Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar vëllezërit Bytyqi, shqiptaro-amerikanët e UÇK-së në përvjetorin e vrasjes së tyre.
Haradinaj ka thënë se Serbia përpos që i ekzekutoi ata dhe shumë shqiptarë tjerë, vazhdon me injorimin dhe mohimin e krimeve dhe me dekorimin e kriminelëve të luftës.
“Agron, Yll dhe Mehmet Bytyqi, shtetas amerikanë, iu bashkuan rreshtit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në përpjekjet më vendimtare për lirinë e atdheut. Vetëm pak ditë pas përfundimit të luftës u arrestuan nga shteti serb, ku më pas u ekzekutuan. “Shteti serb, përpos që i ekzekutoi ata dhe shumë shqiptarë tjerë, vazhdon me injorimin dhe mohimin e krimeve dhe me dekorimin e kriminelëve të luftës, mes tyre edhe ata që dyshohen se vranë vëllezërit Bytyqi”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se heroizmi i vëllezërve Bytyqi do të kujtohen ndër breza.
“Sot e çdo ditë ndajmë dhembjen me familjen Bytyqi – me bacën Ahmet e me zonjën Bahrije dhe bashkëluftëtarët e “Atlantikut”. Heroizmi, humanizmi e atdhedashuria e Agronit, Yllit e Mehmetit do të kujtohen ndër breza!. Ne kurrë nuk do të ndalemi në përpjekjet për të çuar drejtësinë në vend për krimin e dëshmuar dhe vrasësit ta marrin dënimin e merituar”, ka përfunduar Haradinaj.