Anëtarja e LDK Sibel Halimi e ka cilësuar si të pavërtetë deklaratën e kryeministrit për rritje ekonomike në një kohë kur qytetarët janë duke u ballafaquar çdo ditë me kriza të shumëfishta, si rezultat i inflacionit dhe rritjes enorme të çmimeve.
“Kryeministrit i kujtohet të propagandojë për rritje ekonomike, ‘rritje’ e cila është 5 herë e gjysmë më e ultë se inflacioni prej 20% në produkte bazike, sipas Bankës Botërore. Rritjen reale prej 3.7%, mundohen të na e shesin për 4.9%.
Kryeministri, duhet ta ketë të qartë se vendi nuk zhvillohet duke prezantuar realitet fiktiv, por duke ndërhyrë për ta përmirësuar atë. Kjo arrihet me një program vizionar, i cili ngërthen në vete projekte madhore dhe politika të mire studiuara fiskale. Vizioni që s’e kanë dhe projektet që s’i pamë, janë arsyeja për pikën ku ramë”, shkruan ajo në profilin e saj në facebook. /Kosovatimes/