Viola von Cramon, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka demantuar ish Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, lidhur me një statusit të tij në Twitter.
Selimi ka shkruar më herët se informacionet e tij më të fundit nga brenda BE-së, janë se tri shtete anëtare,për të cilat tha se nuk do të japë merat në këtë moment, kanë kërkuar suspendimin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe fondet e IPA-s.
Von Cramon ka mohuar se Bashkimi Evropian do ta sanksionojë Kosovën me ndalesën e fondeve IPA dhe liberalizimin e vizave.
“Këto informacione po i dëgjoj për herë të parë”, shkroi ajo në Twitter.
“Unë mund të imagjinoj se kush mund të qëndrojë pas këtyre lajmeve, por të vihet në dyshim liberalizimi i vizave dhe fondet e IPA-së, absolutisht janë të pamundshme”, tha Von Cramon.
Ndërkohë, Vov Cramon tha se për çështjen aktuale në veri duhet një zgjidhje urgjente politike.
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, më 27 maj ka nënshkruar Marrëveshjen Kornizë të Partneritetit Financiar IPA III, e miratuar nga Komisioni Evropian.
Ajo mbulon programet vjetore të IPA-s për periudhën 2021-2027 dhe do të mundësojë miratimin e menjëhershëm të fondeve të IPA 2021 për Kosovën në vlerë prej 64 milionë euro.
Përndryshe, procesi i liberalizimit të vizave konsiderohet i përfunduar pasi ka mbaruare dhe akti i fundit, ai i publikimit të vendimit në Gazetën Zyrtare të BE-së.
Kështu, liberalizimi i vizave për shtetasit e Kosovës fillon me 1 janar 2024.