Tash e dhjetë vjet, për komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës janë grumbulluar mbi 14 milionë euro, të destinuara për zhvillim ekonomik dhe investime në infrastrukturë, por zona vazhdon të mbetet vatër tensionesh.
Paratë janë pjesë e të ashtuquajturit Fond Zhvillimor i Mirëbesimit, për të cilin Kosova dhe Serbia janë pajtuar në vitin 2013, në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.
Qëllim i këtij fondi është t’i zhvillojë dhe integrojë komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, ku popullata serbe, që nga paslufta më 1999, nuk u bindet vendimeve të institucioneve të Kosovës, por të strukturave paralele serbe, që funksionojnë nën dirigjimin e Beogradit zyrtar.
Paratë e Fondit grumbullohen nga importi i mallrave përmes pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat gjenden në veri të Kosovës.Nga Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson bisedimet Kosovë-Serbi, thonë se nga ky fond janë realizuar projekte të ndryshme – nisur nga infrastruktura rrugore deri te qendrat kulturore dhe rekreative.
Por, nga anketat që Radio Evropa e Lirë realizon kohë pas kohe me qytetarët në veri, ata kryesisht shprehen të shqetësuar për situatën politike dhe kundër vendimeve që marrin institucionet e Kosovës.
Si pasojë e mosbindjes, por edhe ndikimit të strukturave serbe, ata nuk paguajnë as rrymë, as ujë që nga paslufta. Vazhdojnë t’i kenë shkollat dhe spitalet që funksionojnë nën sistemin e Serbisë.
Shumica e bizneseve në zonë, po ashtu, nuk janë të evidentuara dhe nuk paguajnë asnjë detyrim ndaj institucioneve të Kosovës tash e 24 vjet.Nga nëntori i vitit të kaluar, serbët e kësaj pjese kanë braktisur edhe institucionet e Kosovës, në të cilat kanë marrë pjesë, si pasojë e një vendimi të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.
I banuar me rreth 50.000 qytetarë, veriu i Kosovës është shpesh edhe skenë e përleshjeve të dhunshme.
Të fundit kanë ndodhur më 24 shtator kur grupe të armatosura serbësh kanë sulmuar policinë e Kosovës, duke vrarë një polic.Cili ka qenë efekti i Fondi Zhvillimor të Mirëbesimit?
Dragisha Mijaçiq, drejtor i Institutit për Zhvillim Ekonomik Territorial (INTER), me seli në Zubin Potok, thotë për Radion Evropa e Lirë se Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit nuk ka mbledhur mjete të mjaftueshme financiare që do të krijonin parakushte për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e jetesës së qytetarëve në veri.
“Kur investoni para në mjediset lokale, gjithmonë ka përfitime. Por, nuk ka pasur efekte që mund të maten. Për dhjetë vjet janë investuar 14 milionë euro. Ato janë aq pak para saqë nuk mund të arrijnë kurrfarë rezultati domethënës”, thotë Mijaçiq.
Disa projekte kanë dhënë rezultate të mira, por “shumë prej tyre nuk janë përfunduar dhe nuk kanë dhënë kurrfarë rezultatesh”, shton ai, pa specifikuar më shumë.
Por, për Haki Shatrin, ekspert i çështjeve ekonomike, projektet e ndërtuara nga fondi në fjalë kanë pasur efekt në mirëqenien e qytetarëve lokalë.
Sipas tij, janë strukturat paralele, të udhëhequra nga Serbia, që nuk i lejojnë qytetarët t’i pranojnë publikisht rezultatet.“Atje janë të pranishme strukturat paralele, të ndikuara nga Beogradi, të cilat i pamë publikisht ditëve të fundit. Por, në jetën e përditshme të qytetarëve lokalë kanë qenë prezente çdo kohë, duke iu bërë presion dhe duke i frikësuar. Prandaj, qytetarët janë në hamendje, në dilema se kah t’ia mbajnë, sepse i kanë frikësuar vazhdimisht që të mos punojnë, të mos bashkëpunojnë dhe të mos e njohin shtetin e Kosovës”, thotë Shatri për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se krijimi i këtij fondi, madje, i ka favorizuar katër komunat në veri, pasi asnjë komunë tjetër nuk e gëzon një fond të tillë të veçantë.
Pikëpamjet politike, të ndikuara nga Beogradi, pengojnë përparimin e veriut, thotë edhe profesori i ekonomisë në Prishtinë, Muhamet Sadiku.
“Përkundër investimeve nga mjetet e ekzekutivit, por edhe nga burimet e jashtme, në këtë pjesë të vendit dominojnë pikëpamje destruktive politike dhe ato janë pengesë e madhe për të krijuar progres për qytetarët lokalë”, thotë Sadiku.
Ku dhe sa është investuar?
Bordi menaxhues i Fondit Zhvillimor të Mirëbesimit përbehet nga përfaqësues të BE-së, përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe përfaqësues të komunave veriore.Nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë se nga vlera e përgjithshme e Fondit, prej mbi 14 milionë eurosh, mbi 6.9 milionë euro janë shpenzuar për projekte në komunën e Mitrovicës së Veriut, mbi 3 milionë euro në komunën e Zveçanit, mbi 2.5 milionë euro në komunën e Zubin Potokut dhe mbi 2 milionë euro në komunën e Leposaviqit.
Investimet, sipas BE-së, përfshijnë ndërtim dhe riparim të infrastrukturës rrugore, ndërtim të objekteve kulturore, sportive dhe rekreative, mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, blerje të pajisjeve mjekësore e të tjera.
Përveç mjeteve nga Fondi Zhvillimor i Mirëbesimit për këto komuna, edhe Qeveria e Kosovës ka ndarë mbi 16 milionë euro për projekte nga buxheti i sivjetmë.