Shqipëria do të mbajë zgjedhjet lokale më 14 maj të vitit të ardhshëm.
Data e zgjedhjeve është dekretuar të hënën nga presidenti shqiptar, Bajram Begaj, pas konsultimeve që ka zhvilluar këtë muaj me krerë dhe përfaqësues të partive politike.
Në një komunikatë për media, Presidenca shqiptare ka thënë se “presidenti Begaj vlerëson nevojën e vendosjes së normalitetit politik në pushtetin vendor dhe u bën thirrje partive politike që të shkojnë në këto zgjedhje me alternativa serioze dhe konkurruese”.
Aktualisht, të gjitha bashkitë në Shqipëri drejtohen nga përfaqësues të Partisë Socialiste dhe aleatë të saj, me përjashtim të Shkodrës, që drejtohet nga Bardh Spahia i Partisë Demokratike.
Një rezultat i tillë është krijuar pasi zgjedhjet lokale të vitit 2019 janë bojkotuar nga opozita.
Ndërkohë, më 6 mars të këtij viti janë mbajtur zgjedhje të pjesshme në gjashtë bashki: Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë, meqë ato kanë mbetur pa drejtues për arsye të ndryshme – kryesisht të lidhura me dekriminalizim.
Procesi i 14 majit shënon zgjedhjet e nënta lokale që do të mbahen në Shqipëri, prej rënies së komunizmit, pa përfshirë këtu zgjedhjet e pjesshme lokale.