Gjatë ditëve të fundit, misioni i KFOR-it udhëhequr nga NATO, ka kryer një sërë ushtrimesh në veri të Kosovës. KFOR-i deklaron se kjo është bërë për të testuar aftësitë për të vazhduar për sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe të lirë të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

 

KFOR-i njofton se prezenca e shtuar kohët e fundit e KFOR-it në Jarinje për arsye parandaluese të sigurisë doli të ishte një aktivitet jashtëzakonisht i suksesshëm.

Kjo, kryesisht për shkak të bashkëpunimit produktiv dhe vlerësues të Qeverisë së Malit të Zi, Shefit të Mbrojtjes së Serbisë, institucioneve në Kosovë, misionit të udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit (EULEX), dhe KFOR-it.

KFOR-i deklaron se komanda rajonale e KFOR-it-lindje ka shtuar praninë e tyre në portën e kalimit në Jarinje për arsye parandaluese pas koordinimit të suksesshëm dhe aktiv me të gjitha palët e interesuara.

“Kjo rritje ishte e nevojshme, duke pasur parasysh raportimet e fundit për praninë e supozuar të mundshme të grupeve të organizuara kriminale që ishin përfshirë në demonstrata”.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia deklaroi se KFOR-i ruan aftësitë dhe mjetet e duhura për të penguar dhunën në rajon dhe për të siguruar që ekzistojnë kushte që inkurajojnë dialogun e mëtejshëm politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për të ecur përpara, nën lehtësimin e BE-së.

“KFOR-i tregoi ekuilibër dhe vendosmëri gjatë gjithë ngjarjes. Nuk raportohet për të lënduar dhe tensionet janë ulur për shkak të koordinimit ndërmjet palëve zyrtare dhe udhëheqjes së KFOR-it”, deklaron KFOR-i në komunikatë për media.

KFOR-i beson fuqishëm se përdorimi i dhunës dhe sjelljes agresive për të ndikuar në vendimet politike në Kosovë është i papranueshëm dhe perceptohet si provokim.

Stërvitja më e fundit e mbajtur më 19 dhjetor 2022 filloi në kampin e Novo Sellës dhe u krye për të trajnuar dhe testuar aftësitë e njësive të KFOR-it për të garantuar lirinë e lëvizjes duke përdorur mjetet në dispozicion (automjete të rënda logjistike dhe mjete inxhinierike).