AP
Vlera e dollarit amerikan është rritur për më shumë se një vit kundrejt çdo valute tjetër, kundrejt funtës britanike përtej Atlantikut deri tek uoni i Koresë së Jugut përtej Paqësorit.
Pasi u rrit sërish të premten, dollari është pranë nivelit të tij më të lartë në më shumë se dy dekada kundrejt një indeksi kyç që mat gjashtë valutat kryesore, përfshirë euron dhe jenin japonez. Shumë investitorë profesionistë mendojnë se kjo rritje nuk do të ndalet së shpejti.
Rritja e dollarit prek pothuajse të gjithë, madje edhe ata që nuk do të largohen kurrë nga kufijtë e ShBA-së. Hedhim një vështrim mbi çfarë po ndikon në rritjen e dollarit amerikan dhe çfarë nënkupton kjo për investitorët dhe ekonomitë familjare:
Çfarë nënkupton kur thuhet që dollari është më i fuqishëm?
Që tashmë, praktikisht një dollar mund të blejë më shumë nga një valutë tjetër sesa më parë.
Nëse marrim parasysh jenin japonez. Një vit më parë, me 1 dollar mund të merrje më pak se 110 jen. Tani, mund të blesh 143. Kjo është rreth 30 për qind më shumë dhe një nga rritjet më të mëdha që dollari amerikan ka bërë kundrejt një valute tjetër.
Vlerat e valutave të huaja po zhvendosen vazhdimisht kundrejt njëra-tjetrës pasi bankat, bizneset dhe investitorët i blejnë dhe i shesin ato në mbarë botën.
Indeksi i dollarit amerikan, që mat dollarin kundrejt euros, jenit dhe monedhave të tjera kryesore, është rritur me më shumë se 14 për qind këtë vit. Kjo rritje duket edhe më mbresëlënëse krahasuar me kapitalet e tjera, shumica e të cilave kanë pasur një vit të mjerueshëm. Aksionet në SHBA kanë rënë me më shumë se 19 për qind, vlera e bitcoin-it është përgjysmuar dhe ari ka humbur më shumë se 7 për qind të vlerës në bursë.
Përse po fuqizohet dollari?
Sepse ekonomia amerikane po ecën më mirë sesa ekonomitë e tjera. Edhe pse inflacioni është i lartë, tregu i punës në ShBA ka mbetur jashtëzakonisht i qëndrueshëm. Dhe, fusha të tjera të ekonomisë, si sektori i shërbimeve, kanë qenë më fleksibile.
Kjo ka ndihmuar në kompensimin e shqetësimeve për sa i përket ngadalësimit të industrisë së ndërtimit dhe pjesëve të tjera të ekonomisë që funksionojnë më mirë kur normat e interesit janë të ulëta. Kjo, nga ana tjetër, ka bërë që investitorët të presin që Rezerva Federale të zbatojë premtimin për të frenuar rritjen e mprehtë të normave të interesit dhe për t’i mbajtur ato në atë nivel për një periudhë kohore, me shpresën për të ulur inflacionin më të rëndë në 40 vjet.
Pritje të tilla kanë ndihmuar në dyfishimin e normës së interesit të bonove të një thesari 10-vjeçar në 3.44 për qind nga afërsisht 1.33 për qind të një viti më parë.
Kujt i intereson norma e interesit të bonove të thesarit?
Investitorëve që duan të gjenerojnë më shumë të ardhura nga paratë e tyre. Dhe, janë pikërisht interesat e këtyre bonove amerikane të thesarit që po tërheqin investitorë nga e gjithë bota.
Bankat e tjera qendrore kanë qenë më pak agresive se Rezerva Federale e ShBA-së, sepse me sa duket ekonomitë e tyre janë më të brishta. Banka Qendrore Evropiane sapo rriti normën e saj bazë në nivelin më të lartë, tre të katërtat e një pikë përqindjeje. Por, Rezerva Federale e ka rritur tashmë normën e saj bazë dy herë këtë vit, me një rritje të tretë që pritet në javën e ardhshme. Madje, disa investitorë thonë se është e mundshme edhe një rritje tepër e lartë, prej një pikë përqindjeje të plotë, pas një raporti të së martës mbi inflacionin në ShBA, i cili ishte më pesimist nga çfarë pritej.
Pjesërisht për shkak të kësaj prirjeje më pak agresive, bonot 10-vjeçare në të gjithë Evropën dhe në zona të tjera të botës ofrojnë interesa shumë më të ulëta se ato të thesarit të ShBA-së, si në Gjermani ku norma e interesit është 1.75 për qind dhe Japoni ku është 0.25 për qind. Kur investitorët nga Azia dhe Evropa blejnë bono thesari, ata duhet të këmbejnë valutat e tyre në dollarë amerikanë. Kjo rrit automatikisht vlerën e dollarit.
Një dollar i fuqishëm ndihmon turistët amerikanë, apo jo?
Po. Turistët amerikanë në Tokio që shpenzojnë 10.000 jen për një darkë, tashmë do të përdorin 23 për qind më pak dollarë se një vit më parë, për të njëjtën shujtë me të njëjtin çmim.
Me rritjen e ndjeshme të dollarit këtë vit kundrejt çdo valute, që nga pesoja argjentinase, funta egjiptiane e deri tek uoni i Koresë së Jugut, dollari po arrin vlera të larta më shumë se më parë në shumë vende.
A i ndihmon kjo vetëm njerëzit e pasur që mund të përballojnë udhëtimet jashtë?
Jo. Një dollar më i fuqishëm ndihmon gjithashtu blerësit në SHBA duke vendosur një limit mbi çmimet e importeve dhe duke ndihmuar në uljen e inflacionit.
Për shembull, kur dollari rritet kundrejt euros, kompanitë evropiane fitojnë më shumë euro për çdo 1 dollar shitje. Me këtë limit, ata mund të ulin çmimet në dollarë për produktet e tyre dhe prapë të fitojnë të njëjtën sasi eurosh. Ata, gjithashtu, mund t’i lënë të pandryshuara çmimet në dollarë dhe të fusin në xhep eurot shtesë, ose mund të gjejnë një ekuilibër mes të dy opsioneve.
Çmimet për importet ranë me 1 për qind në gusht krahasuar me një muaj më parë, pas rënies prej 1.5 për qind të muajit korrik, duke sjellë një lehtësim mes inflacionit të lartë në vend. Për shembull, çmimet për frutat e importuara, agrumet dhe disa produkte ranë me 8.7 për qind. Ato janë ulur me 3 për qind krahasuar me një vit më parë.
Në përgjithësi, një dollar më i fuqishëm mund t’i mbajë çmimet e mallrave nën kontroll. Kjo për shkak se nafta, ari dhe të tjera kapitale blihen dhe shiten në dollarë amerikanë në mbarë botën. Kur dollari rritet kundrejt jenit, një blerës japonez mund të marrë më pak fuçi naftë bruto për të njëjtën shumë si më parë. Kjo nënkupton më pak presion në rritje ndaj çmimeve të naftës.
Pra, fuqizimi i dollarit sjell vetëm përfitime?
Jo. Kompanitë amerikane që operojnë jashtë vendit po shohin që fitimet e tyre po tkurren.
Të ardhurat e kompanisë McDonald’s, ranë për 3 për qind gjatë verës, krahasuar me një vit më parë. Por, nëse vlera e dollarit thjesht do të kishte qëndruar e njëjtë kundrejt valutave të tjera, të ardhurat e kompanisë do të ishin 3 për qind më të larta.
Microsoft, ndërkohë, tha se ndryshimet në vlerat e valutës së huaj sollën uljen prej 595 milionë dollarësh nga të ardhurat e saj në tremujorin e fundit.
Një sërë kompanish të tjera kanë dhënë paralajmërime të ngjashme kohët e fundit dhe rritja e mëtejshme e dollarit mund të shtojë më shumë trysni mbi fitimet e tyre. Kompanitë në indeksin S&P 500 marrin afërsisht 40 për qind të të ardhurave të tyre nga jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara, sipas FactSet.
Ndonjë dëm tjetër kolateral?
Një dollar i fuqishëm mund të sjellë një tkurrje financiare në të gjithë vendet në zhvillim. Shumë kompani dhe qeveri në tregje të tilla në zhvillim marrin hua në dollarë amerikanë, në vend të valutave të tyre. Kur ata duhet të paguajnë mbrapsht borxhet e tyre në dollarë amerikanë, ndërsa valuta e tyre blen më pak dollarë çdo ditë, kjo mund të krijojë shumë stres.
Çfarë pritet të ndodhë më tej me dollarin?
Rritjet më të mëdha të dollarit mund të jenë pjesë e së kaluarës, por shumë profesionistë presin që të paktën valuta amerikane të qëndrojnë në këtë nivel për disa kohë.
Raporti i së martës mbi inflacionin në SHBA tronditi tregun dhe tregoi se ai mbetet më këmbëngulës se sa pritej. Kjo ka bërë që investitorët të parashikojnë rritjen e normave të Rezervës Federale për vitin e ardhshëm. Zyrtarët e Fed-it kanë qenë të zëshëm kohët e fundit duke riafirmuar angazhimin e tyre për të mbajtur normat e larta “derisa të përfundojë misioni” në uljen e inflacionit të lartë të vendit, edhe nëse kjo gjë e dëmton rritjen ekonomike.
Ky paragjykim ndaj normave ende më të larta nga Rezerva Federale mendohet të vazhdojë të ofrojë mbështetje për vlerën e dollarit amerikan.
Që dollari të dobësohet ndjeshëm, strategët shkruan në një raport të ‘BofA Global Research’, se “Rezerva Federale duhet të shqetësohet më shumë për rritjen sesa për inflacionin – dhe ne nuk jemi ende në këtë pikë”.