Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që Salih Mustafa të dënohet me 35 vite burgim.
Prokurori Cezary Michalczuk tha se për ndalim arbitrar kërkojnë 10 vite burgim, për trajtim mizor 20 vite burgim, për torturë 25 vite burgim dhe vrasje 33 vite burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Rregulla 164 kërkon nga paneli të japë dënim të vetëm që të pasqyrojë tërësinë e sjelljes kriminale të të akuzuarit, varet nga paneli të dënojë të akuzuarin sipas dënimeve që parashikohen apo me dënim më të lartë se ai që paraqitet në lidhje me çdo pikë të veçantë. Për këtë arsye, ZPS kërkon t’í jepet dënim prej 35 vitesh burg”, tha ai.
Prokurori Cezary Michalczuk ka thënë se katër ditë pasi Salih Mustafa mori ftesë për t’u intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), bashkëpunëtori i Mustafës i dërgoi një komunikim përmes celularit, ku ishte emri dhe mbiemri i dëshmitarit 3593. Sipas prokurorit, bashkëpunëtori dhe i akuzuari e dinin se ky dëshmitar ishte viktimë në Zllash.
Paraprakisht, para kësaj deklarate të prokurorit, pas një pauze të shkurtë, prokurorja Silvia D’Ascoli vazhdoi fjalën e saj, ku tha se viktimat kanë shpjeguar në mënyrë të ngjashme tipin dhe mënyrën e keqtrajtimit që ka marrë viktima që është vrarë dhe gjendjen e tmerrshme që e kanë mbajtur.
Sipas saj, kanë dhënë edhe dëshmitë të ngjashme për mjetet që janë përdorur për t’i keqtrajtuar.
Ajo tha se dy viktima kanë identifikuar një njeri me emrin Tabuti, si dhe njëri ka përmendur edhe personin e njohur si Vdekja, si dhe Dardanin e Bimin, që ishin anëtarë të BIA-së.
Prokurorja tha se tre dëshmitarë kanë bërë përshkrime pothuajse identike të momentit të lirimit nga kompleksi i Zllashit, ku kanë konfirmuar rendin si janë liruar dhe se faktin se një njeri dhe viktima e vrasjes ishin ata që nuk janë liruar.
Ajo tha se në shumë pika viktimat mbështesin njëri-tjetrin.
“Jo vetëm rrëfimet e viktimave e kanë mbështetur njëri-tjetrin, por dëshmitë e tyre janë mbështetur nga dëshmitë e dëshmitarëve të tjerë në këtë çështje dhe dëshmi dokumentare”, tha prokurorja.
Ajo tha se e di që Skifterët ishte një emër tjetër për njësitin e BIA-së dhe vetëm disa orë pas lirimit, viktimat thanë kush mbante përgjegjësi për lirimin dhe abuzimin e tyre dhe se kjo është një provë e fuqishme e dëshmisë së viktimave dhe përgjegjësisë të së akuzuarit për atë që iu kishte ndodhur atyre.
Lidhur me një dokument që u shfaq në sallë, u tha se është dokument në gjuhën shqipe dhe ka listën e emrave të personave të burgosur në Zllash, ku përfshihet edhe viktima e vrasjes.
“Ky dokument tregon datën e arrestimit që është në përputhje me atë që kanë deklaruar viktimat si dhe të dhënat e tjera personale, përfshirë emrat e baballarëve, vendin, datat e lindjes dhe vendin e banimit. Përveç emrave të viktimave, lista provon edhe aspekte të tjerë që kemi dëgjuar nga dëshmitarët, përfshihen emrat e rreth 19 të paraburgosurve që përputhet çka ka thënë W0953, që ka thënë se UÇK sillnin njerëz çdo natë në atë dhomë”, tha D’Ascoli.
Sipas saj, dokumenti përfshin atë që duket si shënime të marra nga marrja në pyetje e një dëshmitari, që provon faktin se dëshmitari siç ka dhënë dëshmi, që ka takuar një numër personash dhe diskutuar një numër çështjes që shfaqen në ekran.
Ajo tha se në dokument, përfshihet lista e dëshmitarëve dhe tregon një nivel të lartë të dëshmisë provuese që kanë dhënë dëshmitarët e kësaj çështje dhe u tha se hollësitë që përmban dokumente do mund të përpiloheshin vetëm nga personat që kanë mbajtur viktimat.
Kurse, tha se viktimat vetëm njëherë kanë qëndruar në grup dhe atë në Zllash, dhe se lista mund të ishte krijuar vetëm në atë kohë.
Në anën tjetër, prokurori Cezary Michalczuk, tha se përgjegjësia e të akuzuarit për krimet e ngarkuara provohet nga dëshmia e viktimave, dëshmi të cilat provohen nga disa grupe të tjera të dëshmive.
“Së pari konfirmohen nga vet ajo që ka pranuar i akuzuari, nga dëshmia e secilit prej viktimave që ka provuar dëshmitë e viktimave tjera, dëshmia e dëshmitarëve të tjerë, përfshirë të palës mbrojtëse. E katërta janë konfirmuar nga dëshmitë dokumentare dhe së fundi janë konfirmuar nga sjellja e të akuzuarit gjatë hetimeve”, tha ai.
Prokurori ka deklaruar se njëri dëshmitar ka treguar të njëjtën dëshmi nga fillimi dhe edhe në një ambient të frikësimit të dëshmitarëve, ka përmendur të akuzuarin që në fillim dhe nuk e ka zbukuruar dëshminë që ka dhënë e pasuruar me kalimin e kohës.
Sipas tij, ai ka dhënë dëshmi se i akuzuari ka marrë pjesë në rrahjen e tij vetëm njëherë.
“Dëshmitari 1679 ka dëshmuar se komandanti Cali nuk ishte i pranishëm gjatë gjithë seancave të rrahjeve”, tha ai, duke shtuar se kishte thënë se ushtarët tjerë i kishin thënë se po e dërgonin të fliste me komandantin dhe se vetë ai i ishte prezantuar si komandant Cali dhe se në dhomën ku e kanë rrahur ka dëgjuar të tjerët duke e thirrur si “komandant Cali”.
Prokurori tha se dëshmitari kishte thënë se të tjerët i kishin thënë të akuzuarit “Çka të bëjmë Cali, çka duhet të bëjmë?”.
Sipas tij, ky dëshmitar konfirmoi se viktima e vrasjes e ka ditur kush është Cali dhe se ky dëshmitar e ka identifikuar Calin në dy fotografi në gjykim.
“Ai nuk e ka zbukuruar, nuk ka thënë se i akuzuari ka marrë pjesë në të gjitha rrahjet, mund ta kishte bërë këtë nëse kishte sajuar siç pretendon pala mbrojtëse”, deklaroi prokurori.
Ai tha se është e vërtetë që ka pasur gjëra që nuk i janë kujtuar dhe se është normale për një dëshmitar kur flet për ngjarje që kanë ndodhur 20 vite më parë.
Sipas prokurorit, dëshmitari 1679 e ka njohur menjëherë personin Bimi kur u shfaq në ekran, kur po ndiqte procedurat në ekran dhe kjo konfirmohet nga një mesazh me tekst që është pranuar si dëshmi, ku thuhet se e ka njohur Bimin si person që e ka keqtrajtuar në Zllash dhe se është dërguar mesazhi para se Brahim Mehmetaj të thoshte se nofka e tij ishte Bimi.
Dëshmitari tjetër, sipas tij, e ka parë të akuzuarin për herë të parë në Zllash tre herë.
“Gjatë rrahjes së parë, 3593 i ka ngritur sytë lart njëherë dhe ka parë të akuzuarin me kapelë të kuqe, edhe po të ishte errësirë do të shihte të akuzuarin nga drita e elektrikut dhe ka parë që i akuzuari kishte në kokë beretën e kuqe dhe në atë rast i akuzuari nuk ka pasur maskë. Ajo që ka bërë që 3593 të mbante mend të akuzuarin ishte përvoja e tmerrshme kur i akuzuari ia ka vënë në kokë pistoletën dhe ka tërhequr këmbëzën. Dëshmitari e ka përshkruar atë moment si tmerrues”, tha ai.
Sipas tij, gjatë rrahjes së dytë të këtij dëshmitarit, i është hequr thesi nga koka dhe ka parë qartë të akuzuarin, ku kishte veshur uniformë dhe kishte kapelën e kuqe dhe ishte i vetmi që ka rrahur dëshmitarin me një shkop bejsbolli dhe ka dëgjuar nofkën e të akuzuarit “Cali” njëherë kur e kanë dërguar para të akuzuarit.
“Dëshmitari më pas ka dëgjuar qartë se i akuzuari quhej komandant dhe e ka konfirmuar se i akuzuari ishte komandant në Zllash një muaj pas lirimit të tij pas bisedave me ushtarë të UÇK-së”, tha ai, duke shtuar se ky dëshmitar nuk ka arsye të gënjejë dhe se nuk e njeh të akuzuarin.
Sipas prokurorit, as ky dëshmitar nuk ka pasur zbukurime në deklaratën e tij.
Prokurori Michalczuk bëri të ditur se njëri nga dëshmitarët në deklaratën dhënë për UNMIK nuk kishte përmendur emrin e të akuzuarit ishte pasi nuk u besonte institucioneve.
Sipas tij, ky dëshmitar duhet të gëzojë kredibilitet te trupi gjykues.
“Edhe sot pas 23 vitesh kur ai dëshmoi në këtë gjykatë para panelit të DhSK-së, frika e dëshmitarit ishte ende e pranishme, refuzimi i vazhdueshëm për të përmendur emrin, mbiemrin, nofkën e të akuzuarit edhe kur vizatimi i tij u tregua me emrin Cali, ai vazhdoi të refuzonte se emri Cali ishte shkruar aty, ai tha “nuk e di, nuk e mbaj mend”. Kur prokurori që po bënte pyetjet ia tregoi dy herë, ai tha “po e kuptoj, është emri i të akuzuarit, nuk dua t’ia përmend emrin dhe nuk dua t’ia përmend emrin sa të jem gjallë”, tha ai.
Lidhur me këtë dëshmitar, tha se duhet marrë parasysh sjelljet e të akuzuarit gjatë hetimeve që tregon fuqimisht përfshirjen e tij në krimet që akuzoheshin dhe emri i dëshmitarit 3593 dilte në një mesazh të një bashkëpunëtori të vet dhe kjo ndodhi pak kohë pasi Mustafa u thirr për intervistë nga ZPS.
“Tregon se i akuzuari e dinte se 3593 ishte dëshmitar i mundshëm kundër tij në atë kohë dhe është e rëndësishme sepse dëshmitari e dinte se 3593 ishte ndaluar dhe abuzuar në qendrën në Zllash”, ka thënë ai.
Sipas prokurorit, i akuzuari mori ftesë për t’u paraqitur në intervistë në cilësi të dyshuarit, katër ditë më pas, bashkëpunëtori i të akuzuarit i dërgoi një komunikim me celular, ku ishte emri dhe mbiemri i dëshmitarit 3593.
“3593 dhe i akuzuari nuk kishin pas kontakt pas lufte dhe nuk kishte lidhje mes tyre përveç burgosjes dhe torturave që 3593 ju nënshtrua”, tha ai, duke shtuar se fshehurazi i njëjti ishte intervistuar disa ditë para dhe i akuzuari nuk kishte si të dinte për këtë intervistë.
Prokurori tha se bashkëpunëtori dhe i akuzuari e dinin se ky dëshmitar ishte viktimë në Zllash.
Sipas prokurorit, i akuzuari ishte në kontakt të vazhdueshëm me shokët e tij të BIA-së, ku Kujtim Qerimi, i njohur me nofkën Dardani, e ka informuar në kohë reale për këtë çështje, ku dytë shkëmbenin mesazhe me njëri–tjetrin lidhur me Brahim Mehmetajn me nofkën Bimi, që sapo ishte ftuar nga ZPS dhe donin të takoheshin me të para se ai të shkonte në Hagë, ku sipas prokurorit, ashtu kishin bërë për të koordinuar dëshmitë dhe penguar punën e ZPS-së.
Po ashtu, prokurori tha se pas intervistës së Agron Xhemajlit, i akuzuari dhe Kujtim Qerimi folën përsëri, ku Qerimi ka thënë “ ka mënyra për ta trajtuar këtë punë, për ta zgjidhur këtë punë”.
“Sjellja e zotit Mustafa gjatë hetimit tregon se ishte i vetëdijshëm për fajësinë e tij dhe provat që e implikonin atë në krimet e kryera”, ka thënë prokurori.
Prokurori tha se provat e mbrojtjes nuk mbulojnë që Salih Mustafa nuk ishte në Zllash në kohën e pretenduar nga prokuroria.
Ndërkaq, ky prokuror tha se dëshmia e dëshmitarit të mbrojtjes, Fatmir Humolli, që është deputet nga radhët e VV-së, nuk mund të konsiderohet kredibile dhe objektive, këtu duke përmendur faktin se është shok i të akuzuarit dhe duke përmendur deklaratat e tij kundër gjykatës.
Edhe për dëshmitarin Gani Sopi, prokurori i potencoi gjykatës se i njëjti ka mbesë bashkëshorten e të akuzuarit dhe se kishte shoqëri me të akuzuarin.
Për Jakup Ismailin, prokurori i kërkoi gjykatës të kishte parasysh problemet e tij me kujtesë, të cilat sipas tij, i njëjti i ka potencuar vetë gjatë gjykimit.
Më pas, ai diskutoi për dëshmitarë të tjerë të mbrojtjes dhe argumentoi se pse sipas tij pjesë të dëshmisë së tyre ishin kontestuese dhe nuk duhej të gëzonin besimin e trupit gjykues.
Ai tha se dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja nuk cënojnë në asnjë mënyrë dëshmitë dhe provat e shumta që viktimat u dërguan në Zllash, u ndaluan, abuzuan dhe se njëra nga viktimat u vra.
“Duke pasur parasysh rolin e Salih Mustafës në Zllash, komandën e tij mbi BIA-n dhe kompleksin në Zllash, provon që ka pasur të ndaluar dhe me këta të ndaluar është abuzuar ndërkohë që përgjegjësia bie mbi të akuzuarin, ai ishte aty, ishte komandant i BIA-së, personi që jepte komandat”, tha prokurori, kur tha se është e thjesht përgjigja se pse mbrojtja mohon se kishte njerëz të ndaluar në Zllash.