“Gjithçka në këtë botë sillet rreth Rosh Hashanahut”, ka thënë Haim Hazin, duke shikuar turmën që ka qenë duke kaluar në rrugën kryesore të një lagjeje me hebrenj në Ukrainë, pak para nisjes së Vitit të Ri të Hebrenjve.
Rruga Pushkin ka nisur të mbushet plot me jetë.
Më shumë se 23.000 pelegrinë kanë shkuar aty nga shumë vende të botës – kryesisht nga Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe Franca – për t’u lutur në varrin e Rabinit Nachman të Breslovit, themeluesit të lëvizjes hasidike të Breslovit.
Ai, po ashtu, njihet si nipi i themeluesit të Judaizmit Hasidik, Baal Shem Tov.
Rosh Hashanah në Uman është kthyer në festë për pelegrinazhin vjetor që kryejnë ndjekësit e rabinit që ka vdekur në atë vend më 1810.
Zakonisht ceremonia përcillet me lutje, vallëzime, muzikë dhe ushqime që e karakterizojnë komunitetin.
“Mirëpo, ky vit është ndryshe”, ka thënë Hazin, “sepse Ukraina është në luftë”.
Si hebre hasidik që është nisur nga Izraeli drejt Ukrainës 10 vjet më parë, Hazin është angazhuar në plot sektorë kur Rusia ka nisur luftën në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.
Ai ka ndihmuar në evakuimin e shtetasve izraelitë, ka ofruar ndihmën e parë për ushtarët ukrainas në front të luftës dhe i ka dërguar ata në ambulancën në rajonin e Donbasit.
Në këtë zonë ka nisur fillimisht lufta më 2014, dhe janë raportuar përshkallëzimet më të rënda të Moskës këtë vit.
Shtatë muaj pas nisjes së luftës këtë vit, Hazin tani është i zënë me organizim të ngjarjes vjetore, duke biseduar vazhdimisht në telefon me pelegrinët që kanë humbur rrugën apo janë përballur me probleme tjera.
Ai ka thënë se festimet e këtij viti janë ndryshe, sepse nuk do të ketë “festa të mëdha” sikurse në të kaluarën.Shitja e alkoolit po ashtu është ndaluar në qytet, si dhe zbatohet ora policore prej orës 23:00, që nënkupton se duhet të mbizotërojë qetësia.
Lutjet për paqe
Përgjatë muajve të verës nuk ka qenë e qartë nëse do të organizohen festimet për Rosh Hashanah në Uman këtë vit.
Pas nisjes së luftës, autoritetet ukrainase u kanë kërkuar pelegrinëve që të përmbahen nga udhëtimi në këtë qytet, duke thënë se nuk mund të garantojnë sigurinë.
Ministria e Jashtme ka udhëzuar, po ashtu, qytetarët kundër shkuarjes në Ukrainë.
I gjendur në mes të Kievit dhe Odesas, Uman ka qenë qytet relativisht i sigurt përgjatë luftës – ndonëse raketat ruse kanë rënë mbi të dy herë, duke vrarë dhe plagosur civilë.
Për shkak të lokacionit, ky qytet është mbushur shpejt me banorë që janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Pas negociatave të nivelit shtetëror, Ukraina ka hapur dyert për pelegrinët, mirëpo nën masa të rrepta, ka thënë Iryna Rybnitska, avokate nga Fondacioni Ndërkombëtar i Rabinit Nachman, e cila mbikëqyr organizatën që organizon pelegrinazhin Rosh Hashanah.
Zona e hebrenjve është mbyllur për njerëzit që nuk kanë leje për hyrë gjatë periudhës së festimeve dhe afër lagjes janë angazhuar shumë zyrtarë policorë.
“Më në fund arrita! Kështu ndihemi të gjithë”, ka thënë, Merdi Lichter, i cili ka udhëtuar nga Izraeli në Moldavi dhe më pas ka marrë rrugën për Uman.
Ai ka shkuar atje çdo përvjetor prej vitit 1988 dhe babai i tij ka arritur të vizitojë varrin e Rabi Nachmanit më 1971, në kohën kur jeta hasidike ka qenë pothuajse inekzistente në Ukrainën sovjetike.
Pelegrinë të të gjitha moshave kanë udhëtuar në Uman, me makina apo trena: nga Rumania, Moldavia, Hungaria, Sllovakia dhe Polonia, meqë hapësira ajrore ukrainase është mbyllur për udhëtimet komerciale.
Numri i pelegrinëve është më i ulët sesa në kohën para pandemisë dhe luftës, mirëpo ndjesia e sfidës në Ukrainë duket se ka nxitur fluksin e vizitorëve, pasi ka pasur prej tyre që nuk janë kthyer mbrapsht edhe pas sirenave të njëpasnjëshme.
“Më shumë frikësohem nga mosfestimi i Rosh Hashanahut në Uman, sesa që të jem në një shtet të shkatërruar nga lufta”, ka thënë Licher duke buzëqeshur.
“Putin dëshiron që ne të jetojmë në frikë, mirëpo për ne ai është askush”.
Një tjetër pelegrin, Shalom Olefshyts, ka thënë se fillimisht është frikësuar që të udhëtojë në Ukrainë, mirëpo më vonë ka vendosur të shkojë duke i thënë vetes se Umani është larg zonave të luftës dhe është qytet mesatarisht i sigurt.
“Ne jemi mësuar me sirena ajrore në Izrael”, ka thënë ai.
“Ky është vend special, sepse mbrohet nga Rabini Nachman”.
Ndjesia e solidaritet në mes të vizitorëve hasidikë dhe ukrainasve, mund të vërehet në ajër.
Mijëra pelegrinë janë dëgjuar duke kënduar në hyrje të ndërtesës ku gjendet varri i Rabinit Nachman, mbi të cilën është vendosur flamuri ukrainas.
“Ne i jemi mirënjohës Qeverisë ukrainase dhe secilit që e ka bërë të mundur festimin e Rosh Hashanahut, pavarësisht kësaj lufte të tmerrshme”, ka thënë Natan Bennoon, udhëheqës i Fondacionit Rabini Nachman.
“Ne e dimë se çfarë është lufta dhe çfarë është terrorizmi dhe mendojmë se jeta duhet të vazhdojë, pavarësisht se çfarë duan armiqtë”, ka shtuar ai.
“Ne kalojmë mirë së bashku”
Disa vizitorë kanë kaluar orët e fundit të vitit 5782 në tregun e Umanit, duke blerë gjësënde sikurse lodra për fëmijë dhe ushqime tradicionale për darkën e Vitit të Ri.
Tetyana, banore lokale e cilat shet produkte në këtë treg tash e 20 vjet, e ka përpiluar një fjalor në gjuhën hebreje me emrat e pemëve, perimeve, frutave arrore dhe gjërave tjera që ajo shtet.
“Ne kalojmë mirë së bashku”, ka thënë ajo teksa ka përshëndetur një klient.
“Ne e kemi Krishtin, ata e kanë Nachmanin – të gjithë ne duhet të besojmë në diçka, apo jo?”, ka thënë ajo duke buzëqeshur.
Ndonëse Hasidizmi ka lindur në shekullin XVIII në Podillja, rajonin historik që gjendet në jugperëndim të Ukrainës dhe verilindje të Moldavisë, shumë pelegrinë të rinj në Uman nuk kanë paraardhës nga Ukraina dhe nuk kanë njohuri për lidhjet e tyre me këtë shtet – apo edhe me historinë e hebrenjve në Uman.
Në mesin e shekullit XVIII, mijëra hebrenj që janë jetuar aty janë vrarë në përleshjet mes kozakëve dhe ukrainasve.
Hebrenjtë e Umanit kanë qenë edhe viktima të luftërave sovjetike në Ukrainë, në periudhën e Revolucionit Bolshevik.
Nazistët, po ashtu, kanë vrarë pothuajse të gjithë hebrenjtë në këtë qytet gjatë Holokaustit.
Pjesa më e madhe e ndjekësve të Lëvizjes Hasidike të Breslovit kanë nisur vizitat e tyre – në disa raste edhe janë shpërngulur – në Ukrainë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetike më 1991.
Në tri dekadat e fundit, Uman e ka fituar namin si qendër për jetën hasidike në Ukrainë.
Në ditët e sotme më shumë se 100 familje hasidike jetojnë aty.
Kjo nuk nënkupton që marrëdhëniet kanë qenë gjithmonë të mira në mes të banorëve të Umanit dhe numrit të madh të pelegrinëve që shkojnë në këtë qytet çdo vit.
Çështjet sikurse mbledhja e taksave, organizimi i shërbimeve komunale dhe zhurmat në rrugë, u krijojnë telashe shumë banorëve.
Sipas Rybnitskas, nëpër vite ka pasur zëra anti-semitizmit, mirëpo situata po bëhet më mirë çdo vit.
Hazin, në anën tjetër, ka thënë se takon zëra anti-semitikë më shumë se Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, sesa në Ukrainë.
Ai beson se lufta e Rusisë në Ukrainë do të bashkojë edhe më shumë hebrenjtë dhe ukrainasit etnikë.
Kur presidenti rus, Vladimir Putin ka nisur luftën në Ukrainë, një nga synimet e tij ka qenë “denazifikimi” i Ukrainës, duke pretenduar rrejshëm se Ukraina udhëhiqet prej neo-nazistëve.
“Populli i Ukrainës e kupton se dhimbjen kur të tjerët dëshirojnë të ta shkatërrojnë kombin”, ka thënë ai.
E kaluara dhe e tashmja
Në ditën e parë të Vitit të Ri, pelegrinët në lagjen e hebrenjve në Uman kanë performuar tashlikhun – ceremoninë që besohet se një njeri gjuan të gjitha mëkatet në ujë.
Besimtarët janë mbledhur dhe kanë luajtur këngët e preferuara, pavarësisht sirenave ajrore.
Disa burra kanë kërcyer duke krijuar një rreth të madh në mes, duke u lënë hapësirë kamionëve ushtarakë që kanë kaluar afër zonës.
Më 1941, rreth 6.000 hebrenj janë vrarë nga nazistët në këtë qytet.
Kjo masakër, e ngjashme me atë të Kievit, dhe shumë masakra tjera janë kryer nga Qeveria sovjetike, ndonëse ajo ka pretenduar se po shënjestron “shtetas sovjetikë” dhe jo hebrenjtë.
“Është mirë të dish historinë”, ka thënë banori lokal, Anatoliy Tyutyunik me lot në sy, duke rikujtuar miqtë hebrenj, të cilët kanë ikur në moshë të re nga shteti.
“Njeriu e krahason të kaluarën dhe të tashmen dhe i bën matematikat”. /rel/