Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, e ka konsideruar papërgjegjësi institucionale rastin e vrasjes së një gruaje shtatzënë nga bashkëshorti i saj, më 30 nëntor në Prishtinë.
Viktima besohet se ishte rreth moshës 35-vjeçare.
Pas një takimi të ngushtë ndërministror, Haxhiu ka thënë të enjten për mediat se do të ketë dorëheqje dhe shkarkime të zyrtarëve policorë sapo të verifikohet dështimi institucional”.
“Viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë psikike dhe fizike, dhe prokuroria, personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt. Është një papërgjegjësi institucionale, është papërgjegjësi e prokurorit të rastit, sepse ne në vazhdimësi po bëjmë thirrje që të mbrohen jetët e grave dhe vajzave. Sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë do të mund të ishte parandaluar”.
Ajo ka thënë po ashtu se Ministria e Shëndetësisë, qendrat për punë sociale dhe institucionet tjera, kanë marrë përgjegjësi për të verifikuar çdo veprim institucional të lidhur me këtë vrasje.
“Një grua, bashkë me foshnjën e saj që priste ta sillte në jetë, u vra para objektit të Gjinekologjisë. Ishte një rast i rëndë, i kobshëm, i trishtë, dhe ky rast na tregon sa i shprehur është femicidi që po vret jetë vajzash dhe grash. Pesë ditë, dy jetë të humbura, dy gra të vrara nga bashkëshortët e tyre”.
Policia ende nuk ka bërë të ditur nëse ka arrestuar persona të dyshuar për këtë rast.
Autoritetet shtetërore e kanë dënuar këtë rast.
Viktima është gruaja e dytë që është vrarë në ditët e fundit në Kosovë.
Më 25 nëntor është raportuar se një burrë e ka vrarë gruan e tij me sëpatë në një lagje të Prishtinës.
Më 25 nëntor, në Kosovë ka nisur fushata “16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Baza Gjinore”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë.
Rastet e dhunës në familje në Kosovë janë rritur viteve të fundit.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, dhënë Radios Evropa e Lirë, gjatë periudhës janar-shtator 2022, janë regjistruar 2.067 raste të dhunës në familje me 2.126 viktima.
Nëse keni nevojë të raportoni dhunën në familje, këta janë numrat që janë vënë në dispozicion:
Policia e Kosovës: 192 dhe 0800 19 999
Mbrojtësit e viktimave: 0800111112