Shkruan: Florim ZEQA
E quajta kështu seancën e fundit në Kuvendin e Kosovës tre ditë pas ‘Natës së Shtrigave’ apo “Halloween”-it të shteteve perëndimore, duke ju sqaruar të gjithëve, se emërtimi i mësipërm nuk ka të bëjë fare me gjininë femërore në Kuvendin e Republikës së Kosovës, i cili ngjau në gjithçka tjetër, por jo në Parlament të një shteti demokratik.
Inate politike, ndarje dhe përçarje qytetare!
Gjuha jo parlamentare, fyese dhe denigruese e shumicës së deputetëve të pozitës dhe opozitës në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës e krijuan përshtypjen e një shoqërie mesjetare, ku secili grupim parlamentar e lëvdonte fisin (partinë) e vet, duke poshtëruar dhe fyer fisin tjetër sikurse në kohën e fiseve dhe bajraqeve mesjetare!
Është shumë e vështirë të gjendet përkufizimi adekuat i kësaj legjislature të Kuvendit, të degraduar në parime demokratike dhe vlera njerëzore, por akoma më shumë të bastarduar në kulturë politike.
Sharje dhe fyerje, mungesë respekti dhe inate politike, të cilat u shfaqen në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës, saqë është e vështirë të zgjidhet, se cili ishte më vulgari dhe më i pacipi, më shtrigani dhe më qyqari prej deputetëve.
Mbase, më të ndershmit mbeten ata që heshtën dhe nuk e morën fare fjalën, pasi secili deputet që e merrte fjalën shpërfaqej më i zi se tjetri.
Të njëjtë në diskutime ishin pozita dhe opozita! Merre njërën e mshoj tjetrës dhe anasjelltas, pa fije turpi dhe pa ju skuqur fytyra gënjenin ashiqare, shtirreshin kinse e kanë hallin e shtetit dhe të qytetarëve!
Si gjithnjë me kauza të rrejshme, pozita dhe opozita e përdorën Asociacionin (“Zajednicën”) për mbajtjen dhe marrjen e pushtetit, duke i ndarë dhe përçarë akoma më shumë qytetarët e vendit.
Rreziku i futjes nën thundrën e pushtuesve
Na doli të jetë e vërtetë thënia; “Në mesin e të verbërve njeriu me një sy bëhet mbret”. Kjo po vërtetohet në ditët e sotme, kur gjysmë intelektualët në mesin e injorantëve po bëhen të madhërishëm pa i njohur “Katundi” i vet!
Nuk ka gjë më tragjike për një shtet dhe për një komb sesa kur gënjeshtra dhe mashtrimi bëhen standard i jetës. Kosova e pasluftës është bërë hapësirë e lirë e zhvillimit të të gjitha veprimtarive të paligjshme, është bërë poligon i gënjeshtrave dhe mashtrimeve, i hajnisë dhe korrupsionit, i nepotizmit dhe krimit të organizuar!
Në një vend ku dominon gënjeshtra dhe mashtrimi, thënia e vërtetës konsiderohet akt revolucionar, mediat futen nën grilat e pushtetit. Mungesa e perspektivës zhvillimore dhe mungesa e guximit për thënien e të vërtetës nga intelektualët, ka bërë që shumica e popullatës ta ndajnë mendjen për ikur nga vendi i tyre.
Në një shoqëri ku dominojnë dukuritë e shumta negative, ku politikën e dominojnë banditët dhe gorillat e natës, rrugët e ecjes përpara bëhen gjithnjë e më të vështira, për shkak të frikës dhe pasigurisë për të ardhmen.
Për politikanët sadist dhe gjakftohtë, ikja e qytetarëve nga vendi nuk paraqet asnjë lloj shqetësimi. Sikur të ishte ndryshe do të organizonin fushata vetëdijesuese dhe do të krijonin kushte të volitshme për qytetarët, për kthimin e besimit për jetë në atdheun e tyre.
Mjegulla dhe errësira e krijuar në Kosovë nuk është e këtyre ditëve, ajo ekziston prej dekadash. Kjo mund të hiqet kur shumica e qytetarëve mendojnë pozitivisht dhe lëvizin fuqishëm përpara në bërjen e ndryshime pozitive.
E vetmja gjë pozitive në Kosovën e pasluftës është që shqiptarët e robëruar ndër shekuj nuk janë më nën thundrën e çizmes së pushtuesve serb, por jo edhe të liruar plotësisht nga vargonjtë serbosllav. Por, nëse nuk vetëdijesohemi, rrezikojmë të futemi sërish nën thundrën e pushtuesve.
Përdorimi i barbarizmave (fjalëve të huaja) në fjalorin parlamentar nga ana e disa deputetëve, si p.sh. “Ambiguitet” (paqartësi), “Soluzion” (zgjidhje), “Incentivo” (stimulim), etj., bëhet kinse për të dëshmuar se janë më të ‘knuar’ dhe më të mençur sesa të tjerët, por në fakt është e kundërta, pasi, “Halloween”- et e politikës i përdorin fjalët e huaja pa ua ditur fare kuptimin.
E meqë është kështu, si do t’i marrin vesh qytetarët fjalimet e atyre që nuk dinë çka lexojnë në referatet e përgatitura nga padronët partiakë!
Për dallim nga shtrigat mitologjike, këta shtriganët e ditëve të sotme, po e gëlltisin të sotmen dhe vranë të ardhmen e shumë gjeneratave në Kosovë dhe trojet tjera etnike. Vallë a do të vije ndonjëherë dita kur do të pastrohet skena politike nga shtriganët dhe mercenarët, nga pa kurrizorët dhe mashtruesit ordinerë?!