Kievi tha se ka vazhduar operacionet sulmuese ndaj forcave ruse në lindje dhe jug, përderisa alarmet për sulme u lëshuan në mbarë Ukrainën më 16 shtator. Rusia ndërkaq tha se gjatë natës ka rrëzuar dy dronë afër Moskës, teksa pushtimi rus i Ukrainës po i afrohet muajit të njëzet.
Uashingtoni, ndërkaq, konfirmoi planet për takime për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainës. Takimet pritet të mbahen gjatë javës së ardhshme midis presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky – që do të qëndrojë në ShBA – me liderët amerikanë.
Alarmet për sulme u lëshuan në shumë rajone të Ukrainës mesditën e 16 shtatorit, përderisa ushtria ukrainase paralajmëroi se mund të ketë sulme me raketa balistike në zonat e banuara.
Përveç në kryeqytet, Kiev, alarmet u lëshuan edhe në rajonet e Çernihivit, Çerkasit, Poltavës, Harkivit, Dnipetrovskit, Mikolajivit, Zaporizhjës dhe Odesës.
Një sërë shpërthimesh janë raportuar në rajonin e Harkivit, por ka qenë e mundur të sigurohen informacione për viktima apo dëme të mundshme.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha më 16 shtator se forcat e tij kanë kryer operacione mbrojtëse në lindje dhe jug të Ukrainës dhe operacione sulmuese rreth Melitopolit dhe Bahmutit.
Ushtria ukrainase pretendoi për “sukses” në zonën e Klishçikijevkës në rajonin e Donjeckut.
Po ashtu tha se mbi 100 vendbanime në rajonet e Harkivit, Luhanskut, Donjeckut, Zaporizhjës dhe Hersonit janë përballur me zjarr artilerie në 24 orët paraprake.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj kanë rrëzuar dy dronë afër rajoneve Kaluga dhe Tver, afër Moskës. Kjo ministri tha se dronët u rrëzuan gjatë natës midis 15 dhe 16 shtatorit, duke mos raportuar për viktima apo dëme.
Pala ukrainase vazhdimisht shmang komentimin e numrit në rritje të sulmeve brenda territorit rus të kryera me dronë.
Po ashtu ka raportime që sugjerojnë se ka presion nga ShBA-ja dhe aleatët ndaj Ukrainës që kjo e fundit të dëshmojë sukses në kundërsulmin që ka nisur në qershor. Më 15 shtator, këshilltari për siguri kombëtare i ShBA-së, Jake Sullivan, konfirmoi se presidenti amerikan, Joe Biden, do të presë në Uashington më 21 shtator Zelenskyn. Ky do të jetë takimi i tretë i dy liderëve në Shtëpinë e Bardhë.
Sullivan tha po ashtu se Zelensky do të vizitojë Kongresin amerikan ku do të takohet “me liderët e Kongresit nga të dyja partitë”.
Kongresi amerikan aktualisht po debaton për kërkesën e Bidenit që Ukrainës t’i jepen edhe 24 miliardë dollarë ndihmë humanitare dhe ushtarake.