Kreu i LDK Lumir Abdixhiku ka kritikuar qeverinë e Kosovës për mos lëshim të pagave për 25 mijë mësimdhënës të cilët për një muaj ishin në grevë. Ai gjatë seancës së sotme tha se ky dënim ndaj tyre vjen në kohë të një krize të paprecedentë. Të një viti me inflacion rekord, e të një dimri të vështirë si pak dimra të tjerë.
“Ky është nivel i ri i ulët i pandjeshmërisë ndaj njerëzve të këtij vendi. Tani greva është ndërprerë. Me të ka rënë dhe fantazia e pushtetit për rënie të qeverisë e armiq të brendshëm kundër shtetit. Por nuk ka rënë apetiti i pushtetit për të treguar forcë e për t’i ndëshkuar me forcë të plotë – pikërisht në tërheqje – solidarizuesit me grevën”.
Abdixhiku tha se kjo hakmarrja e pushtetit merr formën e shkeljes; dhe atë shkelje ndaj mësimdhënësve të vendit.
“Kjo është beteja e Albin Kurtit sot. Kë do të shkelë ky? Të 25 mijë mësimdhënësit tanë me nga 400 euro pagë; në kohën më të rëndë të përballueshmërisë së tyre? A janë këta armiqtë e vendit? Lider par ekselencë. Më këtë vogëlsi të tij, prej hakmarrësi ndaj të dobëtit, ai ka vendosur të jetë selektiv. Ka paguar të gjithë grevistët e tjerë në sektorin publik, por ka vendosur t’i dënojë vetëm mësimdhënësit e shtetit. Sot, të papaguar e dënuar janë vetëm 25 mijë mësimdhënësit grevist; jo grevistët e tjerë. Dhe nëse respektimi i ligjit qenka kërkesë, pse nuk vlejti për të gjithë njëjtë. Nëse pagesa e mësimdhënësve qenka shkelje e ligjit, a e keni shkelur ligjin dhe për te tjerë”, tha Abdigjiku.
Sipas tij qeveria ose nuk e kupton ligjin ose janë hakmarrës dhe që në të dy rastet janë jokompetentë dhe jo të denjë për pozitat që mbajnë.
“Sepse po ta kuptonit ligjin, përveç se nuk do të ishit selektiv, ju do ta kuptonit që kjo kompetencë nuk ju takon juve fare. Është kompetencë e drejtpërdrejtë e qeverisjes lokale – pra komunave. Dhe për dallim nga ju, komunat e Kosovës e kanë kuptuar që ligji nuk lejon ndalesën e pagës. Sepse për dallim nga ju, ata nuk po e injorojnë nenin 13”.
E vërteta e vetme për Abdixhikun është se Kurti kërkon krizë që e ka mjet mbijetese.
“Ai është mësuar të krijoj kriza e të rritet me to. Prandaj nuk di si të funksionojë ndryshe. I duhen armiq. Dhe kur këta armiq nuk janë, ai provon t’i krijojë me zor. Njerëzit tanë janë lodhur me kriza. Janë lodhur me beteja të parëndësishme. Ky vend nuk ka nevojë për drama të Kurtit e të fanatikëve të tij. Sot, në vend të pagesave të mësimdhënësve duhet të flasim për reformën në arsim. Të flasim për 40 çerdhet e reja të premtuara që nuk janë askund. Sepse po të ishin nisur tashmë këto 40 çerdhe, fëmijët do të ishin aty, nënat do të ishin në punë, e investimet kombëtare do të merrnin rritje. Por ti asnjërën nuk po e bën sepse je mësuar të zhbësh”, tha Abdixhiku.
Kreu i LDK u shprehë i sigurt, duke garantuar mësimdhënësve që pagat do tu jepen – ato do të paguhen herët ose vone.
“Merreni këtë si zotim timin dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Deri atëherë, do të përdorim çdo rrugë ligjore e institucionale për të ndërprerë padrejtësinë e pushtetit ndaj jush”. /Kosovatimes/