Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti e kanë nënshkruar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Krerët e shtetit e kanë vlerësuar këtë si ditë historike dhe si një lëvizje drejt jetësimit të ëndrrës së kamotshme të popullit të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi si “historike” nënshkrimin e aplikimit të anëtarësimit në bllokun evropian.
“Po marrim një hap vendimtar drejt jetësimit të ëndrrës sonë kolektive”, tha ajo, duke shtuar se aplikimi për anëtarësim në BE është një hap drejt përmbushjes së ambicieve evropiane të Kosovës.
Konjufca: E meritojmë të bëhemi vend kandidat i BE-së.
E para e shtetit ka thënë se ky akt i dedikohet ‘gjithë qytetarëve tanë, evropianëve të devotshëm e mbrojtësve dhe promovuesve të vlerave evropiane, në vigjilje të 15 vjetorit të shpalljes së pavarësisë’.
“Por mbi të gjitha ky moment i dedikohet çdo fëmije, gruaje e burri të Kosovës që sakrifikuan jetën, duke mbrojtur idealet për liri pavarësi e demokraci, derisa u përballën padrejtësisht me okupim e gjenocid. Kosova sot është mishërim i vlerave mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian dhe frymon me shpirtin evropian. Shteti më i ri në kontinentin më të vjetër, promovues dhe garantues i të drejtave demokratike, vend i pluralizmit politik dhe i mediave të lira, garantues i të drejtave të njeriut, lirive fetare e të drejtave të komuniteteve jo shumicë”, ka nënvizuar Osmani.
Bashkimi Evropian është me të vërtetë i plotë vetëm kur të gjitha kombet evropiane janë pjesë e këtij bashkimi. Kështu ka deklaruar kryeparlamentari, Glauk Konjufca pas ceremonisë së nënshkrimit të aplikimit për anëtarësimin e Kosovës në BE.
“Sot është ditë me të vërtetë e rëndësishme për Republikën e Kosovës. meqë jemi mbledhur me shumë krenari e përkushtim që ta nënshkruajmë letrën në emër të Republikës së Kosovës për aplikim për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Më lejoni të përmend këtu njërin prej vizionarëve të BE-së, Jean Moonet që pati thënë se nuk ka të ardhme për neve njerëzit e Evropës, veçse përmes bashkimit tonë. Për këtë arsye, sot, e nënshkruam kërkesën zyrtare që do ta nisë procesin e anëtarësimit dhe integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”, ka theksuar Konjufca.
Ai ka thënë se anëtarësimi në BE për Kosovën dhe gjithë rajonin është i rëndësisë së veçantë sepse “ajo ofron stabilitet, demokraci siguri, prosperitet zhvillimor e ku respektimi i të drejtave të njeriut, barazia, konkurrenca e ndershme dhe lëvizja e lirë e njerëzve, punëtorëve , e mallrave e shërbimeve dhe kapitalit janë në thelbin e saj”.
“Një union që me të vërtetë e stimulon rritjen ekonomike të popujve dhe mirëqenien e tyre, ndihmon në krijimin e më shumë vendeve të punës dhe e mbështetë rritjen ekonomike në një treg prej 450 milionë konsumatorëve. Ky është hapi i parë zyrtar në rrugën e anëtarësimit të Kosovës drejt BE-së, një rrugë që ishte e gjatë dhe aspak e lehtë. Ky rrugëtim kalon përmes Komisionit Evropian nga i cili presim që t’ia rekomandojë Bashkimit Evropian t’ia jap Kosovës statusin e merituar. Por, vendimi i takon megjithatë qeverive të vendeve anëtare të BE-së, të cilat gjithashtu i ftojmë të veprojnë unanimisht dhe për ta dhënë miratimin e tyre”, ka shtuar kryeparlamentari.
Sipas tij, Republika e Kosovës e ka kushtetutën dhe legjislacionin e saj të hartuara në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe kjo është pjesë vitale e kontributit afatgjatë të institucioneve të Kosovës për të përafruar procesin e integrimit të Kosovës në BE.
“Ne e meritojmë të bëhemi vend kandidat dhe të fillojmë rrugëtimin tonë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, një fazë që synojmë të arrijmë në një kohë sa më të shpejtë të mundshme”, ka thënë ai.
Marrja e statusit kandidat, sipas Konjufcës, ka një peshë të konsiderueshme dhe ‘me të drejtë konsiderohet si vula e parë e miratimit të perspektivës evropiane’.
“Për këtë arsye e ftojmë Parlamentin Evropian, Këshillin Evropian, Komisionin Evropian dhe shtete anëtare të BE-së që ta demonstrojnë përkushtimin dhe përkrahjen e tyre ndaj Kosovës por edhe gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke miratuar unanimisht kërkesën e Kosovës dhe në këtë mënyrë që të na inkurajojnë të gjithëve që të ndërmarrim reformat e nevojshme për përparimin e Kosovës, reforma që e kanë kuptimin e interesit për qytetarët e Kosovës dhe jo thjesht për politikanët e zyrtarët publik”, ka nënvizuar Konjufca.
Kurti: Progresi drejt BE-së varet nga përkushtimi ynë
Nënshkrimin e aplikimit për anëtarësim në BE, kryeministri Albin Kurti e ka vlerësuar si hapin më të rëndësishëm drejt anëtarësimit në këtë organizatë.
“Bazuar në aspiratat, vullnetin dhe përkushtimin e pathyeshëm të popullit tonë për paqe, liri, barazi dhe drejtësi, orientimin tonë të qartë evropian e euroatlantik, besimin në vlerat fundamentale të Bashkimit Evropian, konsensusin shoqëror e politik se e ardhmja e vendit tonë është brenda Bashkimit Evropian, sot po bëjmë hapin e parë drejt anëtarësimit në organizatën më të madhe të paqes – Bashkimin Evropian”, ka thënë Kurti, pas ceremonisë së nënshkrimit.
Ai ka bërë të ditur se aplikimin e nënshkruar sot nga tre krerët e institucioneve të Republikës do t’ia dorëzojnë presidencës çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian në Pragë.
“Është ky një moment historik për vendin tonë që synon hapjen e një kapitulli të ri për shtetin dhe shoqërinë tonë. Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese, të cilat e avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe e zhvillojnë ekonominë tonë”, ka shtuar Kurti.
Ai ka thënë se shpejtësia me të cilën do të ecim drejt këtij objektivi do të varet nga vet Kosova.
“Prandaj angazhimi i të gjithëve është i nevojshëm, e përkushtimi i secilit i domosdoshëm. Ne, do të ecim përpara me meritën tonë, pra me aftësinë tonë për të përmbushur kriteret në secilin kapitull të ri. Pengesat dhe sfidat drejt anëtarësimit i kalojmë me zhvillim demokratik dhe me progres shoqëror. Së bashku në këto dy vite kemi dëshmuar që kur shpresojmë dhe besojmë çdo gjë është e mundur dhe nuk ka pengesë që nuk e kalojmë”, ka theksuar Kurti.
Dorëzimi i aplikimit pritet të bëhet më 15 dhjetor në Pragë të Çekisë, shtetit që aktualisht kryeson bllokun evropian.
Kosova deri më tani ka vetëm një marrëveshje kontraktuale me BE-në, përkatësisht Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.
Nga 27 shtetet anëtare të bllokut, pesë prej tyre ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Shtetet mosnjohëse janë: Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia.
Nga shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit në bllok, pasi deri më tani kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria gjatë këtij viti nisën procesin e bisedimeve, ndërkaq Bosnjë e Hercegovina këtë javë ka marrë statusin e vendit kandidat.
Kosova po ashtu është shteti i vetëm që nuk ka liberalizim të vizave me BE-në.