Gjirokastra, një qytet që mbrohet nga UNESCO, është kthyer prej 15 vitesh në një qendër mbështetëse për profesionistë të rinj nga vendet e Ballkanit Perëndimor .
Organizata “Trashëgimi Kulturore pa Kufij” ka organizuar 50 kampe restaurimi ku kanë marrë pjesë rreth një mijë të rinj që punojnë në fushën e monumenteve.
Mbështetja e profesionistëve të rinj shihet si mjaft e rëndësishme për vendet e Ballkanit që po kalojnë një periudhë të vështirë prej largimit në masë të të rinjve në emigracion.
Në një shtëpi monumentale në Gjirokastër, një qytet që mbrohet nga UNESCO, një grup profesionistësh të rinj nga vendet e Ballkanit po punojnë për ndërhyrje konservuese me teknika tradicionale.
Organizata “Trashëgimi Kulturore pa Kufij” organizon këtë vit kampin e restaurimeve që është i pesëdhjeti që prej fillimit 15 vite më parë.
Bardha Krasniqi që vjen nga Peja e Kosovës thotë se studion për arkitekturë dhe se e sheh të dobishme pjesëmarrjen e saj në këtë kamp.
“Fokusimi im në pjesën e restaurimit, të fushës së arkitekturës dhe eksperienca që do marr në këtë kamp besoj do më vlejë shumë në profesionin tim”.
Bardha thotë më tej se nevojat për profesionistë të rinj janë të dukshme në Kosovë përfshirë edhe fushën e ndërhyrjeve ruajtëse në monumentet kulturore.
“Në Kosovë ka një hapësirë shumë të madhe në kërkesën për konservimin dhe mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës dhe kjo duhet t`i motivojë shumë të rinjtë që të përfshihen”.
Ndërsa Stavri Burda që punon prej gati 10 vitesh në drejtimin e këtyre të rinjve në punën në terren thotë se ata vijnë nga vende të ndryshme të Ballkanit.
“Kryesisht të rinjtë vijnë nga vendet e Ballkanit Perëndimor por edhe më gjerë. Studentët mblidhen në Gjirokastër, por jo vetëm për një periudhë një apo dy javë dhe punojnë së bashku për të restauruar një monument të përzgjedhur nga ekipi i organizatës.”
Zoti Burda thotë se mjeshtëritë e punëve me teknika tradicionale po përcillen gjithnjë e me vështirësi tek të rinjtë, ndaj është me rëndësi nxitja që ata të marrin këtë drejtim.
“Konsiderohen shpesh profesione të vështira ose dhe të rënda dhe mbase rinia synon të shkojë drejt profesioneve më të lehta. Ajo që kemi vërejtur është se nëse të rinjtë angazhohen një herë në këto profesione , atëherë u lind dëshira që të punojnë në këto mjeshtëri”.
Kampet e restaurimit të të rinjve të zhvilluara kryesisht në Gjirokastër në këto 15 vite kanë tërhequr rreth 1000 të rinj. Interesimi mbetet i lartë, thotë Pezana Rexha që punon për Organizatën “Trashëgimi Kulturore pa Kufij” në Gjirokastër.
“Kampi i restaurimit ka ardhur si rezultat i një fenomeni që ne e njohim të gjithë , i mungesës së mjeshtreve ndër vite dhe dëshirës për të vazhduar të gjithë traditën e pasur që kemi në pjesën e mjeshtreve në ndërtim. Megjithëse në këto 15 vite është i njëjti fenomen, numri i pjesëmarrësve është në rritje.”
Zonja Rexha thotë se tregu ka shumë nevojë pasi trashëgimia kulturore po kthehet në qendër të vëmendjes për nga investimet në mbështetje të zhvillimit të turizmit.
“Shqipëria po kthehet në një burim shumë të madh të turizmit dhe një nga arsyet nuk është vetëm deti, por edhe trashëgimia jonë kulturore. Gjirokastra , Berati që janë tashmë në UNESCO, por dhe shumë qytete të tjera të cilat mbartin vlera të jashtëzakonshme”.
“Dhe po lind gjithmonë nevoja për restaurimin e objekteve. Rritja e restaurimeve kërkon një numër më të madh mjeshtërish, ndërkohë që numri aktualisht është jashtëzakonisht më i vogël krahasuar me kërkesën e tregut.”
Qeveria suedeze por edhe donatorë të tjerë ndërkombëtare kanë mbështetur në këto vite kampet e restaurimit.
Organizatorët shohin si një mbështetje të qëndrueshme për këta të rinj. nga vendet e Ballkanit krijimin e një shkolle në nivel rajonal për restaurimin e monumenteve.