Ish-përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Catherine Ashton, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulen në tavolinën e negocimit dhe të gjejnë përgjigje për mospajtimet e tyre.
Ajo ka thënë se e ardhmja e tyre varet nga marrëdhëniet që krijojnë me Bashkimin Evropian dhe marrëdhëniet mes vendeve të rajonit.
Në një intervistë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Ashton ka reflektuar për kohën sa e ka ndërmjetësuar dialogun mes këtyre dy vendeve dhe se si e vlerëson kontributin e saj në këtë proces.
Ajo ka folur për përvojën e saj si diplomate në librin e saj më të ri. “Dhe më pas çka: Rrëfimet e brendshme të diplomacisë së shekullit XIX”, i cili ka shërbyer si arsye për intervistë.
Ashton, ndër tjerash, ka folur edhe për rolin e Shteteve të Bashkuara në dialog, nëse Bashkimi Evropian po bën mjaftueshëm për ta mbajtur afër Ballkanin Perëndimor, dhe për ndikimin rus dhe atë kinez në rajon.
REL: Në librin tuaj të ri, “Dhe më pas çka: Rrëfimet e brendshme të diplomacisë së shekullit XIX” (And Then What? Inside Stories of 21st-Century Diplomacy”), ju keni thënë se nuk e keni shijuar pozitën e përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, por keni pasur edhe momente të mira. Çfarë ka qenë më e vështirë për ju? Karakteristikat e negociatorëve, të cilët i keni ndërmjetësuar, apo situatat, kur secili humb pak, ashtu që të arrihet kompromisi?
Catherine Ashton: Ka qenë e vështirë t’i shoh sfidat, me të cilat përballen shumë njerëz, për shkak të konfliktit, kaosit apo ndonjë katastrofe. Për secilin që tenton të ndihmojë, ekziston gjithmonë një ndjesi që nuk bën kurrë mjaftueshëm – dhe unë natyrisht jam ndier ashtu. Kënaqësia dhe përmbushja kanë ardhur në momentet kur kam besuar se kam arritur të bëj dallimin.
Nuk ka të bëjë vetëm me humbjen – disi kompromisi është bërë fjalë që nuk e duam. Në negociata ju kërkoni zgjidhje për problemet, sidomos për ata që kanë probleme. Kompromisi vjen prej mbajtjes së fokusit kah e ardhmja, tentimet për të gjetur se çfarë është më e mira për një komunitet apo një shtet, dhe marrja e vendimit se çka është më e rëndësishme. Negociatorët e mirë punojnë me qetësi dhe vazhdimisht bëjnë përpjekje për të gjetur zgjidhje.
Catherine Ashton: Secila palë e di se e ardhmja e tyre varet pjesërisht nga marrëdhëniet që i ndërtojnë me Bashkimin Evropian, dhe pjesërisht nga marrëdhëniet që i krijojnë brenda rajonit të tyre. Dhe, kjo nënkupton gjetjen e një rruge për të krijuar një të ardhme që ofron paqe, siguri dhe sukses ekonomik për të dyja palët. Nuk ka qenë kurrë e lehtë – Marrëveshja e Brukselit ka qenë vetëm fillimi – mirëpo u bëj thirrje të dyja palëve që të ulen në tavolinë dhe të gjejnë përgjigje.
REL: Cila ka qenë pjesa më e vështirë për t’i afruar palët deri te nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit? Cila ka qenë sfida më e madhe?
Catherine Ashton: Imagjinojeni këtë skenë: Dy kryeministra, në moshë të njëjtë, nga rajoni i njëjtë, që nuk janë takuar kurrë, dhe të cilët bartin shpresat dhe aspiratat e popujve të tyre, të përziera me historinë dhe traumën e së kaluarës. Ka qenë gjë e guximshme vetëm pjesëmarrja në dhomë të njëjtë. Sfidë ka qenë njohja e së kaluarës, humbjet dhe dhimbjet e shumë personave, si dhe krijimi i një vizioni, për të siguruar që të rinjtë në Kosovë dhe Serbi, mund të shikojnë përpara drejt së ardhmes në BE. Vështirësia më e madhe për liderët është përgatitja për të ecur përpara. Është më e lehtë që të mos bësh asgjë. Fatmirësisht, të dyja palët kanë qenë të përgatitura në atë drejtim.
REL: BE-ja posedon leva të rëndësishme dhe shtysa për Kosovën dhe Serbinë që ta zbatojnë marrëveshjen. Ndër më të rëndësishmet, integrimet evropiane. Megjithatë, duke marrë parasysh dinamikën e zgjerimit të BE-së, kjo gjë duket se nuk ka shërbyer si mjet i fuqishëm. Në çfarë niveli ka dështuar BE-ja që t’i shtyjë të dyja palët që t’i tejkalojnë dallimet dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët?
Catherine Ashton: E kuptoj që ekziston shqetësimi në rajon, që BE-ja nuk është entuziaste – sa ka qenë dikur – për zgjerim. Megjithatë, nuk ka dilema që shtetet e Ballkanit Perëndimor i përkasin BE-së. Përkushtimi i bllokut është i qartë në punën që e bën Mirosllav Lajçak, për të vazhduar punën me Kosovën dhe Serbinë. Por, duhet bërë shumë punë edhe shtetet që duan të jenë pjesë e BE-së. Një arsye për mungesë entuziazmi qëndron te mungesa e përparimit të bërë nga vendet që duan të jenë anëtare. Nuk është një rrugëtim i lehtë, por ia vlen të bëhet.