Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte sot folës kyç në konferencën e parë STEMinists, organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit.
Në hapje të konferencës, e cila i kushtohet rëndësisë së pjesëmarrjes së vajzave në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës, pra fushës STEM, kryeministri Kurti tha se përkundër barrierave, e shpesh edhe kundër gjasave, gratë dhe vajzat kanë dhënë kontribut të vlefshëm në zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë, në këto fusha, që historikisht as nuk janë mirëpritur e as nuk janë vlerësuar.
“Disa zbulime të grave janë të njohura e disa kurrë nuk u morën vesh se janë të tyret. Me gjithë punën e angazhimin e grave pioniere, ato janë ende të nënpërfaqësueara, të papërfaqësuara, por edhe të panjohura fare nganjëherë. Sigurisht që në secilin rast, padrejtësisht”, tha ai, duke shtuar se jo vetëm si feministë, por tash edhe si STEMinistë, është detyra jonë të avokojmë e të angazhohemi për përfshirjen dhe pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në STEM dhe të punojmë për një shoqëri dhe shtet, ku çdo person, pavarësisht nga gjinia, ka mundësi të ndjekë ëndrrat.
Karriera në fushat STEM ofron mundësi të jashtëzakonshme. Me më shumë vajza në këto fusha, ne mund të ndihmojmë në mbylljen e hendekut gjinor të pagave dhe t’iu ofrojmë atyre mjetet për të arritur pavarësinë ekonomike. Por, përtej përfitimit personal, siç tha kryeministri, ndikon në përmirësimin e shoqërisë në mënyra të panumërta, në zgjidhjen e problemeve komplekse, zhvillimin e teknologjive, trajtimeve të reja mjekësore, zgjidhjeve të qëndrueshme të energjisë dhe nxitjen e rritjes ekonomike. Po ashtu, ai potencoi se duke fuqizuar vajzat për pjesëmarrje në këto fusha, ne sigurojmë që ato të jenë pjesëmarrëse në formësimin e së ardhmes, e cila nuk njeh gjini.
Duke qenë se vajzat dhe gratë kanë qenë historikisht të përjashtuara nga fushat shkencore, kryeministri Kurti theksoi se ky përjashtim ka pasur ndikime negative në përparimin e shoqërisë njerëzore. “Tani jemi në kohën kur konsiderohet, që është ajo e revolucionit të katërt industrial, e çdo ditë po shohim zhvillime të reja teknologjike, që i shërbejnë përfaqësimit të barabartë gjinor. Gratë dhe vajzat duhet t’i inkurajojmë që të ndjekin karrierë në këto fusha, duke e zvogëluar hendekun gjinor. Kjo nuk është veçse çështje barazie, por edhe ekonomike e sociale”, tha ai.
Pjesëmarrja aktive e vajzave dhe grave në fushat e STEM ka të bëjë me barazinë dhe drejtësinë. Çdo person, pavarësisht nga gjinia, meriton mundësi dhe trajtim të barabartë në të gjitha aspektet e jetës, përfshirë arsimimin dhe zgjedhjen e karrierës. Kjo ka të bëjë edhe me inovacionin dhe përparimin. Këndvështrime dhe ide të ndryshme janë të domosdoshme nëse duam të zgjidhim problemet komplekse me të cilat përballet bota. Duke përfshirë vajzat dhe gratë, duke rritur diversitetin në STEM, ne sigurohemi se po shfrytëzojmë gamën e plotë të talentit dhe krijimtarisë njerëzore.
Politika për vajzat dhe gratë në STEM tashmë është futur si politikë e re dhe për herë të parë nga qeveria jonë. Në vitin e parë të qeverisjes janë mbështetur mbi 1000 vajza dhe gra të cilat studiojnë në fushat STEM me mbi 1 milion euro, ndërsa në të dytin me dyfishim të mbështetjes financiare për këto fusha, pra në 2 milionë euro. Në total, gjatë këtyre dy viteve janë përkrahur gjithsej 2,748 vajza që studiojnë në fushat STEM me nga 1.000 euro në vit. Ky është viti i parë i organizmit të Konferencës STEM. Tani e tutja është pjesë e kalendarit vjetor të Qeverisë dhe do të mbahet çdo vit në javën e fundit të muajit prill. /Kosovatimes/