Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka zhvilluar një intervistë me Investment Monitor, në margjina të ngjarjes ‘’Investment Management Exhibition’’, gjatë muajit shtator. Më poshtë, artikulli i plotë:
Në bisedë me: Zëvendëskryeministrin e Kosovës Besnik Bislimi
Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës, thotë se Qeveria po shkruan një histori të re të investimit në vend.
Nga Jon Whiteaker
Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës, ishte në Frankfurt, Gjermani gjatë muajit shtator për të promovuar mundësitë për investime në vendin e tij.
E ndodhur në zemër të Ballkanit, Kosova u bë shtet vetëm në vitin 2008 kur shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë nga Serbia. Ajo është ende e njohur vetëm pjesërisht ndërkombëtarisht, me pesë nga 27 anëtarë të OKB-së dhe tetë nga vendet e G20 që ende nuk e njohin vendin.
Kjo ekzistencë në harresë, si dhe trashëgimia e luftërave jugosllave dhe paqëndrueshmëria politike, kanë penguar përparimin ekonomik të vendit, por kur Investment Monitor u takua me Bislimin në margjinat e ngjarjes së ‘’Investment Management Exhibition’’ në Frankfurt, ai argumentoi se Qeveria e re e Kosovës është duke shkruar një histori të re mundësish.
“Ne po përpiqemi të bindim të gjithë investitorët potencialë që aktualisht janë në kërkim të tregjeve të reja, opsioneve të reja, që po zhvendosen nga Azia Lindore ose Rusia, se narrativa e një vendi me tensione, madhësi të pamjaftueshme tregu dhe fuqi blerëse të pamjaftueshme, është një histori e së shkuarës”, thotë Bislimi.
Sigurisht që në vitet e fundit ka pasur tregues më pozitivë ekonomikë për Kosovën. Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se flukset neto të investimeve të huaja direkte në vend kanë qenë në një trend rritës që nga viti 2016 dhe kanë arritur vetëm më pak se 400 milionë dollarë në vitin 2020. Megjithatë, kjo mbetet shifër e ulët ndërkombëtarisht dhe shumë më poshtë fqinjëve të afërt si Mali i Zi (531 milionë dollarë) dhe Shqipëria (1 miliardë dollarë).
Bislimi beson se reformat ekonomike që po ndërmerr qeveria e tij, do të shohin rritje të mëtejshme të investimeve të huaja direkte, pasi investitorët ndërkombëtarë të fillojnë të njohin mundësitë që Kosova ka për të ofruar.
“Historia e re është ajo e një demokracie të konsoliduar, që vë theksin te sundimi i ligjit dhe rritja ekonomike”, thotë ai. “Një shtet dinamik me rreth 70% të popullsisë nën moshën 35 vjeç.”
Lufta ndaj korrupsionit në Kosovë
Bislimi është një ekonomist dhe akademik i cili u zgjodh për herë të parë në Kuvendin e Kosovës në vitin 2014 si pjesë e partisë politike Vetëvendosje. Ai shërbeu si ministër i Financave nën administratën e parë jetëshkurtër të kryesuar nga Albin Kurti në vitin 2020. Kur Kurti u kthye si kryeministër në vitin 2021, Bislimi u emërua zëvendëskryeministër.
Bislimi është i prirur të theksojë agjendën reformuese të Qeverisë Kurti dhe thekson disa tregues ekonomikë dhe social premtues për të ardhmen e Kosovës.
Norma preliminare e rritjes së BPV-së në Kosovë prej 10.5% për vitin 2021 ishte më e lartë se çdo vend tjetër në Evropë dhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2022 u rrit me 4.6%, që Bislimi thotë se është rritja më e shpejtë në Ballkanin Perëndimor.
Banka Botërore thotë se kjo rritje e fuqishme ekonomike e kohëve të fundit ka ardhur kryesisht për shkak të rritjes së konsumit privat dhe rritjes së eksporteve. Ai gjithashtu vë në dukje se investimet private në Kosovë u nxitën nga investimet e huaja direkte më të larta në pasuri të paluajtshme.
Bislimi thekson përpjekjet e Qeverisë për të formalizuar ekonominë e Kosovës dhe progresin e bërë në uljen e korrupsionit. Transparency International e renditi Kosovën në vendin e 87-të nga 180 vende për korrupsion në vitin 2021, që ishte një përmirësim prej 17 vendesh krahasuar me vitin paraprak. Transparency International thotë se Kosova ka treguar “vullnet të vërtetë për të luftuar korrupsionin” në vitet e fundit, duke theksuar hetimet ndaj udhëheqësve potencialisht të korruptuar dhe miratimin e një strategjie për sundimin e ligjit.
Ndërsa investitorët mund të mbështeten tek ky përmirësim në qeverisje dhe transparencë, ata gjithashtu mund të joshen nga regjimi tërheqës i taksave të vendit.
Kosova ka 10% tatimin mbi të ardhurat e korporatave, nuk ka tatime mbi dividentët dhe u jep kompanive mundësinë për të riatdhesuar plotësisht fitimet. Vendi tashmë ka norma relativisht të ulëta të tatimit mbi të ardhurat dhe Qeveria po shtyn përpara një plan për të përjashtuar plotësisht taksat mbi të ardhurat personale për pagën minimale, e cila po rritet gjithashtu.
“Ajo që ne ofrojmë dhe është e ndryshme nga pothuajse të gjitha vendet e rajonit është se bizneset që investojnë në Kosovë do të kenë zero rrezik të kursit të këmbimit pasi që ne përdorim euron”, thotë Bislimi.
Ligjshmëria e kontestuar e Kosovës si shtet do të mbetet shqetësim për investitorët në të gjithë këta sektorë, veçanërisht në një kohë kur ka luftë në Evropë. Megjithatë, ka pasur disa përparime edhe në këtë front.
Ndërsa Serbia ende nuk e njeh Kosovën si shtet sovran, në vitin 2020 të dy vendet normalizuan marrëdhëniet ekonomike.
Mundësitë e investimit në Kosovë
Sipas Bislimit, Kosova është në një pozicion ideal për të përfituar nga trendet si ikja e kapitalit nga Rusia për shkak të luftës në Ukrainë dhe afrimi i tyre drejt Evropës, për shkak të numrit të madh të sektorëve me mundësi rritjeje dhe fuqisë së saj të re punëtore.
Bislimi thotë se rinia është aseti më i rëndësishëm që ka Kosova dhe fokusi i Qeverisë është që të përqendrojë përpjekjet e saj në ata sektorë që “garantojnë kthimin më të lartë të mundshëm” për të rinjtë në shoqëri.
“Ne kemi vërejtur gjatë 10 viteve të fundit një interes gjithnjë në rritje nga kompanitë e huaja për të transferuar produkte ose shërbime nga jashtë (outsourcing) ose të zhvendosin një pjesë të veprimtarisë së tyre në një vend të afërt për ta siç është Kosova. Kjo veçanërisht në sektorët e IT-së, web dizajnit, kujdesit ndaj klientit, menaxhimit të burimeve njerëzore, përpunimi nga biznesi në biznes (business to business), dhe gjithashtu siguria kibernetike dhe blockchain,” shton ai.
Bislimi thotë se ka një interes në rritje nga industria e përpunimit të ushqimit, industria e përpunimit të metaleve dhe kompanitë e tranzicionit të energjisë. Kosova ka vetëm 140 megavat energji të erës të instaluar dhe 35 megavat kapacitet hidroenergjetik, por Qeveria po synon një kapacitet të instaluar prej dy gigavatësh të burimeve të rinovueshme.
“Unë mendoj se në mbarë Evropën kemi një numër shumë konkurrues të orëve me diell në vit dhe kemi identifikuar disa zona që mund të ofrojnë potencial të mirë për gjenerimin e energjisë së erës,” thotë Bislimi.
Kosova sapo ka nënshkruar një kontratë me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit të SHBA-së për të ndërtuar 350 megavat të kapacitet të baterive në vend dhe Bislimi thotë se Qeveria është shumë e përkushtuar të gjejë investitorë që mund të përmirësojnë më tej bilancin e furnizimit me energji në vend.
Privatizimi në Kosovë u ngadalësua, nuk u anulua
Një fushë e ekonomisë së Kosovës që ka tërhequr interesin e investitorëve në vitet e fundit kanë qenë ndërmarrjet e saj shtetërore dhe përpjekjet për t’i privatizuar ato. Është vendi i fundit në Evropën Lindore që ende nuk ka përfunduar një privatizim në shkallë të gjerë të aseteve të saj shtetërore, i cili shihet si jetik për vendin që po kthehet në ekonomi të plotë të tregut.
Megjithatë, në maj të vitit 2021, deputetët e parlamentit të Kosovës votuan për shkarkimin e bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila kishte mbikëqyrur përpjekjet e privatizimit për gati 20 vjet.
Në atë kohë Kurti u tha gazetarëve se “gjërat e mira mund të vijnë ngadalë, por gjërat e këqija duhet të ndalen sa më shpejt që është e mundur”.
Bislimi thotë se valët e mëparshme të privatizimeve në Kosovë “nuk kanë ndjekur asnjë vizion të qëllimeve”, si ulja e papunësisë, rritja e investimeve të huaja direkte apo përmirësimi i efikasitetit të kompanive për shitje.
“Ajo që ndodhi është se pas privatizimeve u rrit papunësia dhe kompanitë konvertuan asetet nga prodhimi në sektorin e shërbimeve apo edhe të sektorit të ndërtimit”, thotë Bislimi.
“Qeveria e re do të ndryshojë narrativën e procesit të privatizimit, që fillimisht të forcojë kapacitetet e kompanive, pastaj t’i bëjë konkurruese, në mënyrë që kur t’i privatizojmë të tërheqim vetëm investitorë seriozë që synojnë të zgjerojnë më tej kapacitetet e tyre.’’
Kosova ka 17 ndërmarrje shtetërore, në sektorë si energjia, uji dhe telekomi. Bislimi thotë se vetëm tre nuk po operojnë me humbje dhe ai pretendon se punësimi i tepërt ka qenë një problem kronik në sektorin publik të vendit.
Bislimi tregon për Telekomin e Kosovës, i cili më herët është nxjerrë në tender për privatizim. Ai thotë se brenda pak muajsh Qeveria e re ka reduktuar numrin e punonjësve të kompanisë për 300 vende (ose 12.5% të totalit) përmes ofertës së pagesave të largimit dhe tani “për herë të parë pas shumë vitesh Telekomi i Kosovës po operon në fitim”.
Ai shton se Qeveria po bën dallimin mes aseteve shtetërore dhe atyre shoqërore. Prioriteti është që secili të jetë fitimprurës përpara se të vendoset nëse do të privatizohet apo jo dhe Qeveria është duke krijuar një fond sovran për ato asete që nuk janë shitur.
Imazhi që Qeveria po përpiqet të projektojë është një imazh i kompetencës dhe durimit, në vend që të nxitojë për të fituar para në asetet shtetërore. Por Bislimi është i qartë kur thotë se investitorët e huaj janë më se të mirëpritur në Kosovë dhe ai shpreson se reformat dhe performanca ekonomike e viteve të fundit mund të jenë të mjaftueshme për t’i joshur ata. /Kosovatimes/