Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka komentuar zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Përmes një deklarate, ai ka thënë se këto zhvillime “i vënë në rrezik vitet e punës së palodhur dhe arritjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe pengojnë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë”.
Bashkimi Evropian, tha ai, u bën thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme.
Në lidhje me largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës, Borrelli tha se kjo nuk i zgjidhë mosmarrëveshjet. Madje, tha ai, mund t’i përshkallëzojë tensionet edhe më tej.
“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale. Ajo ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren”, u shpreh Borrelli.
Ai u bëri thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë ato në polici, gjyqësori dhe në administratat lokale.
“Në të njëjtën kohë, BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga Palët në kuadër të Dialogut”, theksoi ai.
BE-ja, tha Borrelli, gjithashtu i bën thirrje Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni/Bashkësia duhet të krijohet. Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm për të zbatuar këtë obligim cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, potencoi shefi i diplomacisë evropiane.
Më tej, Borrelli thotë se “është përgjegjësi e palëve të garantojnë paqen dhe stabilitetin” dhe se “çdo veprim, si djegia e makinave, ose retorika frikësuese që mund të çojë në tensione, është e papranueshme dhe do të shkaktojë një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar”.
Në koordinim të ngushtë me KFOR-in dhe Policinë e Kosovës, Borrelli tha se EULEX-i është i gatshëm të sigurojë stabilitet në terren në Kosovë në rolin e tij si reagues i dytë i sigurisë.
Ai tha se EULEX-i dhe KFOR-i do të vazhdojnë mbështetjen për të mbajtur një mjedis të sigurt në përputhje me mandatet e tyre përkatëse.
BE-ja, tha Borrelli, “u kërkon palëve të zgjedhin me zell rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga çdo veprim që do të çonte në dhunë dhe konfrontim”.
“BE-ja është e gatshme të vazhdojë të lehtësojë negociatat, por të dyja palët duhet të tregojnë gatishmëri për të kërkuar zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre të bëra në Dialog”, përfundoi shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell. /Kosovatimes/