Samiti i fundit i NATO-s në Vilnius përfundoi “pa garanci konkrete sigurie” për Kievin dhe nxori në pah dështimin e aleancës ushtarake perëndimore për të krijuar një “këndvështrim të përbashkët strategjik” për Ukrainën, thotë në një intervistë për Shërbimin gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë Nikolas Gvosdev, profesor i studimeve të sigurisë kombëtare në Kolegjin e Luftës Detare në SHBA.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë kemi mësuar nga samiti i NATO-s që u zhvillua së voni në Vilnius?
Nikolas Gvosdev: Ajo që kemi mësuar në Vilnius është se NATO-ja është një aleancë e vështirë prej 31 anëtarësh.
Është e vështirë të arrihet konsensus dhe ajo me të cilën përfunduam, ishte një qasje më e ulët ndaj shumë çështjeve, përfshirë atë të anëtarësimit të Ukrainës në NATO, dhe në cilat kushte Ukraina mund të ftohet për t’iu bashkuar aleancës.
Dhe nuk ishin thjesht shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore, republikat baltike që donin ftesë për Ukrainën, dhe kundërshtarët tradicionalë, si Gjermania dhe Franca, por edhe qasja shumë e pavendosur e SHBA-së që zuri në befasi një numër vëzhguesish.
Nëse mendojmë për Samitin e Bukureshtit në vitin 2008, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur fuqishëm Planin e Veprimit të Anëtarësimit [që përcakton hapat dhe kushtet për anëtarësimin në NATO] si për Ukrainën, ashtu edhe për Gjeorgjinë.
Dhe në vitin 2023, në Vilnius, Shtetet e Bashkuara nuk ishin të vendosura për ta çuar Ukrainën menjëherë drejt marrjes së një ftese.
Dhe, në njëfarë mënyre, është një situatë më e keqe – mund të them unë – heqja e Planit të Veprimit të Anëtarësimit, [sepse] Ukraina do ta dinte se çfarë do të duhej të përmbushte.
Kjo nuk na jep shumë qartësi se cilat janë kushtet. Kur do të takohen? Kush do ta vlerësojë nëse janë plotësuar kushtet? Dhe, çfarë do të duhet që aleatët të bien dakord?
Pra, në njëfarë mënyre, ky samit e ka përkeqësuar pozicionin e Ukrainës. Ukraina nuk ka një ftesë të qartë, nuk ka një afat kohor, nuk ka – së paku – garanci konkrete sigurie nga aleanca.
Dhe tani ajo që do të ndodhë pas Vilniusit, e që do të jetë e rëndësishme, është nëse vendet individuale, duke filluar nga Shtetet e Bashkuara, do të japin apo jo garanci më të qarta dhe më të forta mbështetjeje për Ukrainën – gjë të cilën aleanca nuk ka qenë e gatshme ta bëjë në Vilnius.
Çështja, përsëri, është se aleanca nuk ka një pikëpamje të përbashkët strategjike për Ukrainën, përtej marrëveshjes se Ukraina duhet të mbështetet kundër pushtimit rus.
Nikolas Gvosdev: Unë mendoj se ai po bën pazare për ndihmën e pezulluar ushtarake të SHBA-së, pas vendimit të tij për të blerë sistemin [raketor rus] S-400.
Unë mendoj se ai po përpiqet t’u japë fund përpjekjeve në Kongresin e SHBA-së për ta sanksionuar Turqinë për një gamë të gjerë aktivitetesh, përfshirë aktivitetet e saj ekonomike me Rusinë. Unë mendoj se Erdogan po thotë: “Do ta çoj përpara çështjen e Suedisë, dua [avionë luftarakë] F-16 dhe ndoshta kthim në programin [e avionëve] F-35 [të udhëhequr nga SHBA-ja]. Por, nuk dua të shoh që flitet për sanksionimin e Turqisë për marrëdhëniet e saj biznesore me Rusinë”.
Nikolas Gvosdev: Luan shumë. Dhe, kjo ka të bëjë me supozimet e [administratës së presidentit Joe] Biden për disa afate kohore. Nëse ktheheni prapa 8-9 muaj, SHBA-ja ka shpresuar se deri në samitin në Vilnius, Ukraina do të arrijë fitore të mëdha në kundërofensivë, që do ta dëmtonin seriozisht pozicionin rus.
Kjo supozohej se do të mundësonte diskutime në Vilnius për garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Ajo që keni tani është një administratë e ndarë amerikane: Nëse i ofroni garanci sigurie Ukrainës, duke përfshirë rrugën drejt anëtarësimit në NATO, ju po e bëni këtë në një kohë kur Ukraina nuk ka arritur të rimarrë kontrollin e pjesës më të madhe të territorit të humbur. Dhe kështu, ju ose po i kërkoni Ukrainës t’i ngrijë kufijtë, linjat e kontrollit, siç ekzistojnë tani, ose Ukraina thotë se i duhet më shumë kohë për t’u përfshirë në operacione kundërofensive.
Por, në atë rast, SHBA -ja shqetësohet se kjo do ta tërheqë atë më drejtpërdrejt në konflikt, gjë të cilën administrata Biden nuk e dëshiron në prag të zgjedhjeve.
Dhe, derisa lëvizni kah viti zgjedhor, nuk dëshironi të thoni se po i angazhoni Shtetet e Bashkuara në një rol ushtarak… Përfshirja më e madhe e SHBA-së nuk do të thotë fitim politik.
Radio Evropa e Lirë: Deklarata e miratuar e NATO-s thotë: “Ne do të jemi në gjendje ta ftojmë Ukrainën që t’i bashkohet aleancës kur aleatët të bien dakord dhe të plotësohen kushtet”. Cilat janë këto kushte?
Nikolas Gvosdev: Ne nuk e dimë. Nuk e dimë se cilat janë kushtet.
Nikolas Gvosdev: Nëse në ditët pas Vilniusit, aleanca nuk sqaron se çfarë do të thotë kjo [deklaratë], atëherë ka shumë jehona nga Bukureshti [vendi ku është mbajtur samiti i NATO-s më 2008]. Sepse, pikërisht tani mund të thuhet: “Epo, përderisa nuk i dimë kushtet, ato nuk mund të plotësohen kurrë”. Nuk do të ketë kurrë kohë për Ukrainën.
Radio Evropa e Lirë: Le të ndalemi të zhargoni i NATO-s. “NATO-ja ka një politikë me dyer të hapura”. A është e vërtetë kjo?
Nikolas Gvosdev: Është një politikë e dyerve të hapura ku, në shumë raste, vendet e NATO-s duan shumë, shumë që njerëzit të mos [e kalojnë] derën vullnetarisht. Dhe kështu: “Po, dera është e hapur, por të lutem mos hyr”.
Unë mendoj se kjo është parë më së miri në rastin e Ukrainës dhe Gjeorgjisë gjatë dhjetë vjetëve të fundit: “Po, dera është e hapur, ne nuk duam ta mbyllim derën, por do të ishte vërtet e mrekullueshme nëse nuk e kaloni atë”.
Dhe sigurisht, pastaj, në Gjeorgji, disa politikanë thonë: “Në rregull, nuk do ta kalojmë. Nëse nuk e kalojmë, atëherë nuk do të bëjmë asnjë gjë që ju doni, sepse e dimë se nuk do ta kalojmë atë derë”.