Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, tha se bashkëpunimi me Shqipërinë është jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo vetëm për neve si Qeveri e Republikës, por edhe për qytetarët dhe se përgjegjësia jonë përveçse politike është edhe historike. Kete ndeklarate ajo e beri pas takimit me homologun e tij shqiptar Ulsi Manja ku shprehën vullnetin për bashkërendimin e aktiviteteve në finalizimin e marrëveshjeve.
Ajo tha ta ketë njoftuar homologun e saj për reformat që tashmë kanë nisur e disa prej tyre po përmbyllen që ndërlidhen me mandatin e MD-s siç janë reforma në veting, ligjet që kanë të bëjmë me fuqizimin e sistemit prokurorial, aspekti i konfiskimit civil etj.
Ndërkohë ka thënë se ka nisur puna e përbashkët me qëllim të realizimit të qëllimeve që lidhen me negocimin e një marrëveshje për njohjen e zbatimit të dënimeve alternative e cila do të mundësojë që shtetasit kosovar të liruar me kusht nga organet e Shqipërisë të mbikëqyren nga Shërbimi Sprovues i Kosovës.
“Sa i përket kësaj, Manja më njoftoi se një numër i madh i qytetarëve të Kosovës obligohen të paraqiten në Shërbimin Sprovues të Shqipërisë dhe me arritjen e kësaj marrëveshje kjo do të shkojë në interes të qytetarëve. Planifikojmë që brenda këtij viti të përmbyllet e finalizohet, jemi optimist që kjo të ndodhë në mbledhjen e ardhshme të dy qeverive”, tha ajo.
Gjithashtu Haxhiu ka treguar për tri nisma përmes së cilave garantohet reciprociteti në lejimin e ushtrimit të profesionit të avokatit, ndërmjetësuesit në shtetet përkatëse dhe njohja e ndërsjellë e provimit të jurisprudencës.
Manja: Bashkëpunimi në mes dy vendeve tona, fillon nga drejtësia
Ministri i drejtësisë, Ulsi Manja ndërkaq tha se takimi i sotëm në përbërje të një delegacion të madh përfshirë edhe të Drejtorisë së Burgjeve dhe Provës së Shqipërisë shpreh vullnetin e dy ministrive për t’i quar përpara marrëveshjet.
“Bashkëpunimi mes dy vendeve tona fillon nga drejtësia. Konstatoj se sa i përket dy ministrive tona nuk ka asnjë pengesë në bashkëpunimin tonë si në fushën penale ashtu edhe në atë civile dhe tregtare”.
Ai ka thënë se nuk ka më asnjë pengesë ligjore për bashkëpunim civil dhe tregtar.
“Që do të thotë që shtetasit e Kosovës kanë të njëjtat të drejta si ata të Shqipërisë për të bashkëpunuar lirshëm në fushën civile dhe tregtare, e kjo i shërben hapjes së tregut, por pse jo edhe përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë në të dy vendet tona”, tha tutje Manja.
Ai tha se së shpejti do të nisë zbatimi i marrëveshje sa i përket kosovarëve të dënuar me dënime alternative në Shqipëri.
“Është një numër rreth 284 shtetas që paraqiten çdo muaj në shërbimin e provës në Shqipëri. Tash e tutje pas finalizimit dhe zbatimit të kësaj marrëveshje do të jetë Shërbimi Sprovues në Kosovë që do t’i mbikëqyrë dënimet alternative të shqiptuara nga gjykatat në Shqipëri”.
Po ashtu, Manja ka treguar se së shpejti do të ketë rezultate edhe për profesionet e lira, për avokatinë, përmbarimin, noterinë, përkthyesit zyrtar, ndërmjetësit e pasurive të paluajtshme etj.
Manja për raportin e Dick Martyt: Shqipëria tashmë ka një rezolutë
I pyetur nga gazetarët ministri shqiptar i drejtësisë foli edhe për raportin e Dick Martyt.
“Qëndrimi im në raport me këtë që ju parashtroni është i qartë, unë nuk kam çka të shtoj më tepër se sa që ka thënë kryeministri Rama dhe çfarë ka thënë parlamenti i Shqipërisë me rezolutën e miratuar së fundi. Si ish prokuror për shumë vite në Shqipëri edhe në kohën e luftës në Kosovë e kryetar i Komisionit të Posaçëm Hetimor për raportit të Dick Martyt kam shumëçka të them, por dua ta ndaloj këtu”, tha Manja
Haxhiu: Marrëveshja për burgjet me Danimarkën shpejtë në Kuvend
Ministrja e drejtësisë tha se nuk kanë mundur të fillojnë rinovimet në qendrën në Gjilan për shkak se fillimisht duhet të ratifikohet marrëveshja në Kuvend.
“Ne kemi pasur diskutime të gjata ndërmjet ministrive të Ekonomisë, ajo e Kosovës dhe Danimarkës. Tash mund të them që diskutimet janë përmbyllur e kanë pasur të bëjnë me mbështetjen për energjinë e gjelbër. Siç e dini një pjesë e konsiderueshme e mbështetjes vjen edhe për energjinë e gjelbër. Prandaj ne nuk kemi mundur të nisim rinovimet në qendrën në Gjilan për pa ratifikuar marrëveshjen në Kuvend, por duket që e njëjta shpejtë do të procedohet. Synimet janë brenda një muaji kjo marrëveshje të procedohet në Kuvendin e Kosovës. /Kosovatimes/