Pasi zbuloi planet për të aplikuar për anëtarësim në BE para fundit të vitit, presidentja Vjosa Osmani, në një intervistë për Euractiv, ka thënë se po bëhet përparim në lobimin e pesë vendeve anëtare të BE-së që aktualisht nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Që Kosovës t’i jepet statusi i kandidatit në BE dhe anëtarësimi, kërkohet miratimi unanim i 27 shteteve anëtare, të cilat mbeten të ndara për këtë çështje.
“Por, ne duam t’i përdorim këto vite në dy fronte, njëra, për t’u siguruar që të shtyjmë përpara reformat e rëndësishme në vendin tonë, që do të na afronin me BE-në. Dhe së dyti, për të bindur të gjithë anëtarët e BE-së që të mbështesin anëtarësimin e Kosovës dhe të na japin statusin e kandidatit”, tha presidentja Osmani.
Ajo ka shpjeguar se kanë zgjedhur që aplikimin ta bëjnë në dhjetor, gjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së, sepse Praga i ka dhënë shumë mbështetje Kosovës dhe rajonit dhe për shkak të shpresës që liberalizimi i vizave të finalizohet deri në fund të këtij muaji.
Duke komentuar samitin e Ballkanit Perëndimor të mbajtur në Tiranë këtë javë, Osmani tha se ajo pa një ndryshim në gjuhën e deklaratës së nënshkruar, pasi aty flitet për “perspektivën e anëtarësimit në BE për të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor”.
E pyetur nëse ka ndonjë strategji apo qasje specifike që po përdoret me pesë vendet mosnjohësse, ajo tha se po bëhet një qasje hap pas hapi dhe është bërë përparim.
“Me disa tashmë ka një nivel të lartë të bashkëpunimit ekonomik, të njohjes së dokumenteve, turizmit, kulturës, që do të thotë se ajo që ka mbetur është njohja formale. Pra, ne do të vazhdojmë me këtë qasje edhe me vendet tjera mosnjohëse, disa prej të cilëve kishin një qasje më të ngurtë ndaj Kosovës, por mendoj se po arrijmë atje, vetëm duhet të jemi të durueshëm”, ka shtuar Osmani.
Presidentja tutje tha se është mirënjohëse ndaj atyre që janë partnerë dhe aleatë, por theksoi se BE-ja në tërësi duhet të kuptojë se mesazhet e paqarta nuk janë më të përshtatshme në kontekstin aktual gjeopolitik.
“Mendoj se kjo është një nga ato pikat e lakimit në histori ku Bashkimi Evropian duhet të kuptojë se mesazhet e përziera, mesazhet e paqarta nuk i bëjnë gjërat më. Ata duhet të jenë të qartë ndaj Ballkanit Perëndimor, me mbështetje ndaj anëtarëve të Ballkanit Perëndimor që kanë marrë një pozicion të qartë për Ukrainën, një pozicion të qartë kundër Rusisë”, është shprehur Osmani.
Osmani tha se BE-ja ka preferuar historikisht zbutjen, veçanërisht në aspektin e rajonit të Ballkanit. Ajo tërhoqi paralele me sundimin e kriminelit Slobodan Millosheviç, i cili nga BE u “pa si paqebërës” në vitet 1990.
“Ne e dimë se ku na çoi kjo qasje. Ajo çoi në luftëra të tmerrshme që rezultuan në vrasjen e 150,000 civilëve, përdhunimin e mijërave të tjerëve, varre masive… me persona të pafajshëm ende të zhdukur. Ky është rezultati”, tha ajo.
Një çështje tjetër, sipas presidentes Osmani, është se shumë nga ata që punojnë në rajon ose në dialog për BE-në nuk kanë njohuri të dorës së parë për Ballkanin gjatë viteve 1990.
“Shumë të tjerë që tani janë të përfshirë besojnë se bota filloi në vitin 2011, me dialogun Kosovë-Serbi, por nuk duhet të harrojmë se ka një kontekst për këtë dialog. Ka një arsye pse jemi në situatën sot dhe nuk mund të injorosh kontekstin e viteve 1990”, ka shpjeguar ajo, duke iu referuar krimeve të luftës të kryera nga serbët pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Ajo theksoi se është e arsyeshme që Kosova të presë që BE-ja të jetë e drejtë dhe të pranojë realitetin në terren dhe taktikat që po përdor Serbia si instrumentalizimi i pakicës etnike serbe në Kosovë, për të cilat Osmani tha se vijnë direkt nga libri i lojërave që Rusia përdorte para aneksimit të Krimesë në 2014.
“Pra, duhet të jemi shumë vigjilentë dhe të kujdesshëm që të mos i injorojmë këto veprime dhe fjalë të Serbisë sepse duhet të parandalojmë përshkallëzimin e situatës. Por ju nuk mund të arrini parandalimin nëse fajësoni viktimën në të njëjtën mënyrë si fajësoni agresorin. Qoftë nëse flasim për Rusinë dhe Ukrainën, apo për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Osmani.
Ajo theksoi se “Serbia vazhdon të jetë rreziku i vetëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë, sepse ky stabilitet në Ballkanin Perëndimor po destabilizon të gjithë kontinentin evropian”.
“Pra, ne duhet të dimë se ekziston një burim jostabiliteti. Është vetëm një dhe ai burim po shërben si një përfaqësues rus, për fat të keq, duke u shërbyer edhe interesave ruse”, ka shtuar e para e shtetit tonë.
Osmani ka folur edhe për përditësimin e propozimit të ri franko-gjerman për dialogun Kosovë-Serbi. Ajo nuk pranoi të shtjellojë përmbajtjen e tij, teksa tha se tani është në fazën e analizës nga zyrtarët e lartë shtetërorë, të cilët më pas do të kenë një qasje të përbashkët dhe të koordinuar.
Megjithatë, ajo shpjegoi se njohja reciproke është e vetmja zgjidhje që do të garantojë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.
“Pra, ne po punojmë për ta realizuar atë. Kur do të bëhet kjo është një çështje tjetër. Por ky është qëllimi ynë, duke pasur gjithmonë parasysh se ne duhet të mbrojmë dhe ruajmë integritetin territorial të Kosovës, sovranitetin, si dhe karakterin e saj unitar siç parashikohet në Kushtetutën tonë. Ne do të vazhdojmë të jemi konstruktiv, të jemi të hapur, të jemi kreativ dhe të bëjmë kompromise kur është e nevojshme, por asnjëherë në atë mënyrë që do ta bënte Kosovën një shtet jofunksional. Kjo është vija e kuqe”, ka përfunduar Osmani.