Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, Gjykata e Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ua ka ulur për tre muaj dënimin me burg.
Nga 4 vjet e gjysmë sa ishin dënuar secili, në 4 vjet e tre muaj. Paneli ka konfirmuar shumicën e pikave të aktgjykimit të shkallës së parë kurse ka mbetur në fuqi gjoba prej 100 eurove për secilin.
Gjykatësja e Panelit ka thënë se do të mbeten të dy në paraburgim në Hagë deri në transferimin në shtetin ku do të vuajnë dënimin. Në dënim do t’u llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga shtatori i vitit 2020.
Gucati e Haradinaj më 18 maj 2022, u shpallën fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Ata u shpallën të pafajshëm për veprën e hakmarrjes.
Gucati dhe Haradinaj sot përballë vendimit të Apelit
Paneli i Gjykatës së Apelit në Hagë do të bëjë sot shpalljen e aktgjykimit në çështjen ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Pas shpalljes së vendimit të shkallës së parë, ku trupi gjykues i shpalli ata fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, ata paraqitën ankesë në Apel.
Në shkallën e parë ata u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim.
Gucati dhe Haradinaj, më 18 maj 2022, u shpallën fajtorë për pengim të administrimit të drejtësisë, duke u dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim. Ata u arrestuan më 5 shtator të vitit 2020 dhe që nga ajo kohë janë në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Gucati dhe Haradinaj kishin zbuluar informacion të mbrojtur, duke synuar që të zbulonin qindra dëshmitarë apo dëshmitarë të mundshëm të Dhomave të Specializuara, që njihen edhe si Gjykata Speciale.