Marrëveshja ndërkombëtare në mes të Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime ka dështuar të votohet në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Kjo marrëveshje ka qenë në kuadër të projektit “Rehabilitimi i linjës hekurudhore 10 B”, e cila në rast miratimi do të siguronte pjesëmarrjen e Kosovës në rrjetin rajonal të hekurudhave. Pavarësisht prezencës së 82 deputetëve, disa nga deputetët nuk e kanë votuar marrëveshjen, duke bërë që të ketë mungesë të kuorumit.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca njoftoi se kjo marrëveshje do të votohet në një seancë tjetër.
“Janë vetëm 72 vota, s’janë të mjaftueshme për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Prandaj, kjo bartet një seance të re”, tha Konjufca.
Votimin e kësaj marrëveshje e kundërshtoi kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, duke thënë se është koha kur Kosova gjendet nën sanksione të ndërkombëtarëve.
“Republika e Kosovës tashmë është nën sanksione si nga BE ashtu edhe nga SHBA dhe vështirësimi dhe rritja e këtyre sanksioneve paralajmërohet se do të zgjerohet dhe nuk do të zvogëlohet. Prandaj, votimi i një marrëveshje të tillë do të jetë paradoksale sepse s’do të arrijë të realizohet si e votuam si s’e votuam”, tha ai.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë pro votimit të kësaj marrëveshje, ku deputeti Avdullah Hoti nga kjo parti tha se i vjen mirë që një marrëveshje e tillë po shkon drejt finalizimit.
“Kjo linjë hekurudhore e bën Kosovën pjesë të rrjetit rajonal dhe më gjerë të hekurudhave. Prandaj, ne e mbështesim”, u shpreh Hoti.