Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka paralajmëruar se qeveritë e vendeve nuk duhet të lejohen të vendosin se cilët atletë mund të marrin pjesë në gara, pasi që tha se ky “do të ishte fundi i sportit ndërkombëtar ashtu siç e njohim ne”.
Organizata thotë se “ka gjetur rrugën e mesme” për atletët nga Ukraina, Rusia dhe Bjellorusia. Por, autoritetet ruse dhe ukrainase i kanë kundërshtuar planet e saj.
“Nuk mund të jetë në dorën e qeverive të vendosin se cilët atletë mund të marrin pjesë”, tha IOC-ja.
IOC-ja ka qenë nën presion për t’i ndaluar sportistët rusë dhe bjellorusë të garojnë, madje edhe nëse e bëjnë këtë nën një flamur neutral, shkaku i pushtimit të paprovokuar të Ukrainës nga Rusia.
Në mars, IOC u tha federatave sportive se duhet t’i lejojnë atletët nga ato vende të konkurrojnë si neutralë.
Por, tani që Olimpiada e Parisit 2024 do të fillojë pas pak më shumë se një viti, IOC është ende duke qartësuar qëndrimin e saj ndaj atletëve rusë dhe bjellorusë dhe tha se nuk ka marrë një vendim përfundimtar për pjesëmarrjen e tyre në Lojërat e vitit të ardhshëm.
Megjithatë, IOC tha se Komitetet Organizative Kombëtare të Rusisë dhe Bjellorusisë nuk do të luajnë asnjë rol në lojëra.
Në deklaratën e IOC-ut theksohet gjithashtu një vendim nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, që këshilloi se një ndalim i përgjithshëm për atletët rusë dhe bjellorusë do të ishte diskriminues dhe shkelje flagrante e të drejtave të njeriut.
Ministri i Sportit i Ukrainës, Vadym Guttsait, ka akuzuar IOC-në për “standarde të dyfishta” për sugjerimin që atletët rusë dhe bjellorusë mund të garojnë në Paris, ndërsa ministri i qeverisë, Oleh Nemchinov, njoftoi në prill se atletët ukrainas nuk duhet të lejohen të konkurrojnë në garat kualifikuese për Lojërat Olimpike të Parisit 2024 nëse rusët marrin pjesë.
IOC kritikoi Ukrainën për “privimin e atletëve të saj nga shansi për t’u kualifikuar në Lojërat Olimpike Paris 2024 dhe për ta bërë popullin ukrainas krenar”, dhe e ritheksoi këtë qëndrim në deklaratën e fundit.
“Në një sport kaq të politizuar, Lojërat Olimpike universale nuk do të jenë më të mundshme”, thuhet në deklaratën e IOC.
Ky organ gjithashtu kritikoi vendet që mbështesin qëndrimet ukrainase ose ruse. Mbretëria e Bashkuar është ndër vendet që ka mbështetur ndalimin e sportistëve rusë.
“Shumica dërrmuese e atletëve të botës respektojnë ose mbështesin qasjen e IOC”, thuhet tutje.