Amanda Toska ka tri diploma universitare, por jo edhe punën që kërkon në institucionet shtetërore.
Kjo 32-vjeçare nga Prishtina i takon komunitetit rom; ka dy diploma “bachelor” – një në Administrim Biznesi, një në Edukim; ka një “master” në Menaxhim të Sektorit të Arsimit dhe po ndjek studimet për një tjetër “master” në Edukimin Inkluziv.
Amanda thotë se ka aplikuar katër herë për pozita të ndryshme pune në institucionet shtetërore të Kosovës, por pa sukses.
“Unë dyshoj se mospranimi në punë ka ndodhur për faktin se i përkas komunitetit rom, sepse unë gjithmonë kam aplikuar në pozita për të cilat jam e kualifikuar”, thotë Amanda për Radion Evropa e Lirë.
Dy nga institucionet ku thotë se ajo ka aplikuar, janë: Radio Televizioni i Kosovës (RTK) dhe Ministria e Shëndetësisë e Kosovës.
Në interesimin e Radios Evropa e Lirë se përse Amanda nuk u pranua në punë, ministria nuk u përgjigj, ndërsa nga RTK-ja thanë shkurtimisht se “procesi i zgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së bëhet nga Kuvendi i Kosovës”.
Amanda është angazhuar së voni në organizatën joqeveritare “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve”, e cila mbështet komunitetet e margjinalizuara etnike.
Thotë se as katër motrat dhe vëllai i saj – që të gjithë të diplomuar në fakultete të ndryshme – nuk punojnë në institucione të shtetit.
“Diskriminimi [në punësim] bëhet në zbatimin e kritereve, kur kërkohet përvoja e punës… Të rinjtë e këtyre komuniteteve nuk kanë përvojë pune. Ku të fitohet përvoja kur nuk jepet mundësia për punë”, thotë Amanda – e vendosur për të mos hequr dorë nga përpjekjet e saj për punësim.
Punësim i papërfillshëm
Me Ligjin për shërbim civil në Kosovë, 10 për qind e vendeve të punës në institucionet publike qendrore duhet të plotësohen nga pjesëtarë të komuniteteve, ndërsa në nivelin komunal, plotësimi i vendeve të punës nga komunitetet bëhet në pajtim me përqindjen e popullatës në atë komunë.
Në sektorin publik të Kosovës janë të punësuar mbi 80.000 persona. Të dhënat e organizatës “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve” tregojnë se 113 prej tyre u përkasin këtyre tri komuniteteve.
Ndërkaq, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, në administratën shtetërore punojnë mbi 13.000 njerëz – prej tyre 36 të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Në Kosovë llogaritet se jetojnë rreth 40.000 qytetarë të këtyre komuniteteve.
Përfaqësues të organizatave joqeveritare thonë se ata nuk përfillen dhe se numri i vogël i të punësuarave ndikon edhe në gjendjen e tyre sociale.
Bashkim Ibishi, drejtor i organizatës “Advancing Together’’, e cila ka për qëllim integrimin e komuniteteve në Kosovë, pohon se diskriminimi është arsyeja kryesore e mospunësimit të qytetarëve romë, ashkalinj dhe egjiptianë.
“Arsyetimi i mëhershëm i Qeverisë se nuk ka kuadro të kualifikuara, nuk qëndron më. Ka plot djem dhe vajza konkurrues në treg. Por, për fat të keq, nuk ka mirëkuptim nga Qeveria për t’i angazhuar në institucione publike”, thotë Ibishi për Radion Evropa e Lirë.
Ibishi, vetë pjesëtar i komunitetit rom, thotë se djali i tij ka të përfunduar nivelin “master” në Shkencat Diplomatike dhe se gjashtë herë ka aplikuar në konkurse të Ministrisë së Jashtme të Kosovës, por, sipas tij, ai nuk është ftuar asnjëherë as në intervistë.
Ibishi thotë se organizatat joqeveritare janë punëdhënësi i vetëm për të rinjtë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
Përfaqësues të institucioneve të Kosovës pranojnë se kuota e punësimit të pakicave nuk është e përmbushur, por thonë se janë duke punuar për të përmirësuar gjendjen.
Sipas të dhënave të Zyrës për çështje të komuniteteve në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, mbi 90 për qind e pjesëtarëve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjipitan janë të papunë.
Për të përmirësuar gjendjen, zyrtarët kujtojnë se Qeveria e Kosovës, në muajin qershor, ka themeluar ekipin ndërinstitucional për, siç thuhet, nxitjen dhe promovimin e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.
“Në kuadër të këtij mekanizimi, jemi duke identifikuar profilet e edukimit, moshën, aspektin gjeografik, për të parë se ku mund t’i orientojmë dhe punësojmë këto komunitete në institucionet publike”, thotë për Radion Evropa e Lirë Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.
Ibishi, nga organizata “Advancing Together”, sugjeron masa konkrete, dedikuar vetëm këtyre komuniteteve.
“Të hapen konkurse vetëm për romët, ashkalinjtë e egjiptianët”, thotë ai.
Me Kushtetutën e Kosovës, komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian njihen si të veçanta në Kosovë dhe gëzojnë të drejtat e barabarta me të gjitha komunitetet tjera.
Sipas të dhënave nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, në Kosovë jetojnë 8.824 romë, 15.436 ashkalinj dhe 11.524 egjiptianë.
Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk ka të dhëna për nivelin e edukimit të këtyre komuniteteve.
Në Raportin e Progresit për Kosovën, të lëshuar nga Komisioni Evropian në vitin 2021, gjendja e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në vend është cilësuar si “e rëndë”.
Shqetësime për këto komunitete ka ngritur edhe organizata për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, me seli në ShBA.
Në raportin e publikuar në janar, Human Rights Watch ka thënë se “diskriminimi ndaj romëve, ashkalinjve dhe egjiptianëve në Kosovë mbetet problem”.
Në radhët e komuniteteve të tjera në Kosovë bëjnë pjesë: serbët, turqit, boshnjakët dhe goranët.
Punësimi te dy komunitetet më të mëdha – serbët dhe turqit – duket se qëndron më mirë.
Sipas të dhënave të Zyrës për çështje të komuniteteve, niveli i papunësisë midis tyre është mbi 40 për qind.