Lëvizja studentore për barazi – “STUDIM -KRITIKË-VEPRIM” kanë reaguar ndaj zvarritjes së finalizimit të objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, pra një dekadë e tërë nuk ka mjaftuar për të finalizuar punimet për një objekt me rreth nëntë (9) mijë metra katror.
“E “koston” e shkeljeve, keqpërdorimeve dhe pazareve që janë bërë për ndërtimin e këtij objekti po i “paguajnë” vet studentët e këtij fakulteti, të cilët filluan vitin e dytë në kushte aspak dinjitoze, në një Gjimnaz me nxënës të nivelit të mesëm arsimor, e që nuk plotëson fare kushtet që kërkon një fakultet i tillë si i Bujqësisë dhe Veterinarisë”, thekson LSB.
Në vitin 2013 kur kanë filluar punimet, ishte paraparë që brenda tri viteve të inaugurohej objekti. Por tashmë për pak ditë bëhet një dekadë nga nënshkrimi i kontratës milionëshe ende të parealizuar.
Për këtë çështje Parlamenti Studentor iu është drejtuar Rektoratit të UP-së me disa pyetje për të kuptuar se ku qëndrojnë punët rreth këtij problemi të kamotshëm. Një përgjigje kanë marrë nga Kryesuesi i Këshillit Drejtues, z. Altin Sahiti, i cili i ka konfirmuar se pas procesit të auditimit lënda është dërguar në prokurori dhe u.d. i Sekretarit, Ma. Sc. Besfort Krasniqi, i cili me përgjigjen e tij na la të kuptonim se kanë mbetur dy pozicione të papërfunduara sa i përket punëve të instalimeve elektrike, e të cilat janë porosia dhe vendosja e gjeneratorit automatik, ekzekutimi i të cilave pozicione varet nga kyçja e objektit në rrjetin elektro-energjetik.
Për këtë UP, i është drejtuar Divizionit të rrjetit, Distrikti Prishtinë të KESCO-s, me kërkesë për revidimin e pëlqimit për kyçje në rrjetin elektro-energjetik të objektit të ri të FBV-së. Pas dyshimeve të ngritura nga inxhinierët e KESCO-s lidhur me distancën e objektit të ri të FBV-së ndaj përçuesit elektrik, UP-së i është kërkuar pëlqimi parimor nga KOSTT-i, nga të cilët është bërë e ditur se për shkak që nuk është respektuar kufiri i distancës (mbi 7 metra) që duhet të ketë largpërçuesi i tensionit të lartë nga objekti kompania në fjalë nuk ka pranuar të kyç energjinë elektrike. Pra, sipas matjeve në raportin teknik, distanca ndërmjet katit përdhese dhe kateve tjera të objektit është nën 7 m, respektivisht 6.79 m dhe 5.63 m që përbën rrezik për njerëzit (studentët dhe stafin e fakultetit në këtë rast).
LSB konsideron se kjo përbënë një nga shumë dështimet gjatë hartimit të projektit ideor për objektin në fjalë. Rreth mbikëqyrjes për punët e instalimeve elektrike, u është thënë se anëtarja e organit mbikëqyrës ishte njoftuar vonë dhe se ‘dëmi’ veçse ishte bërë. Marrë parasysh gjithë këtë, dhe kërkesat e vazhdueshme të ne studentëve për gjetjen e një zgjidhjeje, Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka kërkuar inicimin e auditimit të jashtëzakonshëm të aktivitetit të prokurimit/tenderit të kontratës me titull: “Ndërtimi i objektit të FBV-së”. Raporti me gjetjet (shkeljet dhe parregullsitë) më pas i është përcjellë edhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, gjegjësisht prokurorit të shtetit, z. Shkëlzen Ibrahimi. Kjo kontratë dhe këto gjetje të raportit të auditimit tanimë janë objekt hetimi dhe trajtimi nga ana e institucioneve shtetërore të ndjekjes penale”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e u.d. Sekretarit, Ma. Sc. Besfort Krasniqi.
Duke ditur rrezikshmërinë për veprimtari dhe aktivitet në hapësirën e re të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë sidoqoftë UP-ja ka kërkuar të sqarohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nëse mund të realizohet zhvendosja në objektin e ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë. Për çka, Prokurori i Shtetit i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka deklaruar se asnjëherë nuk ka kërkuar të ndalohet zhvendosja në objektin e ri të FBV-së.
“Nga e gjithë kjo, kuptohet sërish se mos funksionalizimi i objektit të FBV-së është rezultat i këtyre dështimeve të panumërta, mos transparencës, mos-mbikëqyrjes dhe hetimit të rregullt që nga viti 2013. Ndërsa, për pasojë studentët e FBV-së detyrohen të pranojnë përulje dhe nënçmim, edhe një vit tjetër në Gjimnaz, me aso kushtesh që as nuk i afrohen kushteve që i duhen një studenti dhe një Fakulteti si ky i Bujqësisë dhe Veterinarisë. Tanimë nuk është për t’u çuditur zbehja e interesimit të studentëve në përzgjedhjen e FBV-së për studime dhe as rënia e dukshme e cilësisë së mësimdhënies dhe mësim nxënies”, theksoi LSB. Kjo organizatë nënvizon se do të angazhohet pa kursyer askënd, në vënien e përgjegjësve të kësaj situate alarmante para drejtësisë dhe sigurisht gjetjen e zgjidhjes më të mirë për kolegët tanë studentë. Nuk kemi studentë për të humbur. Nuk kemi Fakultet për të mbyllur”. /Kosovatimes/