Nën intonimin e himnit kombëtar shqiptar dhe himnit të Kosovës, ka filluar në Tiranë punimet mbledhja e përbashkët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, organizuar për nder të 110-vjetorit të Pavarësisë Shqipërisë. Kjo njëherësh është mbledhja e parë që të dy parlamentet mbajnë së bashku, duke shënuar kështu nivelin më të lartë të bashkëpunimit në historinë e parlamentarizmit në të dyja shtetet.
Nikolla: Sa më shumë të koordinohemi aq më shumë përparojmë
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, në fjalën e saj përshëndetëse tha se kjo është një ditë e bekuar dhe se bashkësia shqiptare në rajon duhet të bashkëpunojë më shumë për të krijuara jo vetëm një të ardhme më të mirë për shqiptarë por për të gjithë rajonin.
“Ditë e bukur dhe e paharrueshme kjo e sotmja, për herë të parë jemi bashkë për të festuar ngritjen e flamurit. Dikur as si ëndërr nuk mund të na shfaqej ky moment për shkak të pengesave të historisë. Shqipëria dhe Kosova janë sot dy shtete të pavarura me miq dhe aleatë të mëdhenj dhe me aspiratë të përbashkët drejt Brukselit”, tha Nikolla, transmeton rtsh.al.
Sipas saj, sfidat e shqiptarëve në shekullin që kemi hyrë janë të përbashkëta dhe përballen me projekte të përbashkëta.
“Sa më shumë të koordinohemi aq më shumë përparon bashkësia shqiptare në Ballkan. Sa më e qëndrueshëm bashkësia shqiptare as më i qëndrueshëm do të jetë Ballkani dhe Europa. Dy Kuvendet tona duhet të japin kontribut në fushën e legjislacionit për një jetë më të mirë”, tha Nikolla.
Konjufca: 28 nëntori është dita e të gjithë shqiptarëve
Edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, tha se 28 nëntori është dita e të gjithë shqiptarëve dhe se të dy vendet kanë aspirata të përbashkëta drejt BE.
“Kur ishim të shtypur dhe nën terrorin jugosllave, popullin tonë të pamposhtur e mbajti gjallë lidhja e fuqishme me 28 nëntorit dhe dashuria për komb in gdhe gjuhën tonë shqipe. Rruga ishte e gjatë dhe aspak e lehtë për kombin tonë. Së para ishin ardhja e demokracisë në Shqipëri dhe çlirimi i Kosovës nga pushtuesi serb”, tha Konjufca.
Sipas tij, sot Shqipëria është anëtar e NATO-s dhe vend kandidat për në BE, ndërsa Kosova aspiron anëtarësimin në BE. Të dy vendet janë në krahë në miqësisë së thellë dhe të përhershme të SHBA-së.
“Duhet të reflektojmë për sfidat që kemi parë dhe pengesat që duhet të kapërcejmë”, tha ai.
“Sa më afër njëra-tjetrës Shqipëria me Kosovën, aq më lehtë do të jetë për t’i mbrojtur interesat jetike të kombit tonë. Ne do të mund të shënojmë arritje të radhës si komb, vetëm nëse e kombinojmë mençurinë e Ukshin Hotit, atdhedashurinë e Adem Demaçit, maturinë e Fehmi Aganit, përgatitjen e Gazmend Zajmit dhe mendjemprehtësinë e Arbën Xhaferit”, tha Konjufca pos tjerash.