Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, lidhur me kërkesat e NjSI-së është shprehur se nevojat, jo vetëm dëshirat, janë përherë e shumë herë më të thjeshta se zgjidhjet. Ai, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditura të dhënat për ngritjen e mesatarës së pagës mesatare në Kosovë, ku sipas tij, paga mesatare në sektorin privat është 470 euro, ndërkaq në atë publik është 700 euro, derisa të punësuar në sektorin privat janë rreth 340 mijë qytetarë, kurse në atë publik rreth 80 mijë qytetarë.
Kryeministri Kurti, më tej sqaroi ngritjen e pagës në sektorin e sigurisë, më konkretisht në Policinë e Kosovës, veçmas njësive elitare.
“Secili pjesëtar i NjSI-së ka pajisje në vlerë prej afër 10 mijë euro. Të ardhurat mesatare të shumicës dërrmuese të pjesëtarëve të kësaj njësie elitare sivjet shkuan mbi 2.200 euro në muaj (paga bazë plus shtesat). Tash do ta kenë edhe shtesën e rrezikshmërisë prej 150 euro në muaj, përderisa vazhdon kjo situatë në veri të vendit e që është niveli më i lartë i kësaj shtese. Në fund të muajit nëntor i bie që përveç pagës së rritur, secili prej tyre do të marrë edhe shumën neto prej 1.350 euro retroaktivisht (shtesa e rrezikshmërisë shkurt-nëntor 2023)”, ka shkruar Kurti.
Tutje, kryeministri i vendit tha se nevojat, jo vetëm dëshirat, janë përherë më të thjeshta se zgjidhjet.
“Jetojmë në Kosovë, ku BPV për kokë banori në muaj është rreth 460 euro. E sivjet, 2.134 policë të Kosovës, apo gati 27% morën më shumë se 1.000 euro në muaj mesatarisht. Janë 203 policë të Kosovës që sivjet patën të ardhura më të larta sesa Presidentja e Republikës (1.890 euro bruto, koeficienti 18), e në muajt qershor e korrik ishin afër 700 sosh (ku sigurisht bëjnë pjesë shumica absolute e pjesëtarëve të NjSI)”, ka shkruar në fund kryeministri Kurti. /Kosovatimes/