Kur tanket ruse patën marrë rrugë për në Gjeorgjinë fqinje në gusht të vitit 2008, reagimi fillestar i Pekini ka qenë i përzier me irritim.
Hu Jiintao – atëbotë lider kinez – është raportuar të ketë qenë i zemëruar dhe i turpëruar pse Moska e ka zgjedhur ditën e nisjes së Lojërave Olimpike Verore në Pekin, për të nisur luftën në Gjeorgji.
Për më shumë, Kina ka marrë hapa për të bllokuar tentimet diplomatike ruse për të legjitimuar luftën në disa organizata multilaterale, por edhe në rajonet fqinje sikurse Azia Qendrore.
Mirëpo, prej shkurtit të vitit 2022, marrëdhëniet ruso-kineze kanë ndryshuar, kryesisht për shkak të ideologjive të ngjashme për të rishkruar rendin botëror, por edhe për shkak të kundërshtimeve që kanë ndaj Shteteve të Bashkuara në skenën globale.
Teksa daullet e nisjes së luftës ruse sa shkonin e merrnin jehonë në shkurt të vitit 2022 dhe në kohën kur Kina kryente sërish përgatitjet si nikoqire e Lojërave Olimpike, presidenti rus, Vladimir Putin, ka udhëtuar në Pekin për t’u takuar me homologun e tij, Xi Jinping, ku të dy liderët kanë nisur një epokë të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve, pasi janë zotuar për nisjen e një partneriteti strategjik “pa kufizime”.
Si dëshmi se sa shumë kanë ndryshuar marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Rusisë në 14 vjetët e fundit, dy liderët kanë nënshkruar më 4 shkurt të vitit 2022 një deklaratë të përbashkët prej 5.300 faqesh, pak para ceremonisë për hapje të Lojërave Olimpike.
Në deklaratë është nënvizuar bashkëpunimi i mëtejmë politik, ekonomik dhe ushtarak, si dhe është rikonfirmuar gatishmëria për një front të përbashkët kundër Perëndimit.
Dhe, ky partneritet është testuar shpejt.
Më 24 shkurt, rusët kanë nisur sërish tanket te një ish-anëtare e Bashkimit Sovjetik, mirëpo këtë herë në Ukrainë, për të nisur luftën më të madhe në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.
Për dallim nga Gjeorgjia, lufta e Putinit në Ukrainë ka nxitur sanksione ekonomike dhe politike nga Perëndimi dhe forcat ukrainase – të pajisura me armë perëndimore – kanë arritur të zmbrapsin trupat ruse dhe të ndryshojnë planet e Kremlinit disa herë.
Prej atëherë, Pekini ka krijuar një qasje të çuditshme me Moskën: ka folur kundër sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë dhe shpesh i ka dhënë zemër narrativës së Rusisë për luftën, por në të njëjtën kohë e ka distancuar veten nga Putini dhe me raste edhe e ka kritikuar pushtimin.
Pas një viti që ka shkundur shumë pritshmëri dhe ka lënë në baltë shumë mite për lidhjet mes Kinës dhe Rusisë, çfarë ka për të sjellë viti 2023?
“Paaftësia ushtarake e Rusisë e ka zvogëluar disi imazhin e saj, mirëpo Kina vazhdon të mbetet partnere strategjike e Rusisë”, ka thënë Steve Tsang, drejtor i Institutit për Kinën që funksionon në kuadër të Universitetit SOAS në Londër.
“Rusia mund të duket se është më pak e vlefshme, mirëpo Pekini vazhdon t’i shohë Shtetet e Bashkuara si rivale strategjike, andaj dëshiron ta ketë Rusinë në anën e vet”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.
Çmimi strategjik
Pavarësisht shumë problemeve që pushtimi rus i Ukrainës ka krijuar, si në shtëpi, ashtu edhe jashtë kufijve, strategët kinezë ende e konsiderojnë forcimin e lidhjeve të Moskës me Kinën si një përparësi, pasi Pekini sa shkon e thellon konkurrencën me Shtetet e Bashkuara.
“Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve ende shihen si aset i vlefshëm për Xi-në, edhe nëse Rusia del më e dobët nga kjo luftë”, ka thënë Andew Small, hulumtues i lartë në Fondin Marshall, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë.
Analistët besojnë se lufta e ka lënë Pekinin në pozitë të palakueshme dhe me raste zyrtarët kinezë kanë bërë të ditur pakënaqësitë e tyre me gjithë situatën.
Në anën tjetër, lufta e ka lënë Rusinë më të varur nga Kina – si në aspektin politik, ashtu edhe atë ekonomik – dhe gatishmëria e Putinit për të sfiduar hapur Shtetet e Bashkuara, i shton pikët te Pekini, i cili vazhdimisht kërkon të forcojë imazhin në skenën globale.
“Një Rusi më e dobët është partnere më e mirë sesa secili opsion tjetër që ka Kina, sidomos sa u përket vlerave ushtarake, ekonomike dhe politike”, ka thënë Small.
“Peisazhi strategjik është ende i njëjtë për Xi-në. Pekini është i gatshëm të përballojë një periudhë të vështirë dhe nuk e ka në plan që të përkulet”.
Arritja e partneritetit në nivel të tillë ka qenë synim afatgjatë për politikbërësit kinezë, ka thënë Small.
Ndonëse Pekini dhe Moska shpesh e kanë gjetur veten duke mbrojtur interesa të kundërta në organizatat ndërkombëtare – sikurse Kombet e Bashkuara – lidhjet e tyre, megjithatë, vetëm sa janë forcuar, sidomos në anën ruse.
Për shumë vjet, Moska thuajse e pati mbyllur tregun rus për investimet kineze.
Mirëpo, situata ka ndryshuar më 2014, kur Rusia jashtëligjshëm ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe ka nisur luftimet në lindje të Ukrainës.
Duke u përballur me sanksionet e Perëndimit, përfshirë ato të Bashkimit Evropian – në maj të atij viti, Putin ka udhëtuar në Shangai, ku ka nënshkruar një marrëveshje në vlerë të 400 miliardë dollarëve, e cila parashihte ndërtimin e një gazsjellësi me Kinën.
Edhe kufizimet tjera janë hequr në muajt vijues dhe Rusia ka nisur të shesë sisteme të avancuara raketore për kinezët.
“Pjesa interesante e kësaj lufte dhe pasojat e saj për Kinën, nxisin dilema nëse ia vlen barra qiranë”, ka thënë Small, si referencë për ambiciet kineze rreth Tajvanit – ishull që vetëqeveriset, por të cilin Pekini e konsideron si pjesë të tij.
“Kjo situatë tregon sa e dëmshme mund të jetë një marrëdhënie nëse nuk bëhen kalkulimet e duhura”.
Në pritje të vitit 2023
Në vitin që po vjen, pyetja qendrore mbetet ajo se si Kina do të rrisë lidhjet me Rusinë, marrë parasysh luftën e kësaj të fundit në Ukrainë.
Ndonëse ekspertët besojnë se është e qartë që Pekini nuk ka synime që të heqë dorë nga Moska si partnere, megjithatë mund të planifikohen kufizime se deri në çfarë mase Kina do të mund të ndihmojë Rusinë.
“Ka shumë mundësi që Kina do të vazhdojë të ofrojë ndihmë retorike për Rusinë, mirëpo jo edhe mbështetje praktike ekonomike apo ushtarake”, ka thënë Charles Dunst, hulumtues në Qendrën për Studime Strategjike Ndërkombëtare, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
“Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar disa herë Kinën se mbështetja ekonomike dhe ushtarake për Rusinë do të nxiste sanksione amerikane – situatë që Kina dëshiron ta shmangë”.
Duke pasur parasysh këtë gjë, Kina do të vazhdojë të blejë energji ruse me çmim të volitshëm, por duke kryer pagesat në rubla ruse, me qëllim të mospërfshirjes në listë të sanksioneve.
Për më shumë, edhe disa rajone ruse tashmë kanë nisur të bëjnë tregti me provincat kineze – varësi që duket se do të rritet në të ardhmen.
Mirëpo, Agathe Demarais, drejtore për parashikime globale në revistën Economist Intelligence, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kina ka pak mundësi të bëhet mbështetëse e madhe financiare për Rusinë në të ardhmen e afërt.
“Rusia do të tentojë të bëjë gjithçka për të forcuar eksportet e energjisë me Kinën”, ka thënë ajo.
“Kjo gjë nuk do të jetë problematike për naftën, por për gazin po, burim thellësisht i rëndësishëm për regjimin rus. Gati të gjithë gazsjellësit janë të ndërtuar drejt Evropës dhe ndërtimi i gazsjellësve të rinj kushton shumë, kërkon teknologji të avancuar dhe buxhet të madh”.
Paqartësitë ekzistojnë edhe për mënyrat si mund t’i ndihmojë Kina Rusisë, duke shmangur sanksionet amerikane në ekonominë e saj.
Në të kaluarën Pekini u ka ndihmuar partnerëve tjerë sikurse Irani, me qëllim të zbutjes së goditjes financiare që i është bërë këtij shteti nga sanksionet e huaja, por edhe për të blerë naftë me çmim të lirë.
Por, Demarais kujton se Kina, po ashtu, ka tensionuar disa herë lidhjet me Teheranin, pasi e ka shtyrë atë drejt negociatave të vështira dhe e ka shfrytëzuar situatën e rëndë ekonomike të Iranit.
Me Rusinë, Pekini duket se do të mësojë nga përvojat e kaluara për të gjetur balancën mes çuarjes përpara të interesave të tij për energji, por edhe duke e mbajtur Rusinë në krah.
“Kina e di se do të mund të përfitojë nga një Rusi e dëshpëruar dhe me pak para”, ka thënë Damarais.
“Po ashtu, kompanitë kineze nuk janë shumë të entuziazmuara për rritur biznesin me Rusinë, pasi frikësohen se sanksionet sekondare mund të aplikohen dhe kompanitë kineze nuk dëshirojnë që të marrin rreziqe. Kjo nënkupton se marrëdhëniet do të jenë shumë të pabalancuara dhe Kina e ka rolin kyç në to”.
Small nga Fondi Marshall beson se strategët kinezë do të tentojnë të mbajnë Moskën sa më afër, mirëpo në të njëjtën kohë të kultivojnë lidhjet me Perëndimin.
“Ata e dinë se Rusia dëshiron respekt dhe nëse ia ofrojnë këtë gjë, atëherë përfitojnë tregti me çmime të lira”, ka thënë Small.
“Nëse e trajtojnë Rusinë si të barabartë – edhe nëse nuk mendojnë se është – atëherë diçka e tillë paguan dividentën për Kinën, dhe kjo në fakt është mënyra sesi Xi e ka ndërtuar gjithë lidhjen”, ka theksuar ai.