“Vala e dhunës është … e paprecedentë në Suedi, por është gjithashtu e paprecedentë në Evropë, asnjë vend tjetër nuk ka një situatë të tillë si ne,” tha kryeministri suedez Ulf Kristerson në një konferencë për shtyp të premten.
Të shtënat me armë janë bërë një dukuri pothuajse e përditshme në Suedi. Shtatori është muaji më vdekjeprurës që nga dhjetori 2019 – 12 persona humbën jetën. Ja bilanci i dhunës vetëm këtë javë:
Mbrëmjen e së mërkurës, në periferi të Stokholmit, një 18-vjeçar u qëllua me armë zjarri në terrenet sportive – ndërsa fëmijët po stërviteshin.
Disa orë më vonë, një person u vra dhe një tjetër u plagos në një të shtëna në Jordbro, në jug të Stokholmit.
Të enjten herët në mëngjes, një grua e re u vra në një shpërthim në Uppsala. Shpërthimi dëmtoi pesë shtëpi dhe u regjistrua 20 kilometra larg. Policia e ka cilësuar si vrasje. Sipas mediave, gruaja e vrarë me gjasë nuk ka qenë objektiv.
Bandat kërcënojnë sigurinë e Suedisë
Katër persona janë arrestuar në lidhje me të shtënat në Jordbro dhe dy persona janë arrestuar në lidhje me shpërthimin në Uppsala, sipas raporteve të policisë. Nuk dihet nëse krimet kanë lidhje. Sipas raportimeve të mediave, të paktën dy nga tre incidentet kishin të bënin me një konflikt mes bandave kriminale.
Të dhënat e policisë tregojnë se në nëntë muajt e parë të këtij viti kanë humbur jetën 42 persona, ndërsa vitin e kaluar nga dhuna 62 persona. Pjesa më e madhe e dhunës shkaktohet nga bandat kriminale dhe shpesh autorët janë adoleshentë.
Shefi i policisë suedeze Anders Tornberg tha se lufta e bandave ka kërcënuar sigurinë e vendit. Është vlerësuar se ka deri në 30,000 anëtarë të bandës në të gjithë Suedinë – me një popullsi prej vetëm rreth dhjetë milionë.
Bëhet fjalë për drogë, armë, por edhe vrasje nderi, shantazhe, hakmarrje. Në fokus janë dy banda të drejtuara nga një shtetas turko-suedez me banim në Turqi dhe ish-miku i tij. Bandat e sulmeve dhe vrasjeve shpesh rekrutojnë të mitur nga lagjet e emigrantëve.
Jo vetëm viktimat, por edhe autorët po bëhen më të rinj, thotë Anders Tornberg. “Kriminelët janë të paskrupullt. Ata punësojnë autorë, në shumë raste të rinj, të cilët i armatosin dhe u japin adresat e viktimave”. Të rinjtë po e kryejnë këtë krim të rëndë. “Zhvillimi është tepër shqetësues,” thotë Thornberg. Madje ka edhe fëmijë “që vetë kontaktojnë me ata kriminelë për të kryer vrasje”.
Ushtria do të ndihmojë policinë
Kryeministri Ulf Kristerson tha pas një takimi me shefat e policisë dhe forcave të armatosura të premten se policia dhe ushtria tani kanë një mandat zyrtar për të eksploruar mënyra për të bashkëpunuar. Qeveria do të shqyrtojë gjithashtu ndryshimin e ligjit për të zgjeruar rrethanat në të cilat policia mund të kërkojë ndihmë ushtarake, pa dhënë detaje specifike.
Ligji suedez aktualisht ndalon ushtrinë që të ndihmojë policinë në çdo situatë ku përdorimi i forcës mund të jetë i nevojshëm – përveç në rastet e sulmeve terroriste ose të luftës.
Ministri i Drejtësisë Gunnar Strommer tha: “Ushtria duhet të ndihmojë në identifikimin e grupeve kriminale, të merret me materiale shpërthyese, të kryejë hetime teknike ose të ofrojë ndihmë me helikopter.” Bëhet fjalë për pajisjen e policisë me personel dhe pajisje, specialistë dhe kapacitete analitike”. Të gjitha sa më sipër tashmë mund të funksionojnë sipas ligjeve aktuale.
Edhe vendet fqinje duan të ndihmojnë
Kryeministri Kristerson tha gjithashtu se qeveria e tij ka marrë oferta ndihme nga i gjithë rajoni nordik, duke shtuar se kolegët e tij në Norvegji, Finlandë dhe Danimarkë nuk duan që “krimet e bandave suedeze të qortohen” edhe në vendet e tyre.
Problemi i grupeve kriminale ka pllakosur prej kohësh Suedinë. Qeveritë e ndryshme të vendit kanë rritur fondet për policinë dhe sistemin e drejtësisë penale dhe kanë ashpërsuar dënimet për krimet e dhunshme, por deri më tani efekti i këtyre masave ka qenë i papërfillshëm.
Qeveria e qendrës së djathtë e Christerson mori detyrën vitin e kaluar duke premtuar se do të ashpërsohej me krimin e bandave. Ai akuzoi qeverinë e mëparshme të majtë se ishte përgjegjëse për situatën me “politikën e papërgjegjshme të migracionit dhe integrimin e dështuar”.
Por edhe qeveria e Christerson nuk ka arritur ende ta vërë situatën nën kontroll. Të enjten kryeministri njoftoi se do të ndryshojë edhe ligjin penal që policia të ketë më shumë të drejta, kriminelët të vuajnë më shumë burgim dhe dëshmitarët të kenë më shumë mbrojtje.
Ligjet suedeze nuk ishin krijuar për t’u marrë me luftërat e bandave dhe fëmijët ushtarë,” tha ai. Qeveria e tij tani po e ndryshon këtë, si në politikën e migracionit dhe krimit.
“Ne do t’i gjuajmë ato banda dhe do t’i mposhtim”, premtoi sërish kryeministri suedez, raporton DW .