Një gjykatë ruse në qytetin e Voronezhit, dënoi ish-marsin amerikan, Robert Gilman, me katër vjet e gjysmë burgim për sulmin ndaj një zyrtari policor në kohën kur kishte qenë i dehur.
Sipas mediave ruse, Gilman, 28 vjeç, planifikon që ta apelojë vendimin.
Policia kishte nxjerr nga një tren Gilmanin në janar të këtij viti, pas disa ankesave nga pasagjerët e tjerë lidhur me sjelljen e tij, tha Prokuroria.
Në kohën sa ishte në paraburgim, Gilman u akuzua se ka goditur një zyrtar policor duke i shkaktuar mavijosje.
“Ky person, që nuk u pajtua me veprimet ligjore që ndërmorën autoritetet, përdori dhunë ndaj një zyrtari policor që ishte në detyrë, duke e goditur disa herë”, tha Komiteti hetues përmes një njoftimi.
Gilman, që kishte shkuar në Rusi për të studiuar dhe ka pasaportë ruse, tha para gjykatës se atij nuk i kujtohet ky incident, por i kërkoi “falje Rusisë” dhe zyrtarit policor.
Rusia ka dënuar disa qytetarë amerikanë viteve të fundit. Basketbollistja Brittney Griner u dënua në gusht me nëntë vjet burgim, pasi iu gjet kanabis.
Paul Whelan, një tjetër ish-marsin amerikan, po vuan dënimin prej 16 vjetësh burgim nën akuza për spiunazh. Ai ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Zyrtarët rusë thanë se janë në bisedime me Uashingtonin për mundësinë e këmbimit të të burgosurve. Mediat kanë raportuar se në këtë këmbim do të mund të përfshihej trafikuesi i dënuar i armëve, Viktor Bout, i cili po vuan një dënim prej 25 vjetësh burgim në Shtetet e Bashkuara.
Në prill, Rusia dhe ShBA-ja këmbyen Trevor Reed me një pilot rus, të dënuar për trafikim të drogës. Reed, po ashtu një ish-marsin amerikan, ishte dënuar me nëntë vjet burgim pasi supozohej se në kohën kur kishte qenë i dehur kishte sulmuar një zyrtar policor.