Në Tiranë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po përgatitet të ngrejë një sistem online, ku partitë politike duhet të raportojnë financat e tyre sipas modeleve uniforme, që e lehtësojnë procesin dhe qartësojnë të dhënat në kohë reale.
Sistemi që po përgatit KQZ, sipas komisionarit shtetëror, Ilirian Celibashi, që publikoi sot këtë nismë, synon të arrijë standardin ndërkombëtar të transparencës së financimeve partiake
“Mënyra se si merren deri tani raportet financiare të partive politike janë vetëm me letër. Rrallë na sjellin ndonjë material në formë elektronike. Kjo e bën tepër të vështirë analizimin e të dhënave dhe kjo me sistemin e ri do të përfundojë” – tha zoti Celibashi.
Sistemi parashikon renditjen dinamike të të dhënave që raportohen në rubrika për donacione, të ardhura dhe shpenzime, po ashtu edhe akses për të gjitha palët e interesuara, përfshirë edhe publikun, që raportet të lexohen dhe të marrin vlerësime në kohë reale.
“Shpresoj shumë që të gjeni mirëkuptimin e partive politike për këtë nismë. Ky është një presion pozitiv shumë i mirë, një metodë që më në fund do të plotësojë një standard shumë të rëndësishëm të procesit zgjedhor” – thotë Gerta Meta, drejtuese e Shoqatës për Kulturë Demokratike.
Ky proces i digjitalizimit të fondeve partiake ka siguruar edhe mbështetjen financiare nga Këshilli i Europës.
Yukihiko Hamada, menaxher i programit “Paratë në Politikë” në Institutit Ndërkombëtar IDEA, thotë se rritja e transparencës së financimeve është kërkuar nga qytetarët shqiptarë si dhe nga institucionet ndërkombëtare.
“Transparenca e kufizuar nga partitë politike në Shqipëri dhe ndikimet negative të saj janë theksuar edhe nga OSBE në zgjedhjet e 2021 në Shqipëri. Përmirësimi i transparencës mbi financimet e partive do të rritë mundësitë që edhe publiku edhe organizatat e shoqërisë civile të shqyrtojë burimet e financimeve” – thotë zoti Hamada.
Ekspertët mendojnë se, për të qartësuar nga i marrin fondet partitë politike, sa marrin dhe si i përdorin ato, si në aktivitetin e përditshëm vjetor ashtu edhe për fushatat zgjedhore, nevojiten përmirësime si në ligjin për financimin e partive politike ashtu edhe në Kodi Zgjedhor.
Më tej krahas ndryshimeve ligjore, nevojiten edhe ndryshime teknike, për të rritur në maksimum shkallën e sigurisë.
Vendosja e rregullave mbi financimin e partive politike nga palë të treta u bë sërish temë kryesore në qarqet politike të vendit javën e fundit, kur qeveria amerikane publikoi të dhëna nga një raport i komunitetit amerikan të zbulimit mbi financimet ruse në dhjetëra vende, mes të cilëve edhe Partinë Demokratike të Shqipërisë përmes kompanive fantazmë.
Përfaqësues të partive politike dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve diskutuan me shqetësim mbi lidhur me financimet ruse në politikën shqiptare me ambasadoren amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.
Partitë shqiptare, si përmes kryetarëve ashtu edhe drejtuesve të grupeve parlamentare kanë shprehur vullnetin e tyre për të për të përmirësuar ligjet sa i takon parandalimit të këtyre financimeve të huaja dhe për rritjen e transparencës mbi financat e tyre.