Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Z.B., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, me datë 08.06.2022, rreth orës 14:40, në rrugën “Suzi Qelebi”, në Prizren, i pandehuri Z.B., me dashje e sulmon personin zyrtar në lidhje me detyrën zyrtare – zyrtarin policor, përkatësisht të dëmtuarin Q.D., për shkak të shqiptimit të tiketës për kundërvajtje, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari së bashku me dy zyrtar tjerë policor Sh.D., dhe Xh.H., ishin në detyrë zyrtare duke patrulluar në rrugën e lartpërmendur, kanë hasur disa vetura të parkuara në mënyrë të parregullt, ndër to edhe vetura e markës “Volvo“, pronë e të pandehurit, ku i dëmtuari në xhamin e veturës i ka vendosur “njoftim për paraqitje obligative në stacion policor dhe vendimin për kundërvajtje”. I pandehuri Z.B., me të vërejtur zyrtarin policor afër veturës së tij, i afrohet dhe të njëjtit i drejtohet me fjalë të rënda ofenduese, dhe më pas i pandehuri me veprimet e tij i kanoset seriozisht se do ta sulmojë personin zyrtar – të dëmtuarin Q.D.
I pandehuri më pas, njoftimin për kundërvajtje e gris dhe copëzat e saj ia hedh në fytyrë të dëmtuarit dhe i vërsulet të njëjtit për ta sulmuar, i dëmtuari duke e vërejtur rrezikun se do të sulmohej nga i pandehuri, e përdorë pajisjen zyrtare “Sprej OC“, duke hedhur të njëjtin në drejtim të të pandehurit, më pas i pandehuri largohet nga i dëmtuari.
Me këto veprime, i pandehuri Z.B., ka përmbushur elementet e veprës penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. /Kosovatimes/