Zyrtarët kinezë thanë se janë “shumë të pakënaqur dhe kundërshtojnë fuqishëm” qëndrimin e presidentit amerikan, Joe Biden, që duket se ndryshon nga politika e gjatë amerikane mbi Tajvanin.
Biden ka paralajmëruar kundër ndonjë “sulmi të paprecedent” të Kinës ndaj Tajvanit, ishullit vetëqeverisës demokratik.
I pyetur gjatë një interviste për CBS më 18 shtator nëse forcat amerikane do ta mbronin Tajvanin në rast të një pushtimi kinez, Biden tha: “Po, në rast se ka një sulm të paprecedent”.
Presidentit amerikan iu kërkua që të sqaronte nëse kjo nënkupton që ushtarët amerikanë do të merrnin pjesë në mbrojtjen e Tajvanit dhe ai u përgjigj: “Po”.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning, tha më 19 shtator se deklaratat e Bidenit dërgojnë “sinjal të gabuar” për forcat separatiste që kërkojnë që Tajvani të pavarësohet dhe se Pekini ruan të drejtën që të ndërmarrë çdo masë të nevojshme për të luftuar separatizmin.
Kina është “jashtëzakonisht e pakënaqur dhe kundërshton fuqishëm” deklaratat dhe se ka dërguar një notë proteste, shtoi Mao Ning.
Gjatë intervistës për CBS, Biden shtoi: “Ne nuk po lëvizim, ne nuk po inkurajojmë ata që të pavarësohen… Ky është vendim që u përket atyre”.
Zyrtarët në Tajpej mirëpritën deklaratat e presidentit Biden, dhe Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit raportoi se ka detektuar disa avionë luftarakë kinezë dhe anije përreth ishullit më 19 shtator.
Dy avionë kinezë kaluan vijën që jozyrtarisht ndan dy anët e Ngushticës së Tajvanit. Gjatë javëve dhe muajve të fundit, Tajvani ka raportuar për dhjetëra raste të kalimit të kësaj vije nga avionët kinezë.
Kina pretendon se Tajvani është “provincë e saj” dhe disa herë ka thënë se mund të përdorë forcën për të marrë kontrollin e ishullit.
Uashingtoni për një kohë të gjatë ka mbajtur një pozicion “të paqartësisë strategjike” saj i përket mbrojtjes së Tajvanit dhe deklaratat e fundit të Bidenit duket se shkojnë përtej kësaj politike.