Praktika për t’ia dëshmuar çdo gjashtë muaj shtetit se pensionisti është në jetë, me qëllim të përfitimit të pensionit, shkel dinjitetin e njeriut, thonë nga institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë.
Ramë Çitaku, pensionisti 83 vjeç nga fshati Bajçinë i Komunës së Podujevës që çdo gjashtë muaj paraqitet në Zyrën e Pensioneve. Këtë zyrë ai e viziton katër herë në vit – dy herë për vete si dhe dy herë të tjera kur e dërgon për paraqitje gruan e tij të paralizuar.
“Është gajle ta mbash në kokë faktin që ke për t’u lajmëruar çdo gjashtë muaj, a po vonohem apo nuk po vonohem. Ka nevojë të largohet ky afat. Unë e kam gruan të paralizuar dhe më duhet ta sjell me karrocë deri aty [Zyrën e Pensioneve] se nuk të besojnë pa e parë. Të obligojnë ta dërgosh”, shprehet Çitaku.
Çitaku i merr 180 euro pension, ndërsa gruaja e tij vetëm pensionin e pleqërisë në shumën prej rreth 100 eurosh.
“Sikur ta bëjnë së paku një herë në vit, do të ishte më mirë për neve. Do ta kishim kokën më të qetë nga ky obligim”, thotë Çitaku, i cili para pensionimit ka qenë mësimdhënës.
Për t’u paraqitur në zyrën e pensioneve, pensionisti duhet të ketë me vete letërnjoftimin, kartelën e pensionistit, si dhe një faturë të energjisë elektrike të apartamentit apo shtëpisë në të cilën jeton.
Praktika që nuk është në plan të largohet
Paraqitja e pensionistëve në zyrat e pensioneve për çdo gjashtë muaj është obligim ligjor i përcaktuar me Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti.
Pas shfaqjes së pandemisë së COVID-19 institucionet e Kosovës morën vendim që pensionistët të lirohen nga obligimi për t’u paraqitur në zyrat e pensioneve për të dëshmuar se ende janë në jetë. Pensionistët dhe shoqatat që përfaqësojnë ata, prisnin që kjo praktikë të mos kthehej më.
Por, në muajin qershor të këtij viti, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njoftoi se çdo pensionist në Kosovë është i obliguar të paraqitet në sportelet e Zyrës së Pensioneve.
Një praktikë e tillë nuk ekziston në shumicën e vendeve të rajonit, përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.
Hashim Berisha, 75 vjeç, nga fshati Siçevë, Komuna e Prishtinës, merr pension vetëm 100 euro pasi nuk i ishte njohur kontributi i viteve ’90.
Ai thotë se është e tepërt paraqitja dy herë në vit në Zyrën e Pensioneve.
“Ne çka ecim, kemi mundësi lajmërohemi, por disa që nuk mund të ecin, janë më të vjetër, janë më të moshuar apo janë të sëmurë, për ta shumë vështirë. Ka të tillë që nuk mund të shkojnë deri në zyre për t’u lajmëruar, por familjarët i mbajnë në vetura në rrugë dhe zyrtarët duhet të vijnë në rrugë, sepse ai nuk është i aftë të dalë nga vetura dhe të futet në objekt për t’u lajmëruar çdo gjashtë muaj”, thotë Berisha.
Me gjithë kërkesat e shumta të pensionistëve për largimin e kësaj praktike, të cilën e cilësojnë si fyerje, Qeveria e Kosovës nuk e ka ndërmarrë një hap të tillë.
Ministria e Financave: Meqë e thotë ligji, praktika vazhdon
Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, (MFTP) përkatësisht Departamentin për Pensione, se pse është i nevojshëm zbatimi i kësaj praktike.
Në përgjigje është thënë se këtë çështje e përcakton Ligji për skemat pensionale të financuara nga shteti, por nuk është treguar nëse planifikohet që të largohet.
Paraqitja e pensionistëve nëpër sportele të zyrave të pensioneve ndodh edhe për shkak të mungesës së një sistemi të integruar të të dhënave përmes së cilit evidentohen rastet e vdekjes së pensionistëve në mënyrë që të ndalet pagesa e pensionit.
Megjithatë, në MFPT-i thonë për Radion Evropa e Lirë se shkëmbejnë rregullisht të dhëna për të shmangur mundësinë e ekzekutimit të pagesës së pensionit për ndonjë pensionist që mund të ketë vdekur.
“Në baza mujore MFPT, gjegjësisht Departamenti i Pensioneve, shkëmben të dhëna me Agjencinë e Regjistrimit Civil lidhur me rastin e vdekjes së pensionistëve, gjithashtu ekziston një marrëveshje mes ministrisë dhe bashkësive fetare për evidentimin e rasteve të vdekjes së pensionistëve”, thuhet në përgjigjen e MFPT-së.
Këto marrëveshje do të duhej të ishin të mjaftueshme për të shfuqizuar kërkesën për paraqitjen e pensionistëve në zyrat e pensioneve për çdo gjashtë muaj, thotë pensionisti Isat Muja nga Prishtina.
“Është dashur të largohet ky obligim pasi këta [Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve] vetëm se i kanë bërë marrëveshjet me institucione tjera dhe bashkësitë fetare që t’ua dërgojnë të dhënat për çdo person që vdes. Nuk do të duhej të kishte më nevojë për këtë rregull. Përpara ka qenë më ndryshe, sepse njerëzit nuk i lajmëronin familjarët e vdekur, i keqpërdornin pensionet”, thotë Muja.
Pikërisht mosnjoftimi apo mosnjoftimi me kohë i rasteve të vdekjes së pensionistëve, e ka mbajtur në fuqi kërkesën për paraqitje dy herë në vit të pensionistëve në zyrat e pensioneve.
Kryetari i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Njazi Gashi, thotë për Radion Evropa e Lirë se në takimet që kanë pasur me zyrtarët qeveritarë është premtuar se në të ardhmen, pensionistët do të jenë të obliguar të paraqiten vetëm njëherë në vit.
Megjithatë, Gashi thotë se ekzistojnë mundësi të shumta që institucionet t’i marrin informacionet në kohë reale në mënyrë që t’i ndalojnë pagesat menjëherë pas vdekjes së pensionistit.
“Nuk guxon askush të varroset pa e konstatuar vdekjen mjeku dhe mjeku e lëshon një vërtetim se personi ka ndërruar jetë. Familjari me atë vërtetim shkon dhe e çregjistron të vdekurin në librin amzë dhe nga komuna mund të merret i gjithë raporti. Nëse dikush nuk e lajmëron dhe nuk e respekton procedurën, duhet të sanksionohet në bazë të ligjit”, thotë Gashi.
Avokatit të Popullit: Pensionistëve po ua cenojnë dinjitetin
Para gjashtë vjetëve, Avokati i Popullit i kishte dërguar Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale një raport “Ex-Officio” me rekomandime përkitazi me cenimin e dinjitetit dhe së drejtës së pensionistëve në pensione.
Ky raport trajtonte kërkesën e institucioneve që pensionistët të paraqiten çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se janë gjallë, në mënyrë që të mos u ndërpritet pensioni.
Avokati i Popullit kishte konstatuar në këtë raport se një detyrim i tillë ndaj pensionistëve shkel dinjitetin e njeriut, e drejtë kjo e garantuar me Kushtetutë, dhe se reduktimi ose ndërprerja e të drejtave të pensionit paraqet ndërhyrje në të drejtën e gëzimit paqësor të pronës.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Avokati i Popullit konsideron se një praktikë e tillë vazhdon të jetë “diskriminuese dhe cenon dinjitetin e pensionistëve”, sidomos të atyre që janë në moshë të shtyrë apo me probleme shëndetësore.
“Avokati i Popullit ka rekomanduar që Ministria të funksionalizojë burimet e saj verifikuese në raport me statusin e pensionistëve edhe përmes formave të tjera, por asnjëherë nuk ka pranuar përgjigje nga pala përgjegjëse”, thuhet në përgjigjen e Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit thotë se pensionistëve duhet t’u mundësohet që “në mënyrë të qetë dhe të papenguar” të gëzojnë të drejtën e tyre.
Gabimet kushtuan gjysmë milioni
Megjithatë, në një raport të publikuar këtë vit nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ishte konstatuar se “mbetja e personave të vdekur në listat e pagesave, shkakton pagesa të parregullta dhe dëmton buxhetin e Kosovës”.
Sipas ZKA-së, nga krahasimi i të dhënave ndërmjet Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil është konstatuar se gjatë vitit 2021 janë realizuar gjithsej 3.314 pagesa në vlerë prej 465.121 eurosh për pensione pas vdekjes së përfituesve.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve i kishte thënë në muajin qershor Radios Evropa e Lirë se nga kjo shumë ishin kthyer në buxhetin e Kosovës më shumë se 150 mijë euro.
Në rast të vdekjes së pensionistit, familjarët janë të obliguar me ligj që brenda 30 ditësh të bëjnë zyrtarisht deklarimin e vdekjes.
Në të kaluarën ky proces është neglizhuar në Kosovë që sipas institucioneve ka shkaktuar dëme në buxhetin e Kosovës pasi pensionet kanë vazhduar të ekzekutohen.
Por, bazuar në ligj, familjarët që nuk njoftojnë për të afërmin e tyre të vdekur, mund të përballem me gjoba materiale si dhe obligohen që t’i kthejnë pensionet e përfituara jashtëligjshëm.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2021, Kosova ka rreth 143 mijë pensionistë që marrin pensionet bazike të moshës, ndërsa rreth 50 mijë pensionistë kontribut-pagues të moshës.
Pensionin bazik të moshës në vlerë prej rreth 100 eurosh e merr çdo qytetar i Kosovës i moshës mbi 65 vjeçare.
Ndërsa, pensionistë kontributpagues janë të gjithë persona nga mosha 65 vjeç që kanë punuar dhe paguar kontribute para pensionimit.