Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu vizitoi vendet e dislokimit të trupave ruse në Ukrainë. Lajmi është bërë i ditur mëngjesin e së dielës nga Ministria e Mbrojtjes. Ai fluturoi me një helikopter mbi disa pozicione ku kane avancuar dhe dëgjoi raportet e komandantëve. Se ku ka vizituar saktësisht Shoigu, departamenti ushtarak nuk ka specifikuar.
Siç thuhet në mesazhin e ministrisë, Shoigu “i kushtoi vëmendje të veçantë organizimit të mbështetjes gjithëpërfshirëse për trupat, kushteve për vendosjen e personelit në terren, si dhe punës së njësive mjekësore dhe të pasme”.
Më herët u raportua se të shtunën, më 17 dhjetor, presidenti rus Vladimir Putin vizitoi selinë e përbashkët të degëve ushtarake që po marrin pjesë në pushtimin e territorit te Ukrainës dhe zhvilloi një takim me komandantët.
Instituti Amerikan për Studimin e Luftës (ISW) beson se Kremlini po përpiqet ta portretizojë Putinin si një udhëheqës kompetent të kohës së luftës, veçanërisht në dritën e kritikave të fundit për rolin e presidentit në udhëheqjen e luftës. Gjithashtu, sugjerojnë analistët e ISW, është e rëndësishme që Kremlini ta paraqesë Ministrinë e Mbrojtjes si një organizatë të unifikuar dhe efektive dhe të përmirësojë imazhin e saj në mënyrë që të balancojë ndikimin në rritje të Ramzan Kadyrov dhe Yevgeny Prigozhin dhe strukturat ushtarake që ata kontrollojnë.
Pushtimi ushtarak i Rusisë në Ukrainë zgjat gati dhjetë muaj.