Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në tryezën me temë ‘’Agjenda Evropiane 2022’’.
Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Bislimi u fokusua mbi të arriturat e evidentuara në raportin për vendin 2022 të Komisionit Evropian. Analizën e tij, e argumentoi duke shtruar disa alternativa në mënyrën se si mund të matet raporti për vendin. E para, mund ta matim nga ana historike, zbatimin dhe implementimin e reformave të agjendës evropiane, ku synimi ynë është ta përmirësojmë trendin dhe të ndikojmë pozitivisht për një raport më të mirë se periudhat paraprake. E dyta është këndvështrimi në rajon, ku duhet të shohim nëse po ecim me ritëm më të shpejtë apo më të ngadalësuar dhe qëllimi ka qenë që raporti për vendin të konstatojë se Kosova e ka ritmin më të shpejtë se vendet e tjera që janë në një stad më të avancuar në proceset e integrimit evropian. Ne kemi mundësinë dhe vullnetin që të shënojmë progres më të shpejtë.
Alternativa e tretë, është ajo ‘’vis a vis’’ planit të qeverisë, për shembull sa hapa Qeveria i ka bërë drejt zbatimit të reformave, dhe këtë frymë e vërejmë herë pas here edhe në mënyrën se si BE e ka vlerësuar raportin për vendin. Opsioni i katërt është matja reale në raport me vizionin e Qeverisë, për të konstatuar sa avancim është bërë në krahasim me pritshmëritë dhe objektivat e Qeverisë, pra sa është zvogëluar distanca mes aty ku ndodhemi dhe vizionit qe e kemi për më tej.
U potencua se raporti fillon me theksimin e stabilitetit politik. Është dyfish më i rëndësishëm krahasimi i planit operativ, kur vendi përballet me sfida si pandemia, kriza energjetike dhe inflacioni. Raporti tregon se Qeveria është gjetur e përgatitur për të përballuar më së miri situatat të cilat kanë ardhur si ndikim nga jashtë, siç është rasti i agresionit rus dhe luftës në Ukrainë. Raporti tregon edhe se Qeveria ka pasur qasje të mirë dhe ka treguar maturitet fiskal në këto periudha, për t’i rezistuar masave populiste, ku raporti i Komisionit Evropian evidenton si shembull rastin e tërheqjes së trustit.
Për herë të parë, raporti për vendin është konservativ për ndërhyrjet politike, pra nuk ka vlerësim ku thuhet që ka ndërhyrje apo vullnet për ndërhyrje politike në institucionet publike. Në 1 vit, Qeveria i ka dhënë zgjidhje problemeve që kanë ekzistuar për vite me radhë dhe që kanë qenë kërkesa të vetë BE. Terminali doganor, ligji për financimin e partive politike, racionalizimi i agjencive janë vetëm disa prej shembujve të shumtë. Gjithashtu, përveç hartimit të strategjive, është vlerësuar puna në kriteret ekonomike si rimëkëmbja, formalizimi i vendeve të punës si dhe ulja e deficitit. E kemi cekur edhe shumë më herët rritjen prej 10.7%, të dokumentuar publikisht, po ashtu dhe rritjen e vendeve të punës, pjesë të publikimit të statistikave, shifrave që ekzistojnë dhe janë të qasshme dhe për publikun. Tek sundimi i ligjit, zëvendëskryeministri tha se në rrugëtimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jenë fusha kyçe ku vlerësohemi për maturitetin evropian.
Kjo tryezë, u organizua nga instituti ‘’Epik’’ dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ). Pjesëmarrës të eventit ishin edhe Ambasadori i Gjermanisë, Jörn Rohde, Ambasadori i Republikës së Çekisë, Pavel Bilek, përfaqësues të zyrës së BE-së në Kosovë, anëtarë të komisionit parlamentar për Integrim Evropian dhe pjesëmarrës nga shoqëria civile. /Kosovatimes/