Prokuroria e Kosovës, në bashkërendim me Policinë kanë bërë të ditur se po i kryejnë hetimet lidhur rënien e kulmit të objektit të ri të Komunës së Prishtinës që la të lënduar rëndë një 23-vjeçare duke e kategorizuar si vepër penale e Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm. Ndërkohë, nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës kanë deklaruar për RTK-në se shpejtësia e erës, e regjistruar dje, ka qenë mesatarisht e fortë por që nuk mund të shkaktojë dëme.
Ndërkohë 23 vjeçja e cila mbeti e lënduar rëndë, po e vazhdon trajtimin në QKUK.
“Jemi ne fazën kur jemi duke tentuar ta stabilizojmë gjendjen e përgjithshme të saj dhe të minimizojmë pasojat e lëndimit që pacientja të jetë sa me stabile sa i përket parametrave vitale të saj”, tha Shaqir Uka, shef i Intensives.
Gjatë së premtes kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë vizituar QKUK-në ku po trajtohet 23 vjeçja.
“Mësuam nga mjekët që zonja Ujkani ka pasur shumë fat sepse ka mundur të vdes në vend. Mjekët po bëjnë gjithçka që ta përcjellin gjendjen e saj. Takuam edhe deputeten Fjolla Ujkanin, motrën e saj dhe jemi të sigurt që pacientja është në vendin e duhur dhe me mjekët e duhur”, tha kryeministri Albin Kurti.
Nga Komuna e Prishtinës thonë se i kanë ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë porse rastin ua kanë lënë organeve kompetente.
“Organet e hetuesisë, prokuroria dhe policia janë duke kryer punën e vet dhe nga aspekti i drejtorisë së sigurisë dhe emergjencave, kemi filluar t’i sanojmë dëmet në ndërtesë”, tha Lulzim Fushtica, drejtor për Siguri dhe Emergjenca.
Nga Prokuroria e Kosovës në një përgjigje me shkrim deklaruan se organet kompetente kanë iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Ndaj Prokuroria në bashkërendim me policinë, po i kryejnë hetimet lidhur me këtë rast dhe, varësisht nga të gjeturat, do ta trajtojë tutje këtë çështje, sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Derisa hetimet po vazhdojnë dhe nga dyshimet e para u tha se kulmi ra nga era, Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik, për RTK-njoftoi se dje stacioni meteorologjik regjistroi shpejtësinë maksimale të erës 9.8m/s.
Sipas Institutit, ky stacioni regjistron shpejtësitë çdo 5minuta gjë që lë të nënkuptojë se brenda këtij intervali mund të ndodhë ndonjë shpejtësi më e madhe dhe stacioni nuk e regjistron. Por shpejtësia e erës e regjistruar dje me 9.8m/s, i përgjigjet shkalles së Boforit 5 që d.m.th. erë mesatarisht e fortë që nuk mund të shkaktojë kurrfarë dëme.
Sidoqoftë, nga ky Institut apelohet që ky rast të jetë një mesazh i radhës për politikëbërësit që t’i kushtojnë një rëndësi të veçantë këtij sektori.