Në manastirin e Patrikanës së Pejës, në perëndim të Kosovës, u mbajt akti ceremonial i shugurimit të patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Porfirije, në fronin e kryepeshkopit të Pejës dhe patriarkut të serbëve.
Pas shugurimit, Porfirije tha në Patrikanën e Pejës se programi i tij është “paqja dhe vetëm paqja, dhe para së gjithash me fqinjët e parë, paqja është e vetmja mundësi për mbijetesën e fëmijëve tanë dhe të tyre”.
Pas liturgjisë së shenjtë, ai ftoi të gjithë besimtarët të luten për paqe.
“Ftoj të gjithë besimtarët nga ky vend që të lutemi për të gjithë njerëzit, për të gjithë vëllezërit dhe motrat, për të gjithë bashkatdhetarët dhe ata me të cilët jetojmë, e para së gjithash për vëllezërit shqiptarë, që së bashku të ndërtojmë paqen, ashtu siç ndërtuan familjet serbe me ato shqiptare, të cilat e ruajtën Patrikanën e Pejës dhe Manastirin e Deçanit në kohët e mira dhe të liga”, tha patriarku Porfirije.
Ai shtoi se një ftesë të tillë e ka bërë në fillim të fjalimit të tij, pikërisht që dikush të mos e lexojë ndryshe programin e patriarkut dhe të gjithë kishës serbe, përveç ashtu siç është shkruar në ungjij.
Porfirije theksoi se përgjegjësinë për situatën në Ballkan e kanë para së gjithash njerëzit që jetojnë atje.
“Prandaj, sot nga ky vend i shenjtë u themi serbëve dhe shqiptarëve dhe kujtdo që jeton në këto vise – gjeni forcë në veten tuaj, njihni Zotin dhe ejani të mbrojmë njëri-tjetrin, sepse dëshira për paqe është në përputhje me parimet themelore të besimit tonë dhe paqes. Është pjesë e planit të Zotit për njerëzimin dhe gjithë botën e krijuar”, theksoi patriarku serb.
Më 14 tetor, Kisha Ortodokse Serbe dhe besimtarët shënojnë festën fetare të manastirit të Patrikanës së Pejës.
Akti i shugurimit të patriarkut u bë një vit e tetë muaj pas zgjedhjes së tij si udhëheqës i Kishës Ortodokse Serbe.
Në ceremoninë e shugurimit morën pjesë përfaqësuesit e Listës Serbe, mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije, si dhe qytetarë serbë nga Kosova dhe shtetet e rajonit.
Patriarku Porfirije erdhi në Kosovë më 12 tetor, ku u prit nga peshkopi i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, si dhe nga klerikët dhe murgjit e tjerë të Kishës Ortodokse Serbe.
“Sa herë që vijmë këtu (në Kosovë) kemi një ndjenjë të thellë se jemi kthyer te vetja”, tha patriarku serb në një fjalim nga Prizreni, para shugurimit.
Policia e Kosovës me plan operativ
Më herët, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë (REL), tha se është përgatitur një plan operativ për garantimin e sigurisë gjatë aktit të shugurimit të patriarkut Porfirije.
Ai shpjegoi se plani operativ ka hyrë në fuqi më 12 tetor dhe do të zgjasë deri në përfundimin e aktit të shugurimit.
“Të gjitha masat për siguri janë ndërmarrë nga Drejtoria rajonale (e Pejës) për manifestimin që e ka Patrikana në Pejë”, tha Gashi.
Pse është i rëndësishëm shugurimi në Patrikanën e Pejës?
Akti i shugurimit në manastirin e shekullit XIII, në Patrikanën e Pejës, është vendi ku patriarkët serbë, sipas traditës, marrin detyrën.
Në Patrikanën e Pejës është shuguruar patriarku i parë i Patrikanës Serbe, Dimitrije (Pavloviq), më 24 gusht të vitit 1924, ndërkaq më vonë aty janë shuguruar edhe pasuesit e tij në fronin e Shën Savës.
“Për tetë shekuj, manastiri i Patrikanës së Pejës ka ruajtur fronin e shenjtë, në të cilin janë hyj trashëgimtarët e Shën Savës dhe nga i cili kryepeshkopët dhe patriarkët serbë qeverisin Kishën Ortodokse Serbe”, ka thënë javën e kaluar Kisha Ortodokse Serbe, kur u paralajmërua shugurimi i patriarkut Porfirije në Patrikanën e Pejës.
Çfarë ka thënë patriarku për Kosovën?
Në shkurt të vitit 2021, menjëherë pas ngjitjes në fron, patriarku Porfirije tha se prioriteti i parë, si për të ashtu edhe për Kishën, do të jenë “serbët e vuajtur nga Kosova, të cilët jetojnë në unitet të pathyeshëm me serbët që janë kudo në botë”.
“Ne jemi në Kosovë dhe Kosova është në ne”, tha Porfirije, pas shugurimit si patriark, më 19 shkurt, në Kishën e Krye-engjëllit Mihail në Beograd.
Ndërkohë, ai ka ardhur disa herë në Kosovë, ndërsa herën e fundit e ka mbajtur shërbesën përkujtimore në Gazimestan, më 28 qershor të vitit 2022, me rastin e festës së Shën Vidit të Kishës Ortodokse Serbe.
Çdo vit, në atë vend organizohet përvjetori i Betejës së Kosovës e vitit 1389, ngjarje kjo që shënoi fillimin e rënies së shtetit mesjetar serb nën sundimin osman. Në historinë moderne, veçanërisht gjatë viteve ’90 të shekullit XX, ajo u përdor për qëllime të popullarizimit të politikës nacionaliste serbe, e cila përcolli shpërbërjen e përgjakshme të Jugosllavisë.
Në shënimin e sivjetshëm të Shën Vidit, Porfirije porositi nga Graçanica, komunë me shumicë serbe afër Prishtinës, se populli serb dhe shqiptar janë “vëllezër”, sepse jetojnë së bashku në Kosovë.
“Dhe, jam i sigurt se ata gjithashtu e dinë, nëse besojnë në Zot, në një Zot, se edhe librat në të cilat besojnë pjesa më e madhe e tyre, e kërkojnë të njëjtën gjë. Ato (librat) ftojnë dhe kujtojnë se vetëm në bashkësi mund të jemi në rrugën e Zotit. Se ne të gjithë kemi nevojë për njëri-tjetrin dhe se është e rëndësishme që ne vet ta kuptojmë këtë”, tha në atë kohë patriarku.
Ndalesa për përfaqësuesin serb, mesazh i kryeministrit të Kosovës
Ndërkohë, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, deklaroi se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ia ka ndaluar hyrjen. Vendimin e tillë ai e quajti si “më skandalozi” pasi kishte planifikuar të merrte pjesë në shugurimin e patriarkut në Patrikanën e Pejës.
Petkoviq deklaroi se në emailin që i është dërguar, nuk shpjegohet pse vizita e tij ishte e ndaluar. Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur të marrë përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 12 tetor, ka thënë se më e rëndësishme është që ka ardhur patriarku Porfirije dhe se kisha duhet të veprojë veçmas nga politikanët.
Ai vlerësoi, gjithashtu, se Kisha Ortodokse Serbe e kryesuar nga patriarku Porfirije, duhet të “distancohet nga Kremlini”.
“Do të ishte mirë që patriarku serb, kreu i Kishës Ortodokse Serbe, të dënonte agresionin e Rusisë kundër Ukrainës dhe në këtë mënyrë të kontribuonte për paqen dhe stabilitetin”, tha Kurti.
Mesazhet kundërthënëse të patriarkut
Në shtator, patriarku serb, Porfirije, mbështeti anulimin e paradës Europride (shëtitjes së LGBT+) në Beograd dhe me atë rast udhëhoqi ecjet fetare, në të cilat ishin të pranishëm grupet ekstreme djathtiste.
Në ato tubime, përveç simboleve të kishës, u theksuan edhe simbolet e pushtimit rus të Ukrainës.
Gjithashtu, më 7 tetor Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi mbajti një tubim fetar, duke u lutur “për shenjtërinë e martesës dhe ruajtjen e familjes” në shenjë proteste kundër mbajtjes së Paradës së Krenarisë në atë vend. Në proklamatë, për pjesëmarrësit e kësaj parade, thuhej se “me vlerat e çoroditura që propagandojnë, tallen me traditën e krishterë, duke minuar familjen, kombin dhe shtetin”.
Në vitin 2019, Kisha Ortodokse Serbe i dhuroi presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dekoratën e Shën Savës të Urdhrit të Parë për “dashurinë e tij aktive për Kishën dhe luftën e palodhshme për integritetin e Serbisë, e në veçanti për ruajtjen e Kosovës dhe Metohisë si pjesë e saj”.
Më pas, në shtator të vitit 2022, patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, e dekoroi kryeministrin hungarez, Viktor Orban, “për meritat e tij në mbrojtjen e vlerave të krishtera”. Kryeministri Orban, deklaroi më pas se ishte krenar që dekoratën ia dha një i krishterë, ortodoks dhe serb.
Ndërkohë, në shtator, Dioqeza e Kishës Ortodokse Serbe me seli në Çikago i dha dekoratën “Peshkopi i Shenjtë Mardari” liderit të Partisë Radikale Serbe, Vojislav Sheshel.
Kjo ishte dekorata e tretë nga Dioqezat e Kishës Ortodokse Serbe për Sheshelin, i cili me aktvendim përfundimtar u dënua me 10 vjet burgim nga Tribunali i Hagës, në vitin 2018, për nxitjen e persekutimit, dëbimit të dhunshëm dhe zhvendosjes së detyruar të kroatëve në fshatin Hërtkovci të Vojvodinës, në vitin 1992. Lidhur me këtë, Patriarku Porfirije nuk ka folur fare.
Marrëdhënia ndërmjet Porfirijes dhe Vuçiqit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar me patriarkun Porfirije menjëherë pas zgjedhjes së tij në krye të Kishës Ortodokse Serbe, ku temë kryesore e bisedës ka qenë Kosova.
“E njoftova patriarkun për gjendjen faktike në Kosovë dhe Metohi, si dhe për faktet politike dhe negociatat politike që na presin, apo për ato që i kemi përfunduar”, tha në atë kohë Vuçiq.
Një takim i ngjashëm ndërmjet Vuçiqit dhe patriarkut është mbajtur në maj të këtij viti, ku përveç Kosovës është diskutuar edhe për luftën në Ukrainë.
Asokohe, patriarku tha se Kisha Ortodokse Serbe, kudo që është, respekton ligjet në fuqi në ato shtete, por se shpesh është viktimë e manipulimit mediatik nga njerëz që duan të keqpërdorin kishën në proceset gjeopolitike.
“Ata duan të na tregojnë se jemi të orientuar kështu ose ashtu, se jemi dorë e zgjatur e dikujt ose se kemi plane të errëta”, tha ai.
Parlamenti Evropian (PE) në rezolutën e tij, me të cilën në mars dënoi përpjekjet e Rusisë për të përfituar nga tensionet etnike në Ballkanin Perëndimor, shprehu gjithashtu shqetësimin për “përpjekjen e Kishës Ortodokse për të promovuar Rusinë si një mbrojtëse të vlerave tradicionale familjare dhe për të forcuar marrëdhëniet midis shtetit dhe Kishës”.
Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, veçanërisht në entitetin Republika Sërpska, janë vende që, sipas PE-së, i nënshtrohen ndikimit të Kishës Ortodokse Serbe.