Familjari i të moshuarës që është sulmuar në Qendrën për Kujdesin e të Moshuarve në Pejë, ka thënë se ajo është mirë tani pasi që rasti ka ndodhur para disa ditëve.
Më tej, dhëndri i të moshuarës, ka thënë se fatkeqësisht nuk kanë mund ta identifikojnë dhunën më herët pasi ajo vuan nga sëmundja e “Alzheimer”.
“Zonja Minire Nura është banore e kësaj qendre qe një vit. Me publikimin e videos në medie jemi shqetësuar që të gjithë dhe bashkëshortja ka kërkuar që ta tërhekim nga kjo qendër. Ne nuk kemi mund me ditë pasi ajo vuan nga alzheimeri, prandaj se kemi ditë”, ka thënë ai para mediave.
Tutje, ai ka thënë se “ajo është nënë e dëshmorit që ka humbur djalin në moshën 17-vjeçare e që është edhe më e dhimbshme”.
Dhëndri i viktimës së dhunës në Shtëpinë e të Moshuarve ka bërë të ditur se vjehrra e tij është vizituar nga familjarët 2-3 herë në javë, por se nuk kanë vërejtur diçka të dyshimtë.