Kryeministri Albin Kurti në Seminarin e 102-të të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-së në Prishtinë, ka thënë se tani është më optimist sa i përket dialogut për marrëveshje me Serbinë, pasi është një qasje e re në agjendën e Brukselit.
“Jam optimist sa i përket dialogut në Bruksel sepse atje kemi krijuar qasjen e duhur dhe të drejtë, e kjo është korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Dialogu nuk duhet të shërbejë vetëm për menaxhim krizash dhe të bëhet dialog për dialog, por dialog për marrëveshje. Tani jemi futur në një fazë të re që nga 18 gushti i këtij viti, sepse tema e parë në zyrën e z. Borell ishte korniza e përgjithshme e marrëveshjes, pra dialogim për marrëveshje dhe do të diskutojmë për këtë marrëveshje”, ka theksuar Kurti.
Kryeministri tutje ka thënë se e ka këtë optimizëm duke pasur parasysh faktin se për dallim nga e kaluara kur njohja e pavarësisë ishte në fund të procesit dhe po e shndërronte këtë qasje në motivim të Serbisë për zvarritje të procesit tani njohja e ndërsjellë është në qendër të marrëveshjes.
“Sepse nëse i thoni Serbisë se pavarësia do të vjen në fund ju e inkurajoni Serbinë për ta shtyrë fundin, por tani njohja e ndërsjellë nuk është në fund të procesit por është në qendër të marrëveshjes. Nuk po them se nuk do të ketë edhe pika tjera në marrëveshje por pjesa qendrore ka të bëjë me njohjen e ndërsjellë. Kjo qasje e re, pra me agjendën e re në Bruksel, ku synon të kemi një kornizë të përgjithshme për marrëveshje si tema numër një e bisedimeve më bën optimist për muajt që kemi përpara dhe për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme”, ka nënvizuar Kurti.
Ai gjatë ekspozesë në këtë seminar ka thënë se synimi i Kosovës është të forcohet e të bëhet anëtare e NATO-s dhe në këtë mënyrë të kontribuojë në promovimin e vlerave demokratike e të paqes nëpër botë.
“NATO është i vetmi aleat politik dhe ushtarak që synon të ruajë të arriturat e shoqërisë njerëzore dhe vlerat e avancuar demokratike të cilat si qendër gravitacioni kanë jetën dhe zhvillimin e qenies njerëzore. Në këtë mjedis bashkëkohor, të sigurisë dhe demokratike dhe shoqëria njerëzore është duke u sfiduar nga rilindja e ideve të vjetra po jo të harruara fashiste e hegjomoniste”, tha Kurti.
Ai ka thënë se këtë vit është rritur buxheti për mbrojtje në 102 milionë euro, teksa sipas tij synimi është që buxheti për mbrojtje së shpejti të arrihet në 2 për qind të bruto produktit vendor.
Kurti ka folur edhe për lidhjen e ngushtë të Serbisë me Rusinë, si dhe bazat ushtarake që Serbia i ka në kufi me Kosovën.
Duke folur për liberalizimin e vizave, Kurti ka thënë se kjo është një çështje e vonuar për shkak të hezitimit të disa shteteve anëtare, edhe pse Kosova i ka plotësuar 95 kritere, teksa është shprehur optimist për një vendim pozitiv në të ardhmen e afërt.
Kurti: NATO-ja mbetet aleanca e vendeve që kanë synim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në nivel global
Kryeministri Albin Kurti në seminarin e 102-të Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, me temën “Integrimi euro-atlantik i Ballkanit Perëndimor: sfidat e zgjatura, realitetet e reja dhe perspektivat e ardhshme, ka theksuar se NATO-ja, si një organizatë e dizajnuar për të promovuar vlerat demokratike, për të ndërtuar besimin dhe për të parandaluar konfliktet, vazhdon të mbetet aleanca e vendeve që kanë synim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në nivel global.
Në ambientin e sotëm global të sigurisë, vlerat demokratike dhe shoqëria njerëzore janë duke u sfiduar seriozisht nga shpërfaqja e ideve të vjetra por jo të vdekura siç janë hegjemonizmi dhe fashizmi, u shpreh kryeministri Kurti.
“Politika ekspansioniste dhe militariste e Federatës Ruse, tendenca kineze për hegjemoni ushtarake regjionale dhe hegjemoni ekonomike globale, përpjekja iraniane për ndryshim te ekuilibrit të forcave në Lindjen e mesme si dhe kërcënimi militarist i Koresë së Veriut ndaj Lindjes së largët, janë treguesit më të mirë se sa serioze dhe e brishtë është situata e sigurisë në nivel global”, veçoi ai.
Para të pranishmëve të shumtë në këtë Seminar, kryeministri Kurti përmendi edhe Ballkanin perëndimor si regjion me shumë probleme të pazgjidhura, duke thënë se jo vetëm që nuk është imun por është tejet i cenueshëm në aspektin e stabilitetit dhe sigurisë. Lidershipi politik i Serbisë, siç potencoi ai, ka maksimizuar mundësinë që i ka dhënë ndryshimi i ambientit strategjik të sigurisë, për të shtyrë përpara interesin e saj parësor për një Serbi si homogjeni regjionale.
Republika e Kosovës është shumë e qartë në orientimin e saj politik dhe strategjik drejt integrimit në strukturat euro-atlantike. Në këtë aspekt, kryeministri tha se Qeveria e Republikës së Kosovës ndër prioritetet e saj kryesore ka promovimin e vlerave demokratike, angazhimin diplomatik për përafrim me NATO-n dhe Bashkimin Evropian, si dhe ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes në përputhje me standardet e NATO-s.
Në këtë frymë, kryeministri veçoi se në vitin 2022 ka ndarë buxhet prej 102 milionësh për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kjo shifër, siç deklaroi ai, shënon rritje prej 52% të kësaj linje buxhetore në krahasim me vitin e kaluar dhe synojmë që brenda mandatit të kësaj qeverie të arrijmë përqindjen prej 2% të GDP që është një standard i pashkruar për vendet e NATO-s.
Për më tepër, Qeveria e Kosovës ka qenë jashtëzakonisht e përkushtuar për të kompletuar aspektin ligjor për të mundësuar zhvillimin e FSK-së në përputhje me ushtritë e vendeve të NATO-s.
Kryeministri Kurti përmendi angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ndërtimin dhe fuqizimin e saj përmes trajnimeve të ndryshme dhe nën mbikëqyrjen e parterëve të NATO-s, duke veçuar pjesëmarrjen në ushtrimin “Defender Europe 21” dhe bashkëzbarkimin FSK-së me njësitë e Gardës Kombëtare të Iowas-s në lindjen e mesme.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe në veçanti institucionet e mbrojtjes dhe sigurisë, do të vazhdojnë të zhvillohen, modernizohen dhe përgatiten bashkë me partnerët tanë të NATO-s me synim që në një të ardhme të afërt, vendi ynë të anëtarësohet në NATO dhe të jap kontribut në promovimin e vlerave demokratike dhe paqen e sigurinë në botë. /Kosovatimes/