Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës – ka qenë “”joligjor dhe i dhunshëm”, dhe se qëllimi i tij kryesor është “shtypja” e ekzistencës së serbëve në Kosovë.
“Kurti ka marrë vendim joligjor që serbët, të cilët kanë makina me targat KM (Mitrovicë e Kosovës), duhet të riregjistrohen në RKS, të cilat janë në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet që janë nënshkruar deri më tani”, ka thënë Petkoviq për Radiotelevizionin e Serbisë.
Ai ka përsëritur se Kurti dëshiron të frikësojë serbët, mirëpo që Serbia nuk do të lejojë pogrom.
Më 28 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka prezantuar planin – që pritet të zgjasë deri më 21 prill – për targat e makinave që lëshohen nga autoritetet serbe në qytetet e Kosovës.
Sipas planit, të gjithë pronarët që kanë makina me këto targa do të marrin paralajmërime nga 1 nëntori dhe kjo masë do të vazhdojë për tri javë – deri më 21 nëntor.
Më pas, deri më 21 janar të vitit 2023 do të ketë gjobë dhe më vonë do të lëshohen targat provuese për dy muaj.
Sipas planit, prej 21 prillit nuk do të mund të ketë më targa serbe.
Me vendim të Qeverisë së Kosovës, afati i fundit për riregjistrimin e makinave në RKS ka qenë 31 tetori i këtij viti.
Besohet se në Kosovë janë rreth 10.000 makina me targa serbe.
Më 31 tetor, Petkoviq ka thënë për Radiotelevizionin e Serbisë se serbët në Kosovë, nuk dëshirojnë targa tjera të makinave dhe se serbët që jetojnë në “Kosovë dhe Metohi e konsiderojnë veten qytetarë të Republikës së Serbisë”.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjimin e tyre se pse Qeveria e Kosovs nuk ka vepruar në përputhje me kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë.
I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pati thënë se ShBA-ja, bashkë me partnerët evropianë, i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës shtyrje dhjetëmujore të vendimit për targat, ndonëse besojnë se Kosova ka të drejtë të zbatojë vendimin.
Petkoviq ka thënë se ShBA-ja është duke përmendur se vendimi është në përputhje me marrëveshjet e arritura dhe se gabim është vetëm afati i shkurtër.
“Ne kemi parë njoftime nga Uashingtoni dhe Brukseli, por ne duhet të shohim edhe veprime konkrete”, ka thënë Petkoviq.
Tensionet rreth targave
Më 31 korrik dhe 1 gusht serbët lokalë në veri të Kosovës kanë vendosur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.
Targat serbe konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.
Vendimi për zbatim të këtyre dy vendimeve është shtyrë për 1 shtator, edhe me kërkesë të mekanizmave ndërkombëtarë.
Ndërkohë është arritur marrëveshje për dokumentet për hyrje/dalje.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.
Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”.