Qeveria e Kosovës ka zhvilluar sot mbledhjen e 112 me radhë në të cilën ka marrë disa vendimet.
Të gjitha vendimet që janë marrë mund t’i gjeni më poshtë:
-U miratua Draft Amendamenti i Kushtetutës së Republikës së Kosovës sipas të cilit përfshihet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës edhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar.
-U themelua Këshilli Shtetëror Organizativ për shënimin e 15 -vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 25 -vjetorit te Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me këtë përbërje:
- Z. Besnik Bislimi, Zyra e Kryeministrit, Kryesues;
- Znj. Saranda Bogujevci, Kuvendi i Republikës së Kosovës, zëvendës – kryesuese;
- Z. Armend Mehaj, Ministria e Mbrojtjes, anëtar;
- Znj. Donika Gërvalla – Schwarz, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, anëtare;
- Hajrulla Çeku, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, anëtar;
- Arbërie Nagavci, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, anëtare;
- Hekuran Murati, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, anëtar;
- Shkumbin Ahmetxhekaj, Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së, anëtar;
- Z. Bashkim Jashari, Komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës, anëtar;
- Përfaqësues i Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës.
Këshilli do të hartojë Programin Shtetëror për shënimin e dy datave të rëndësishme në shkurt dhe mars 2023.
-U procedua për në Kuvend të Republikës së Kosovës Vendimi i Qeverisë Nr. 13/50 i datës 21 dhjetor 2020 për dhënien e Statusit Investitorit Strategjik për subjektin investues “MOXICO LUMA KOSOVA MINING L.L.C”.
-U aprovuan dëftesat e pa negociuara për pagesë të anëtarësisë në Shoqatën ndërkombëtare për Zhvillim. Kështu, Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve i njihet e drejta rreth lëshimit dhe nënshkrimit të dëftesave të pa negociuara në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës për zotimin e pagesave konform detyrimeve të përcaktuara në rezolutat e Bordit të Guvernatorëve të Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim.
– U bë transferi i mjeteve buxhetore nga Ministria e Shëndetësisë nëpër Organizatat Buxhetore ku ka pasur shpenzime nga muaji janar deri në muajin nëntor 2022, për t’u zëvendësuar me fonde nga huamarrja.
-U plotësua dhe ndryshua Vendimi i Qeverisë Nr. 02/79 të datës 25.05.2022, duke mundësuar që mjetet e paalokuara dhe të pa shpenzuara të rikthehen në Programin e Ringjalljes Ekonomike dhe Vendimi i Qeverisë Nr. 16/67 të datës 09.03.2022.
-U aprovua e kërkesa për ndarje të mjeteve buxhetore për ekzekutimin e pikave të Vendimit të Qeverisë Nr. 31/99 të datës 30.09.2022. Me vendimin e miratuar aprovohet ndarja e 5,800,000 (pesë milion e tetëqind mijë) euro për zbatim të Vendimit të Qeverisë për masat shtesë në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike.
-U aprovua kërkesa për ndarje të mjeteve buxhetore në vlerë prej pesë milionë e katërqind mijë euro (5,400,000 €) për zbatimin e masës 3.7 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
-U aprovua kërkesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për kursime dhe ndarje buxhetore në vlerë prej 36,415,451.00 euro
-Koordinatori Kombëtar i Ekipit për Zhvillimin e Kompaktit u autorizua që të lidhë kontrata sipas rregullave të prokurimit të Mileniumit të Sfidave të Mijëvjeçarit në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
-U aprovua kërkesa për ndarje buxhetore për subvencionim të përfundimin e shtëpive për komunitetet jo-shumicë, ndërtimi i të cilave veçse kishte filluar përmes një projekti të vitit 2019.
-U ndanë 2,470,000 (dy milion e katërqind e shtatëdhjetë mijë) euro për qëllim të blerjes së objektit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar.
-U miratua vendimi Përfundimtar për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme shoqërore “Kooperativa Bujqësore 23 Nëntori” të cilat janë prekur nga realizimi i Projektit: Zgjerimi dhe Rehabilitimi i Rrugës ekzistuese në fshatin Bajgorë, Zonat Kadastrale: Selac dhe Bajgorë, Komuna e Mitrovicës së Jugut.
-U miratua vendimin Preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme shoqërore “Kooperativa Bujqësore Podujevë” të cilat janë të nevojshme për realizimin e Projekteve Infrastrukturore në Komunën e Podujevës: Zonat Kadastrale: Obrangjë dhe Surkish, Komuna e Podujevës.
-Si dhe vendimi për shpalljen me interes të veçantë publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat janë të nevojshme për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik”, Zona Kadastrale: Bistricë e Shalës, Komuna Leposaviq dhe Zona Kadastrale Jasenovik i Epërm, Komuna Zubin Potok.
-Fadile Dyla u emërua në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Mandati në këtë pozitë është katër vjet.
-U miratua nisma për lidhjen e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Australisë mbi Ripranimin e Personave që Qëndrojnë pa Autorizim.
-U miratua nismën për negocimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, për pjesëmarrjen e Kosovës në programin e Bashkimit “Drejtësia”.
-U aprovua vendimi për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve për nënshkrimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Rehabilitimi i Linjës Hekurudhore 10 B”. Kjo marrëveshje është plotësim i kredisë ekzistuese me Bankën Evropiane për Investime dhe mund të përdoret për të gjitha fazat e projektit, varësisht nga nevoja, për renovim të Linjës Hekurudhore.
-U miratua nisma për negocimin e Marrëveshjes së Grantit ndërmjet Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Termokos Sh. A. si dhe Frankfurt Am Main (KfW) në lidhje me Grantin e Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor për Projektin “Programi i Ngrohjes Qendrore Diellore”.
-U miratua nisma e Ministrisë së Financave për negocimin e Marrëveshjes së Grantit në ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga MFPT, Termokos Sh. A, dhe Frankfurt am Main (KfW) për projektin “Programi i ngrohjes Qendrore Diellore”. Kjo marrëveshje synon ndërtimin e një impianti diellor për ngrohje qendrore për të ofruar kapacitete shtesë të energjisë termike për rrjetin e ngrohjes qendrore në Prishtinë.
-U miratua nisma për negocimin e Marrëveshjes së Financimit në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Ngrohtorja Solare e Prishtinës”.
-U miratua Plani Kombëtar i Veprimit 2023-2025 për Partneritetin për Qeverisje të Hapur. Zotimet e Planit të Veprimit janë: Qeverisja dixhitale; Të dhënat e hapura; Pjesëmarrja qytetare; dhe Kundër korrupsioni. Partneritetin për Qeverisje të Hapur, si dokument përmban politikat e qeverisë lidhur me përmirësimin e shërbimeve publike, ngritjen e transparencës, llogaridhënies dhe efikasitetit të administratës publike.
-U aprovua Raporti për Gjendjen e Natyrës 2018 – 2021. Raporti do të shërbejë edhe për informimin e publikut për gjendjen e ambientit dhe do të identifikojë nevojat për intervenim në sigurimin dhe mbrojtjen e natyrës dhe ambientit në vendin tonë. Raporti do t’i dorëzohet për informim Kuvendit të Kosovës.
-U miratua Koncept-dokumenti për Sëmundjet e Rralla. Koncept dokumenti rekomandon institucionalizimin e përkujdesjes shëndetësore të pacientëve me sëmundje të rralla si dhe plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për shëndetësi.
-U bë informimi i Kabinetit Qeveritar mbi zbatimin e Planit të Veprimit për zbatimin e Agjendës për Reforma Evropiane (PV ERA II) gjatë periudhës korrik-shtator 2022.
-Këshilltarja e Kryeministrit për Çështje të Komuniteteve, Elizabeth Gowing, u emërua anëtare e Komisionit për verifikimin e diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicas së Veriut.
-U aprovua Plani i Veprimit për Zbutjen e Ndikimit të Menjëhershëm Socio-Ekonomik të Krizës Energjetike. Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Zyrën e BE-së në Kosovë dhe Fondin Kosovar për Efiçiencë të Energjisë, ka hartuar planin e veprimit për pakon e përkrahjes buxhetore për krizën e energjisë brenda IPA 2023. Plani i veprimit parasheh zbatimin e masave me efekte të menjëhershme dhe afatshkurtra përmes mbështetjes së drejtpërdrejt financiare për familjet në nevojë dhe në disavantazh për periudhën e dimrit, nxitjen e kursimit të energjisë nga konsumatorët familjarë, mbështetjen e familjeve përmes rritjes së efiçiencës së energjisë në njësi të banimit dhe ndërtesa, si dhe investimeve në pajisje efiçiente ngrohëse dhe sistemit të energjisë së ripërtëritshme për familjet dhe ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme.
-U ndanë 2.826.464 euro për kompensimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyror nga të cilat do të përfitojnë fermerët e 22 komunave.
-U miratua Projektligji për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve Ngjitëse i cili ofron mundësinë e modernizimit të sistemit të mbikëqyrjes dhe kontrollit efikas të sëmundjeve ngjitëse. /Kosovatimes/