Përkundër hartimit të teksteve të reja shkollore, nxënësit dhe mësimdhënësit po përballën me gabime teknike dhe përmbajtjesore në lëndë të ndryshme mësimore. Drejtues të institucioneve arsimore kanë bërë të ditur se janë në proces të rishikimit të teksteve.
Nxënësit në Kosovë po vazhdojnë të hasin gabime të shumta në tekstet e lëndëve të ndryshme shkollore. Vlera Fazliu dhe Rona Retkoceri, nxënëse në klasën e katërt, i thanë Radio Kosovës se gjatë vitit shkollor kanë hasur gabime të shumta në tekstet e lëndëve të ndryshme mësimore.
“Kam hasur shumë gabime në tekste si në lëndën e Gjuhës Shqipe, si në Matematikë. Unë me shumë gabime kam hasur në lëndën e Matematikës, Shoqëria dhe Mjedisi, Edukimi për Shëndet dhe në lëndë të tjera”
Se tekstet shkollore kanë gabime në përmbajtje dhe gabime teknike e thonë edhe drejtues të shkollave. Zëvendësdrejtoresha e Shkollës fillore të mesme të ulët “ Elena Gjika” në Prishtinë, Agnesa Globoder, i tha Radio Kosovës se ka shumë gabime sidomos në tekstet e lëndës së Matematikes dhe se këtë vit presin përmirësimin e tyre.
“Shumë ka gabime në tekste shkollore, por ministria i ka marrë parasysh. Ministria e ka formuar një ekip punues dhe Shtëpitë Botuese ju kanë dërgua përmes emailave dhe ekipi punues ka mbajtur takime. Shpresojmë që për këtë vit ato gabime do të përmirësohen sepse i kanë identifikuar se cilat janë ato gabime se sidomos në tekstet e Matematikës ka shumë gabime”, deklaroi Globoderi.
Pas identifikimit të gabimeve pritet përmirësimi i gabimeve në tekstet shkollore, e thotë në një përgjigje për Radio Kosovën edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavaci. Ajo tha se janë në proces të rishikimit të teksteve nga grupi punuese .
“Jemi në proces të rishikimit të teksteve. Tani ky është proces që ndodh në vazhdimësi. Për sa i përket çështjeve teknike dhe vërejtjeve që janë evidentuar, po bëhen përmirësimet në tekste. Por një rishikim i plotë i teksteve mund të marrë pak më shumë kohë. Sepse pas analizës së detajuar dhe pas përgatitjes së raportit, të njëjtat duhet të adresohen për përmirësim”, deklaroi ministrja Nagavaci.
Sipas njohëseve të arsimit për gabimet në tekstet shkollore llogaridhënia duhet të kërkohet nga recensentët e pastaj edhe nga autorët. Dhe këtë situatë mund ta rregullojë ligji që po hartohet për tekstet shkollore, i cili kërkon rishikim të vazhdueshëm dhe të përvitshëm, vlerësojnë njohës të arsimit në vend.