Shkruan: Naza KRASNIQI
Diskriminim pozitiv që po ndodh një kohë të gjatë dhe pa u vërejtur fare, ka të bëjë me një kategori të bursistëve të studimeve pasuniversitare të Young Cell Scheme.
Këtë program e bashkë financojnë Qeveria e Kosovës dhe BE-ja.
Fillimisht i lansuar në vitin 2004, i cili përmes ofrimit të bursave ofron një mundësi për studentët e rinj kosovarë, që të studiojnë në universitete të shteteve anëtare të BE-së dhe më pas të punojnë në shërbimin civil. Marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së bazohen në Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, e cila është në fuqi nga viti 2016, këta studentë pasuniversitarë, të cilët kanë fituar bursa në studimet master në njërën nga universitetet e Bashkimit Evropian, sipas marrëveshjes, pas diplomimit janë sistemuar në institucionet shtetërore për të kontribuar për një periudhë tri vjeçare, kuptohet me pagesën e punës në koeficientin e sistemuar, siç janë edhe zyrtarët e përhershëm.
Në bazë të ligjit dhe normave tjera juridike në institucionet shtetërore që prej pozitës së kryeshefit ekzekutiv e deri tek asistenti/ja kërkohet kualifikim universitar, d.m.th. fakultetin. Pra në administratë nuk paguhet asgjë, që ka të bëjë me master apo doktoratë. Masteri dhe doktorata janë nivele të kualifikimit, të cilat kërkojnë për nivele profesionale të kategorive të ekspertëve. Nuk jam kundër bursistëve pasuniversitar, përkundrazi jam pro çdo lloj burse, reforme apo avancim të gjitha kategorive, po jam kundër ndryshimit të punësimit pa procedura dhe diskriminimit të pagesës sa i përket shtesës mbi pagë për Bursistët e “YCS”
Bursistët e “YCS” përveç bursave, që përfshijnë komplet financimin e studimeve pasuniversitare dhe më pas angazhimin në institucione, këtyre ju ofrohet Akti i përhershëm i emërimit apo kontrate e përhershme, pa kaluar nëpër fazat e konkursit, siç parashihet në nenin 34 të Ligjit për Zyrtarët Publikë Nr. 06/114. Paragrafi 2 i Nenit 36 të këtij ligji përjashton nga kriteret ketë kategori të bursistëve, që do të thotë se për këta bursistë nuk vlejnë kriteret për punësim në institucione publike. A është apo jo diskriminues ky nen, duhet të ketë një vlerësim nga institucionet përgjegjëse duke u bazuar nenin 3 dhe 7 të Kushtetutës së Kosovës, që parasheh se të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit.
Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Paga të zyrtarëve publikë është duke u aplikuar edhe një shtesë mbi pagë prej 250 Euro për të gjithë bursistët e “YCS”. Me ligjin e pagave thuhet se shtesat mbi pagë do të ndahen vetëm për raste të caktuara. Shtrohet pyetja, si mundet një zyrtar i YCS-së me një përvojë vetëm njëvjeçare me të njëjtin kualifikim të ketë koeficient 5.75 dhe me një shtesë 250 euro, që d.m.th më i privilegjuar se një zyrtar me të njëjtin kualifikim dhe me një përvojë 15 vjeçare. A është ky një diskriminim?-
Unë si Juriste e diplomuar, Magjistër e së Drejtës Kushtetuese dhe pjesë e Administratës shtetëror që nga viti 2006, mendoj, PO.
Studentet e YCS-së, përfundon masterin me burse qeveritare dhe të BE-së,
Punësohet pa konkurs publik dhe
Pranon shtesë mbi pagën bazë .
Andaj mbesë me shpresë që institucionet përgjegjës do ta rregullojnë ketë normativ që është kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Kaloni mirë.