Lideri i AAK Ramush Haradinaj ka kritikuar vendimin e qeverisë për targat duke rikujtuar se
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes zyrtarëve të saj, që nga Ambasadori Hovenier e deri te Sekretari i Shtetit z. Blinken, kërkuan nga Kosova pezullimin e vendimit për targat deri në Marrëveshjen Finale.
“Kësaj kërkese iu bashkuan edhe vendet e QUINT-it por edhe vendet e tjera të NATO-s, aleate tonat në siguri. Kjo kërkesë nuk është vetëm politike por garanton sigurinë e vendit tonë e veçanërisht sigurinë e rendin në veri të vendit”, tha ai.
Sipas tij ata që dalin jashtë kësaj kërkese nuk punojnë në interes të sigurisë së vendit tonë e as të zbatimit të ligjit.
“Kurti me demagogët e vet, qoftë në qeveri e qoftë jashtë saj, nuk janë me aleatët e sigurisë dhe as nuk janë të interesuar për sigurinë e Republikës së Kosovës. Kjo situatë është bardh e zi. Në vend që të vazhdohet me demagogji, menjëherë duhet të pranohet kërkesa e Amerikës, QUINT-it dhe aleatëve të tjerë të NATO-s për shtyrjen e vendimit për targat deri në Marrëveshjen Finale për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, shkruan Haradinaj. /Kosovatimes/