Pushteti në Maqedoninë e Veriut ka futur hundët në të gjitha sferat për të pamundësuar luftën kundër korrupsionit, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Nuri Bajrami, anëtar i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
Ky komision së fundi ishte në shënjestër të zyrtarëve të lartë, zëvendëskryeministrit Artan Grubi, i cili në një intervistë për media maqedonase tha se Komisioni ka mungesë të kapacitetit në punë, nuk ka treguar rezultate dhe se anëtarët e tij nuk janë në nivelin e duhur.
Kritika të ngjashme kishte edhe nga zyrtarë të tjerë. Nuri Bajrami thotë se kritikat e tilla tregojnë arrogancën e pushtetit për të penguar punën e komisionit. Bajrami thekson nevojën për një “front të gjerë për të dalë përballë atyre që e kanë kapur shtetin për fyti”.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Bajrami, Komisioni Anti-korrupsion ditëve të fundit është në shënjestër të kritikave të zyrtarëve të lartë. Zëvendëskryeministri Artan Grubi tha se keni mungesë të kapacitetit në punë, nuk keni treguar rezultate, se nuk jeni në nivelin e duhur… Kritika pati edhe nga zëvendëskryeministrja Sllavica Gërkovska. Këto akuza po bëhen në kohën e skandaleve të ndryshme dhe kritikave të shumta për korrupsion e keqpërdorim të detyrës nga zyrtarë të lartë. Si i komentoni ju?
Nuri Bajrami: Për mua këto nënkuptojnë një arrogancë të tejskajshme politike dhe një rezistencë ndaj sundimit të së drejtës nga vetë përfaqësuesit politikë apo bartësit e funksioneve politike. Faktikisht, ne nuk pretendojmë se Komisioni ka bërë më të mirën apo se ne si përbërje jemi të perfeksionuar. Kjo për arsye se ligji, i cili u soll për formimin e kësaj përbërjeje, kërkonte kohë për t’u implementuar për shkak se është ligj i ri dhe në pjesën më të madhe të dispozitave është në një formë manifestim, që nënkupton preventivë në luftën kundër korrupsionit.
Pra, nuk nënkuptojnë masa represive apo kompetenca të drejtpërdrejta ekzekutive. Kjo nënkupton se gjithë punën që e bën komisioni, si gjetjet dhe konstatimet për parregullsi, iu adresohen në formë të masave, rekomandimeve, udhëzimeve të gjithë organeve tjera që janë pjesë e rendit juridik dhe publik dhe komisioni më tej nuk ka mundësi ekzekutive që të marrë në dorë kompetencat e organeve tjera.
Por, për fat të keq, arroganca politike e fundit është barometër taksativ se politika përzihet gjithkund. Dhe, faktikisht, kemi të bëjmë me kapjen e shtetit dhe rrezikimin e sundimit të së drejtës dhe qeverisjes së mirë pikërisht nga ato institucione, të cilat duhet ta bëjnë apo ta vendosin vetë sundimin e së drejtës.
Radio Evropa e Lirë: Komisioni, periudhën e fundit, ka dalë me nisma të shumta për shkelje ligjesh, keqpërdorime nga ana e zyrtarëve të makinave shtetërore, të ambienteve të punës, shpenzime të shumta të buxheteve të tyre për pritje e manifestime tjera, por këto dyshime apo vlerësime që kishit nuk kanë pasur ndonjë epilog. Ku ngecin këto lëndë që ju i trajtoni?
Nuri Bajrami: Sipas dispozitave të Ligjit për parandalimin korrupsionit dhe konfliktit të interesave ne kemi si kompetencë inicimin e procedurave për vërtetimin e përgjegjësisë ndaj personave të zgjedhur dhe të emëruar; kemi kompetencë për inicimin e procedurave apo ndjekjeve penale para Prokurorisë dhe gjithë këto kalojnë pranë organeve të tjera që duhet t’i procedojnë. Por, në të shumtën e rasteve ato nuk procedohen që për mua do të thotë se të gjithë bartësit e funksioneve publike ose janë të kapur nga politika, ose janë të pafuqishëm ose nuk duan t’i zbatojnë këto masa apo ushtrimin e kompetencave të tyre ligjore.
Radio Evropa e Lirë: Rasti më i freskët për shpërdorim të detyrës është ai me kryetarin e komunës së Strugës, Ramiz Merko, që u vendos në listën e zezë të qeverisë amerikane. Ju, si komision, a ishit në dijeni të shkeljeve dhe çfarë mund të veçoni në këtë rast?
Nuri Bajrami: Në rastin e kryetarit të Strugës kemi të bëjnë me një absurd më vete. Në vitin 2010 komuna ishte në gjendje të falimentimit, me buxhet të limituar sipas një vendimi gjyqësor, pra për ushtrimin e vetëm punëve më elementare, pra jo të tjerat për zhvillim të komunës. Kjo ka ndodhur në kohën e kryetarit aktual. Kur u ndërrua pushteti, kishte një kërkesë për rritjen e limitit financiar për funksionimin e komunës, kërkesë kjo që u refuzua.
Por, kur sërish erdhi në krye të komunës kryetari i mëparshëm gjykata miratoi vendimin për t’ia rritur minimunim financiar duke shkelur dispozitat ligjore.
Pra, si ka mundësi i njëjti gjykatës i refuzon kërkesat e njëjta të një përfaqësuesi të një garniture tjetër politike dhe të njëjtat kërkesa ia miraton kryetarit të mëparshëm kur rikthehet në krye të komunës?! Nëse kjo nuk paraqet ndikim politik apo kapje politike të pushtetit gjyqësor nga politika, unë nuk di cili rast tjetër mund të ishte ndikim politik ndaj gjyqësorit.
Radio Evropa e Lirë: Ju si komision keni reaguar edhe për shpërdorimet që dyshohen të jenë bërë gjatë punësimeve në administratën shtetërore, apo emërimin e bartësve të funksioneve, por për konstatimet tuaja nuk janë formuar lëndë. Për çfarë bëhet fjalë apo çfarë do të veçonit?
Nuri Bajrami: Kemi rastin kur Qeveria emëron rreth 3.000 bartës apo titullarë të funksioneve publike në të gjitha nivelet. Ku ka shkelje më të madhe sesa kur emëron ushtrues detyre të drejtorit për disa herë në vazhdimësi, kurse ligji thekson se drejtor në detyrë mund të emërohet një person një herë me kohëzgjatje deri në gjashtë muaj dhe pastaj duhet të bëhet shpallje publike apo konkurs për zgjedhje.
Këta, faktikisht, e bëjnë emërimin për t’i mbajtur njerëzit e vijës së njëjtë, të dëgjueshmit e tyre apo anëtarët e tyre partiakë e shkelin ligjin kushedi se sa herë me radhë. Kjo paraqet shkelje ligjore, vepër penale pasi ia shkurton të drejtën dikujt tjetër për të konkurruar.
A mund të ketë shkelje më të madhe se kjo? Kjo nënkupton rrezikimin e sundimit të së drejtës, shkeljen e realizimit të interesit publik pasi ata duhet të jenë në shërbim të qytetarëve për realizimin e të drejtave të tyre.
Radio Evropa e Lirë: Rasti me kryetarin e Strugës, por edhe shumë vendime të tjera të gjyqësorit kanë shkaktuar reagime të shumta te faktori ndërkombëtar. Çfarë duhet të ndërmerret, sipas jush, për përmirësimin e gjendjes?
Nuri Bajrami: Të them të drejtën unë nuk kam pritur reagime kaq të fuqishme dhe jam shumë mirënjohës ndaj sektorit joqeveritar, ndaj gazetarëve, punës transparente të Komisionit pasi falë këtyre kemi këto reagime, të cilat e them se nuk i kam pritur. Më vjen mirë që të gjithë na përkrahin dhe e shohin politizimin e interesit publik nga ana e politikanëve. Duhet të rritet presioni duke iu bashkangjitur kësaj edhe vetë përfaqësuesit konkret të politikës, të sektorit civil dhe vetë qytetarët, sepse nuk ka mënyrë tjetër. Komisioni është vetëm një organ që përpiqet të bëjë punën e vet. Mendoj se duhet të rritet fronti i rezistencës kundër veprimeve arrogante politike, të cilat po e rrënojnë komplet interesin publik dhe mirëqenien e qytetarëve.
Radio Evropa e Lirë: Si i komentoni vlerësimet e zyrtarëve se vendi po shënon rezultate në rrugën drejt BE-së? Sa jemi larg BE-së, sipas jush me këto dyshime për shpërdorime dhe kritika me të cilat përballet gjyqësori në Maqedoni të Veriut?
Nuri Bajrami: Përmbushja e kritereve evropiane sipas politikanëve tanë na qenka në nivel të lartë, por unë them se është në nivelin zero e ndoshta edhe nën zero! Në BE nuk shkohet në këtë formë të veprimit ku politika ka futur hundët gjithkund.
Sistemi ka gjetur mënyrat se si të shkelë ligjet edhe atje ku procedurat janë tejet transparente dhe përpiqen të ndikojnë në çdo mënyrë. Kemi të bëjmë me një partizim të skajshëm të jetës në Maqedoni të Veriut dhe kjo nuk nënkupton standard evropian. Prandaj duhet të rritet fronti, duhet të rritet presioni, duhet të rritet kritika publike që të jemi një front i fuqishëm karshi atyre që e kanë kapur shtetin për fyti.