondamenteve ekonomikë dhe që lidhet me parashikimin makroekonomik të vendit, veçoritë dhe kualifikimin e fuqisë punëtorë dhe potenciali për zhvillim dhe inovacion të vazhdim. Shqipëria renditet e 60, me asnjë ndryshim nga një vit më parë.
Fusha e tretë në ecuri është te standardet ndërkombëtare që lidhen me faktin sesa i integruar është një vend me komunitetin ndërkombëtar dhe gjasat që të jenë konform standardeve ndërkombëtare në vendin e 60.
Më dobët duket se vendi paraqitet tek shërbimet financiare që kanë të bëjnë me masat dhe thellësinë e aksesit që ka një vend në shërbime të tilla ndërkohë që edhe kuadri institucional paraqitet gjithashtu dobët me një renditje në vendin e 80 dhe që ka të bëjë me shkallën në të cilën institucionet e një vendi ndihmojnë ose pengojnë aktivitetin e biznesit.
Indeksi hartohet çdo vit nga Milken Institute një organizatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Raporti merr parasysh faktorët ekonomikë dhe financiarë që ndikojnë në investimet e huaja, aktivitetet dhe politikat kryesore të biznesit, ligjore dhe rregullatore të përdorura nga qeveritë për të mbështetur dhe nxitur investimet.